Nga Rexhep Ismajli
Si edhe njësitë e tjera të kodit gjuhësor të caktuar, edhe foljet dhe kohët e tyre, mund të aktualizohen në ligjëratë bashkë me njësi të tjera, pra në bashkekzistencë sintagmatike me klasët e tjera. Për këtë arsye çdo studim i kohëve të foljeve duhet të niset nga tërësia e tillë, pra nga kodi dhe nga ligjërata. Informacioni që duhet të komunikohet përmes gjuhës është i organizuar në atë mënyrë që çdo njësi gjuhësore në të njëjtën kohë bart më shumë ose të paktën një njësi informative. Ky fakt e bën edhe më tëv ështirë studimin e funksioneve të nëjsive përmes klasave, sepse përnga ky kriter ndryshimet janë jo të vogla.
Përnga informacioni kohët e foljeve dallojnë midis tyre jo vetëm përsa i përket raportit ndaj kohës fizike. Madje ndodh nganjëherë që dallimet të qëndrojnë esencialisht tjetërkund. Qysh në Antikë ndarja e kohëve qe bërë trisisht: e shkuar/e tashme/e ardhshme. Ky konceptim presupozon një barazim të çështjeve dhe të rrjedhave gjuhësore me çështjet dhe rrjedhat mendore, fizike, filozofike. Nëse midis kohës kohë dhe kohës së foljeve vemë shenja barazimi, atëherë do të duhej të kishim gjithmonë një kohë të tashme në të tashmen, një të shkuar në të shkuarën, etj. Mirëpo në gjuhë nuk ndodh kështu. Distribucioni i kohëve të foljeve në tekst është larg më i ndryshëm, sepse këto kohë funksionojnë si shenja, si të gjitha shenjat e tjera të gjuhës.
Simbas Knud Togeby-së ,,teori të ndryshme mbi çështje të foljeve na tregojnë qartë se është e pamundshme të jipet një përkufizim i përgjithshëm i kohës, që, si duket, është një kategori shumë variabile’’. Po këtë gjë e kishte vërejtur edhe Hjelmslev-i, për të cilën në shumicën e gjuhëve të Evropës Perëndimore koha nuk është morfemë bazore, po morfemë e tematizuar, sepse në këto gjuhë nuk ka konkordancë të domosdoshme të kohëve.
Disa vite më herët, për Hjemslev-in morfemat e foljeve, një nga cilat është edhe koha , nga aspekti i një anaize semantike i karakterizojnë thëniet si tërësi, gjë që nuk ndodhme morfemat e emrave , ta zëmë ,,Tërësia e thënies është e ngjyrosur me një lloj konceptimi kohor, aspektor, dhe mënyror. Këtë pikëpamje Hjelmslevi e ndërroi më vonë për shkak se duhej të merrej me përshkrimin e njësive gjuhësore të rrafshit të frazës dhe të mos nisej nga rrafshi i thënies , sepse atëherë domosdo ndryshon perspektiva. Se, thënia mund të përbëhet të paktën nga një frazë, pra vetvetiu dalim jashtë atij koncepcionit të zakonshëm lingvistik, simbas të cilit fraza është njësia më e madhe gramatikisht e varur, e cila nuk hyn më tutje në njësi më të mëdha gramatikisht të lidhura. Jo vetëm Hjelmslev-i por të gjithë glosematistët e morën pak a shumë për bazë këtë konceptimin e dytë , sepse i shtronin vetes në radhë të të parë detyra klasifikimi dhe përshkrimi.
Përveç kësaj shumë gjuhëtarë deri sot e kanë vënë në pah faktin se morfema të ndryshme të foljeve si koha, aspekti dhe mënyra ndërpriten në mënyra tëndryshme jo vetëm në varësi nga niveli i frazës , por edhe varësisht nga nivele më të larta se ai i frazës. Më tutje, kohë të ndryshme të foljeve të një gjuhe , të përkufizuara tradicionalisht në bazë të kronologjisë, të aktualizuara në tekst mund të kenë funksione të ndryshme edhe kronologjike , po edhe të tjera , sidomos funksione që lidhen me tërësinë e tekstit jashtë fjalisë .
Simbas një ndarjeje gati të përgjithshme tradicionale , e cila ka të bëjë vetëm me çështje të nivelit të frazës , kohët e foljeve të një gjuhe indoevropiane do të mund t’i gruponim në tri grupe të mëdha : kohë të shkuara, kohë të tashme dhe kohë të ardhshme. Këtu ka gjithmonë vend për diskutime dhe precizime edhe nga vetë aspekti i teorive të tilla, por duke i pasur parasysh variacionet që kriojojnë monemat e tilla si aspekti , mënyra dhe diateza , të cilat nuk janë njësoj dhe as që të gjitha në të gjitha gjuhët të pranishme. Nga aspekti i ndërtimeve më të mëdha se fraza empirikisht këtu bien në sy përdorime të morfemave kohore që trajtohen si të shkuara në të ardhmen , ose si të tashme në të shkuarën, etj. Këto gjëra mund të gjejnë shpjegim, si duket vetëm në kuadër të një gjuhësie tekstore, e cila po konstituohet këto ditë tona.
Këtu më poshtë po japim dy konceptime të këtyre çështjeve nga dy autorë të shquar nga kjo fushë dhe disa ilustrime nga materialet e shqipse.
Simbas Emil Benveniste-it kohët e foljeve të sistemit të frëngjishtes do të mund të studioheshim më me lehtësi dhe më me qartësi në kuadër të njësive më të mëdha se fraza nëse këto ndjesi do të hetoheshin më prë se ç’natyre janë, sepse varësisht nga natyra e këtyre njësive do të adaptohet edhe denduria dhe përdorimi i monemave kohë të foljeve. Në këtë kuptim ai tekstet i ndan në dy grupe të mëdha: discours (ligjëratë) dhe historie (rrëfim). Këta dy regjistra ndërplotësohen , pra nuk dalin kurr ashtu të veçuar plotësisht.
Me ligjëratë ai kupton ,,një rrjedhë fjalësh që supozon një folës e një ndëgjues dhe intencën te i pari për të ndikuar disi në të dytin”. Regjistri I ligjëratës në frëngjisht I lejon të gjita kohët, teorikisht , përveç asaj që quhet passè simple (e kryer e thjeshtë). Kohë karakteristike për këtë regjistër ndërkaq janë prèsent (e tashme) , parfait (perfekt) dhe futur I ( e ardhshme) , prandaj edhe këto kohë quhen kohë tipike të diskursit. )
Të thënit rrëfimor (te Benveniste-i historik) ,,e karakterizon rrëfimin e ndodhive të kaluara”. Këtij regjistri, simbas autorit tonë, i takojnë: passè simple (e kryer e thjeshtë) imparfait (e pakryer) dhe plus-que-parfait (më se e kryer). Karakterizohet me përjashtimin e kohëve : prèsent , parfait dhe futur I. Këtë ndarje shumë interesante si rrugë Benveniste-i nuk e shpie deri në fund, sepse nuk i interesojnë çështje të sintaksës së ligjëratës, po çështje të historisë së frëngjishtes, konkretisht arsyet e zhdukjes së passè simple nga frëngjishtja e folur dhe kështu heq dorë nga analizat që mund t’i delnin shumë interesante përsa i përket qëndrimit folës.
Gjuhëtari gjerman Harald Weinrich në këtë drejtim ka shkuar edhe më larg dhe ka bërë një eksplorim të hollësishëm të sistemeve të kohëve të frëngjishtes, të gjermanishtes, të anglishtes, të spanjishtes dhe të italishtes. Kohët e foljeve ai i ndan simbas tri pikave, tre boshteve informative:
I.Qëndrimi folës
II.Perspektiva folëse
III.Reliefizmi i tekstit
Simbas kriterit të parë kohët e foljeve të një gjuhe do t’i dallonin në kohë komentative dhe në kohë narrative. Në kohë komentative do të hynin: prezenti, perfekti dhe futuri I, ndërsa në kohë narrative do të hynin: imperfekti, aoristi, perfekti II dhe prezenti i lidhores (në sistemin e frëngjishtes). Nga ky grupëzim të përjashtohen format e ashtuquajtura gjysmë të mbaruara ose të pambaruara, si paskajorja, pjesorja, gjerundi, etj.
Simbas kriterit të dytë dallohen kohët e së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhshmes.
Simbas kriterit të tretë kohët dallohen në kohë që mbajnë planin e parë të rrëfimit dhe në kohë që e japin mbrapavijën. Kjo vërehet sidomos në përdorimin bashkë në të njëjtin tekst të kohëve si imperfekti dhe aoristi, që përmbajnë në vete kundërvënien aspektore.)
Siç po shihet, kriteri i parë na lejon pak a shumë të njëjtën ndarje si ajo e Benvenist-it. Vetëm se këtu do të propozonim terma shqip: për kohët komentative do të themi kohë përfolëse ose kohët e përfoljes, natyrisht duke e zhveshur termin nga të gjitha konotacionet e përditshme sociale dhe psikologjike, ndërsa për kohët narrative do të themi kohët e rrëfimit ose kohët rrëfimore. Përnga perspektiva folëse ndarja mbetet tradicionale, por mbrendapërmbrenda kriterit të parë. Dhe kriteri i parë pak a shumë e respekton këtë ndarje: të thënë reprezentues, pra kryesisht jepet tablloja e një gjëje tashma të jetuar ose të menduar si të jetuar nga perspektiva e folësit, dhe të thënë komentues, pra kryesisht të thënë ku komentohet diçka që është reprezentuar ose përjetuar ose duhet të përjetohet, etj. Ndërkaq, kriteri i dytë pak a shumë e rimerr atë ndarjen tradicionale të kohëve në përgjasim me krononologjinë. Çështja e reliefizimit është çështje që del më tepër në kuadër të teksteve rrëfimore: nëse rrëfimi rrjedh në të pakryer, pra nëse plani i parë është në të pakryer, gjërat e planit të dytë për shembull mund të rrëfehen në të kryer të thjeshtë. Kjo gjë lidhet ngushtë me funksionalizimin e vlerave aspektore, por edhe me rëndësinë e pjesëve që rrëfehen në formë rrafshesh.
(Shkëputur nga libri ‘Shumësia e tekstit’ të autorit Rexhep Ismajli, botuar nga “Rilindja:, 1980)
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE: GJUHA SHQIPE
Poezi nga Ismail Kadare
Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’i muar, që s’i muar.
Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.
Kur panë se gjuhës
S’i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash…
Në përçartje ta kthenin
Në delir në jerm,
Ishin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.
Të të bënin ty, donin
Shqipëri memece,
Po ja erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.
Dorën e zbehtë
Mbi ballë të vuri,
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.
Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.
Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç’do të thotë përçartje
E di, oh, e di mirë.
E di ç’do të thotë
Kllapi hermetizëm,
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë e ardhur nga Parisi.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult