Rexhep Qosja: Poetika e demagogjisë

Rexhep Qosja

Demagogjia, si sëmurje shoqërore, gjithmonë zhvillohet në dëmin e shëndetit të shoqërisë; një ves, sikundër edhe një degë e ekonomisë, mund të përparojë më shumë vetëm në dëm të virtyteve, respektivisht të degëve të tjera ekonomike. Në qoftë se i besojmë kësaj logjike fiziologjike dhe ekonomike, atëherë duhet ta kemi pak a shumë më të qartë pse në mjediset e prapambetura (çfarë është, fjala vjen, Kosova) ka më shumë demagogë të shkathët se gojtarë të talentuar, më shumë fraza të thata, gjeste ekspresive, sjellje dhe të bëra demagogjike se sa mendime të thella, të rëndësishme,
që i ngrisin dhe frymëzojnë pozitivisht qytetarët e tjerë. Përse demagogjia mund të përparojë ashtu shpejt në mjediset e prapambetura?

Nga Rexhep Qosja

Mësuesi dhe teoriku më i shquar i oratorisë, Mark Fabie Kuintiliani, ka vënë në dukje në librin e dymbëdhjetë të veprës së tij të njohur, Edukimi i oratorit, se prirja e gojtarisë është dhurata më e çmuar, me të cilën perënditë e pavdekshëm e kanë dhuruar njeriun. Ky pedagog dhe teorik i famshëm, që me veprën e vet për disa shekuj e ka drejtuar mendimin mbi gojtarinë, nuk është kujdesur të mirret edhe me studimin e një dhurate tjetër, por të padëshiruar, me të cilën perënditë e vdekshëm janë kujdesur ta dhurojnë një pjesë të mirë të gojtarëve dhe, madje, të gjinisë njerëzore: me demagogjinë.

Megjithëse nëpër gjithë veprën e tij e ka theksuar me patos të vërtetë rëndësinë e sinqeritetit, të nderit dhe të karakterit të fortë të gojtarit, duke e pasur gjithnjë parasysh dëmin e madh që mund t’i sjellë shoqërisë gojtaria e njerëzve të pandershëm, ai sikur nuk e ka quajtur të nevojshme t’i studjojë vetitë, prirjet dhe shkathtësitë e demagogëve, e as fenomenin e demagogjisë në shoqëri.
Sikundër është gojtaria prirje e rrallë e disa njerëzve të rrallë, po ashtu është edhe demagogjia prirje e shpeshtë e disa njerëzve të shpeshtë, që mund të jenë, zakonisht,
edhe gojtarë të mrekullueshëm, por, në qoftë se prirja e gojtarisë kërkon aftësinë që të flitet bukur, argumentueshëm dhe bindshëm, prirja e demagogjisë kërkon edhe një sërë
shkathtësishë të tjera, prej të cilave gojtari i ndershëm është doemos i çliruar.
Në të vërtetë, për demagogun prirja e gojtarisë është vetëm një ventil nëpër të cilin manifestohen lirisht dhe efektivisht shkathtësitë, dredhitë dhe ambicjet e tij të errëta dhe në këtë pikëpamje duhet parë ndryshimin kryesor ndërmjet gojtarit të sinqertë dhe demagogut të rrezikshëm.
Në historinë e popujve evropianë mund të gjenden mjaft shëmbëlla që dëshmojnë se disa individë nuk do të ja kishin dalë në krye të krijojnë kariera të larta politike, shoqërore dhe shtetërore sikur prirjen e tyre prej oratori mos ta kishin shoqëruar edhe një varg shkathtësishë të tjera, që i karakterizojnë vetëm demagogët.
Ka njerëz që pandehin, dhe thonë se të gjithë popujt nuk janë njësoj elokuentë e gojtarë dhe këso mendimesh shfaqin ata që, si duket, nuk janë vetë gojtarë të mirë apo vuajnë prej disa paragjykimesh raciste. Nuk ka dyshim se këto pohime mbështeten në përgjithësimin e përvojës individuale, subjektive, prandaj edhe duhet të flaken si të pavërteta për shkak se mund të quhet e sigurtë se të gjithë popujt janë njësoj të aftë të japin gojtarë të shquar apo demagogë të shkathët.
Atij që do të pohonte, për shembëll, se shqiptarët nuk janë gojtarë të mirë do të mund t’i thuhej se fjalimet politike që Fan Noli ka mbajtur qoftë para zgjedhësve ose anëtarëve të parlamentit shqiptar në vitin 1924, qoftë para Kombeve të Bashkuara janë të denja të
hyjnë në secilën antologji të fjalimeve të oratorëve më të mëdhenj të botës.
Është e pamohueshme, ndërkaq, se popujt e vegjël gjatë shumë shekujsh nuk kanë pasur kushte të përshtatshme ta manifestojnë lirisht dhe plotësisht prirjen e tyre oratorike. Duke filluar prej Mesjetës e këndej, kulturat e disave prej këtyre popujve janë krijuar në kushte të veçanta sulmesh dhe robërie, që e kanë penguar zhvillimin normal dhe të pandërprerje edhe të gojtarisë së tyre.
Sikundër është e njohur, gojtaria kultivohet dhe zhvillohet nëpër shkollat,universitetet, institucionet shtetërore, nëpër tribunat e ndryshme politike, juridike, shkencore, artistike e të tjera, që këta popuj nuk i kanë pasur gjer vonë për arësye se nuk kanë pasur lirinë, pavarësinë dhe shtetet e tyre kombëtare.
Po kjo nuk do të thotë se në mungesë të kushteve që ta shfaqin lirisht elokuencën dhe prirjen e tyre të gojtarisë si dhe të nxjerrin ndonjë gojtar të dalluar, ata nuk kanë mundur të nxjerrin ndonjë demagog të dalluar dhe nuk janë ballafaquar me dukurinë e demagogjisë, që u ka sjellë të këqia poaq sa edhe vetë pushtuesit e huaj.
Në qoftë se, megjithatë, demagogjia (dhe gojtaria) ndër këta popuj nuk ka lulëzuar në masën në të cilën ka lulëzuar ndër popujt e tjerë të lirë, nuk mund të thuhet se në pikëpamje të kësaj shkathtësie të vegjlit qëndrojnë edhe sot e gjithë ditën pas të mëdhenjve.
Demagogjia nuk kërkon investime sikundër kërkojnë ekonomia, arësimi, kultura dhe shkenca; ajo zhvillohet vetë dhe, madje, me hov të madh teksa t’i krijohen kushtet e volitshme shoqërore, sociale dhe politike; ajo mund të financohet prej vetëvetes,
ashtu sikundër e financojnë vetëveten të gjitha sëmurjet infektive dhe të ushqehet prej vetëvetes, ashtu sikundër ushqehet devja prej gungës së vet. Nuk është çudi, prandaj,
pse përkundër ekonomisë, arësimit, kulturës dhe shkencës së vendeve të vogla, që janë shumë mbrapa ekonomisë, arësimit, kulturës dhe shkencës së vendeve të mëdha, demagogjia në mjediset e të parave, pa dyshim, e ka zënë ritmin e zhvillimit të demagogjisë në mjediset e të dytëve.
Demagogjia, si sëmurje shoqërore, gjithmonë zhvillohet në dëmin e shëndetit të shoqërisë; një ves, sikundër edhe një degë e ekonomisë, mund të përparojë më shumë vetëm në dëm të virtyteve, respektivisht të degëve të tjera ekonomike. Në qoftë se i besojmë kësaj logjike fiziologjike dhe ekonomike, atëherë duhet ta kemi pak a shumë më të qartë pse në mjediset e prapambetura (çfarë është, fjala vjen, Kosova) ka më shumë demagogë të shkathët se gojtarë të talentuar, më shumë fraza të thata, gjeste ekspresive, sjellje dhe të bëra demagogjike se sa mendime të thella, të rëndësishme,
që i ngrisin dhe frymëzojnë pozitivisht qytetarët e tjerë. Përse demagogjia mund të përparojë ashtu shpejt në mjediset e prapambetura?
Me ndryshim prej mjediseve të përparuara, ku qytetarët janë më të ngritur, më të arësimuar, prandaj edhe më të pregatitur shpirtërisht që ta dallojnë gojtarin e ndershëm
prej demagogut perfid, në mjediset e prapambetura demagogjia mund të lulëzojë më shpejt për shkak se qytetarët janë më të paemancipuar dhe u nënshtrohen lehtë kulteve
dhe autoriteteve të rrejshme.
Fusha vepruese e demagogëve në këto mjedise është shumë më e gjerë, prandaj, duke i
aktivizuar lirisht të gjitha shkathtësitë e tyre, i sendërtojnë më suksesshëm qëllimet e tyre të dëmshme. Armët kryesore të demagogut: fraza, sharmi artificial, vetëmohimi i rrejshëm, autoriteti i përkohshëm dhe, në fund, lidhjet e gjera në nivele të larta këtu tregohen shumë më efektive se tjetërkund.
Mund të pohohet jo pa të drejtë se lulëzimi i demagogjisë në këto mjedise përputhet me lulëzimin e demagogjisë në botën e sotme përgjithsisht dhe është një stil universal në jetën shoqërore dhe politike të njerëzve ashtu sikundër është bërë një stil universal edhe ndërtimi në arkitekturë.
Krahas përsosjes së sistemeve shtetërore, të pasurimit të formave të marrëdhënjeve shoqërore, të shtimit të mundësive të shprehjes së njerëzve, në njërën anë, kurse të zhdukjes së disa normave tradicionale e të mungesës së disa normave të reja themelore etike, në anën tjetër, janë shtuar shumë edhe mundësitë e përhapjes së vetë demagogjisë.
Përhapjen e kësaj dukurie e favorizon njëkohësisht edhe vetë situata historike dhe shoqërore: përvoja ka treguar se demagogjia lulëzon posaçërisht suksesshëm në momentet e ngarkuara me probleme shoqërore, politike dhe sociale; në momentet e kthesave të parandjera, kur të gjithë njerëzit ndjejnë një pasiguri dhe përpiqen të grabisin sa më shumë për nesër; në momentet jostabile historike, kur shpërthejnë
ambicje dhe pasione të ndryshme. Konteksti shoqëror, social dhe politik, pra, është një prej faktorëve të dorës së parë që e stimulon lulëzimin e demagogjisë.
Sot nuk mund të flitet më për një demagogji klasike as për demagogë të tipit klasik, megjithëse esenca e demagogjisë mbetet gjithmonë e njëjtë. Demagogjia është modernizuar sikundër letërsia, sikundër piktura, sikundër muzika, kurse demagogët u janë përshtatur kushteve të reja të jetës dhe hutimeve të reja të njerëzve.
Me ndryshimin e formave të marrëdhënjeve ndërmjet njerëzve, kanë ndryshuar edhe format e jashtme të demagogjisë dhe strategjia e demagogëve. Njeriut të ndershëm sot i duhet një kujdes i veçantë vrojtimi, një njohje e mirë e situatës aktuale shoqërore, sociale dhe politike, një intuitë e njohjes së tipeve dhe karaktereve të njerëzve që të dallojë llafazanin e pafajshëm prej demagogut të
shkathët, idealistin naiv prej egoistit të pangopshëm, sharlatanin qesharak prej sadistit të vetëdijshëm, injorantin prej mendtarit, strategun prej oportunistit, njeriun e vendosur, të ndershëm prej poltronit, që hiqet zvarë si kobrat afrikane. Dhe është vështirë t’i dallojë për shkak se në këtë kohë të integrimeve të punës dhe të interesave të njerëzve të grupeve dhe shtresave të ndryshme si oratori i sinqertë ashtu edhe demagogu i rrezikshëm marrin pjesë nëpër të njëjtat mbledhje të organizatave shoqërore, të organizatave ekonomike, të kolektiveve shkencore, arësimore, kulturore, e të tjera. Ata, madje, mund t’i shfrytëzojnë me të njëjtën të drejtë dhe të njëjtin sukses mjetet e ndryshme të informimit sikundër janë shtypi, radioja, televizioni, e të tjera. Demagogjia, me një fjalë, ka zbritur edhe poshtë, në masën. Për këto arësye duhet ditur çka e dallon demagogjinë prej gojtarisë, gojtarin prej demagogut.
Përkundër gojtarit, që gjithmonë është indiferent ndaj interesave të ngushta, vetiake, për arësye se aspiron të shprehë vullnetin dhe ndjenjat e përgjithshme, demagogu, po ashtu, aspiron të shprehë vullnetin dhe ndjenjat e përgjithshme, por duke menduar në radhë të parë për veten dhe interesat vetiake. Gojtari përpiqet të ngadhnjejnë idetë, bindjet e tij, që janë ide dhe bindje që prezentojnë interesat kolektive, kurse demagogu përpiqet të ngadhnjejnë idetë e zbrazta, që përfaqësojnë vetëm interesat e tij ose të grupit të njerëzve rreth tij.
Gojtari mbron të vërtetën dhe të drejtën e përgjithshme sociale, shoqërore, kombëtare apo, më në fund, njerëzore, kurse demagogu mbron gënjeshtrën që shfaqet me etiketën e së vërtetës dhe të drejtës kolektive. Gojtari është i gatshëm të flijohet në emër të drejtës dhe të së vërtetës që mbron, ashtu sikundër janë flijuar, apo treguar të gatshëm të flijohen, Jan Husi, Xhordano Bruno, Luçilio Vanini e shumë të tjerë, kurse demagogu
tërhiqet teksa të gjendet në situatë të rrezikshme.
Gojtari me oratori shtron platformën e perspektivës së popullit, kurse demagogu me fraza ndërton trambolinën e perspektivës së tij.
Gojtari është një luftëtar që shkon në betejë, i vetëdijshëm se në fushën e luftës mund të vritet, kurse demagogu është një dasmor, që shkon në dasmë i bindur se do të dëfrehet mirë.
Gojtari është ideolog i ndershëm, kurse demagogu është oportunist i gatshëm.
Gojtari është moralist, që edukon popullin, kurse demagogu është kodosh social, që kobon popullin.
Gojtari i mirë është mendar, kurse demagogu është sharlatan.
Gojtari është altruist, kurse demagogu është mizantrop.
Gojtari është demokrat, kurse demagogu është diktator në shpirt.
Gojtari mendon për qëllimin poaq sa edhe për cilësinë e mjeteve me të cilat do ta sendërtojë atë qëllim, kurse demagogu interesohet vetëm për qëllimin duke mos menduar për çfarësinë e mjeteve që do të përdorë në realizimin e tij.
Nuk ka demagog që nuk i përmbahet parimit të njohur makiavelist: qëllimi gjithmonë i arësyeton mjetet.
Demagogu është i gatshëm që gjer tek majet e famës dhe të interesit të ngjitet duke shkelur nëpër shkallët e nderit, të interesit dhe të meritave të të tjerëve; shkallë të ngjitjes së demagogut mund të jenë, madje edhe kufomat e sivëllezërve të tij. Për demagogun njerëzit e tjerë janë grumbuj të thjeshtë termitesh, që mund t’i djegë me ujë të valë apo t’i shtypë me thembër sa herë i shfaqet nevoja. Në horizontin e tij të ngushtë demagogu sheh ose vetëm karrigën në të cilën do të ulet, ose vetëm aureolën e famës me të cilën do të jetë i mbështjellë, ose vetëm kuletën, të cilën do ta mbushë, ose vetëm fuqinë, të cilën do ta shfrytëzojë për manipulimin e të tjerëve, ose, sikundër ngjet jo rrallë, të gjitha këto bashkarisht.
Kjo do të thotë se ashtu sikundër mund të kenë ambicje, aftësi dhe pasione të ndryshme, po ashtu demagogët mund të zbatojnë edhe strategji të ndryshme. Është e kuptueshme, prandaj, pse mund të flitet për demagogë të mëdhenj dhe të vegjël, shumë të rrezikshëm dhe më pak të rrezikshëm, e të tjera.
Ja disa tipe demagogësh të kalibreve dhe të strategjive të ndryshme.
Demagog, fjala vjen, është ai që në njërën anë predikon marksizëm-leninizmin, që predikon barazinë sociale, që betohet në Marksin dhe Leninin sikundër klerikët në librat
e shenjta, kurse në anën tjetër ndërton kështjellë të madhe për familjen e tij të vogël, ose blen dyqan në qendrën e qytetit të vendlindjes, ose ndërton vilë në bregdet. Duke mbrojtur gjoja të drejtën dhe mirëqenjen e shumicës, ai në të vërtetë krijon standardin dhe mirëqenjen vetiake.
Demagog është ai që duke drejtuar ndërmarrjen, ose ndonjë repart të ndërmarrjes flet për të drejtat e punëtorëve, ndërsa po ata punëtorë i shfrytëzon në ndërtimin e shtëpisë
së tij private.
Demagog është ai që në rrugë, në kafene apo në dasmë flet në emër të popullit, tregohet patriot, kurse patriotizmin e tij nuk është i gatshëm ta tregojë me punë. Në këtë mënyrë shfrytëzon një prej monedhave më të eksploatuara të të gjithë demagogëve, të mëdhenj dhe të vegjël: dashurinë e njerëzve të ndershëm ndaj atdheut.
Demagog është ai që bëhet martir kur nuk është martir për shkak se duke e treguar veten të martirizuar dëshiron të zgjojë mëshirën e të tjerëve.
Demagog është ai që vazhdimisht i kritikon njerëzit e dalluar, në një fushë veprimtarie. Në këtë mënyrë ai zbaton një devizë, po ashtu, të njohur të demagogëve: duke e zvogëluar tjetrin mund të dukesh vetë më i madh.
Demagog është ai që thotë se e ka braktisur punën shkencore për shkak se mund të jetë më i dobishëm në organizimin e punës shkencore të të tjerëve.
Demagog është ai që thotë se e ka lënë punën letrare për shkak se është më i dobishëm si punëtor shoqëror dhe politik. Edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë demagogjia është preteskst nën të cilin fshihet steriliteti krijues.
Demagog është ai që në mbledhje nuk diskuton në gjuhën e nënës, duke thënë se është më demokratike të diskutojë në gjuhën të cilën e kuptojnë të gjithë të pranishmit. Në këtë mënyrë ai dëshiron t’i bëjë lajka një auditori më të gjerë.
Demagog është edhe ai që në momentin e duhur nuk diskuton fare, por i thotë tjetrit të diskutqjë. Me një taktikë të tillë ai kujdeset të ruajë pozitën e vet apo t’i shtojë gjasat edhe për një pozitë më të lartë.
Demagog është ai që diskuton vetëm për të diskutuar, që flet vetëm për t’ju dëgjuar zëri. Me diskutimin e vet frazeologjik ai në të vërtetë vetëm sa dëshiron t’ju bjerë në sy atyre prej të cilëve varet kariera e tij.
Të gjithë demagogët dhe të gjithë demagogët e të gjitha kohëve dhe të gjithë demagogët e të gjithë popujve i karakterizon ambicja që të flasin sa më shumë, sa më shpesh sa më bukur; që të flasin para një auditori sa më të gjerë dhe, madje, para një auditori sa më të rëndësishëm. Është e kuptueshme, prandaj, pse një pjesë e madhe e demagogëve janë njëkohësisht llafazanë të mëdhenj, ashtu sikundër është e kuptueshme pse demagogjia është hije përcjellëse e gojtarisë.
Edhe demagogjia është një materie interesante dhe inspirative për shkrimatarët. që dëshirojnë të mirren me trajtimin e sëmundjeve shoqërore dhe të veseve morale
të individëve. Në kohën e sotme prototipet e demagogëve janë të shumta, prandaj janë të gjera dhe mundësitë e shkrim tarëve që të krijojnë tipe të llojllojshme të këtyre mashtruesve të demosit të pafajshëm. Shkrimtarët e shekujve të shkuar dhe të popujve të tjerë i janë vërsulur shpesh demagogjisë dhe kanë krijuar personazhe të paharrueshme demagogësh, që na shërbejnë si modele për zbulimin e disa cilësive themelore të demagogëve bashkëkohorë.
Duke i demaskuar demagogët, ata kanë krijuar vepra të rëndësishme artistike, në njërën dhe e kanë ndihmuar popullin të ruhet prej strategjisë dhe gënjeshtrave të këtyre
kobashëve, në anën tjetër. Kështu, për shembëll, komediografi më i shquar i Greqisë antike, Aristofani, gati gjithë krijimtarinë e vet të frytshme letrare ja ka kushtuar kompromitimit të demagogeve, që në kohën e tij ishin shtuar jashtëzakonisht shumë. Komedia e tij, Burrecët, ndofta, është një prej veprave më të mira që ndonjëherë është shkruar mbi temën e demagogjisë. Viljem Shekspiri, gjithashtu, e ka prekur demagogjinë, kurse Mark Antoni i tij, në tragjedinë Jul Qesari, është ekzemplar interesant i demagogut të shkathët dhe të rrezikshëm. Ndër shkrimtarët tanë, ndërkaq, prozatori i shquar, Shevqet Musaraj, është përpjekur në romanin Para agimit të zbulojë demagogjinë e disa intelektualëve shqiptarë në kohën e luftës së fundit, megjithëse vetë tema e demagogjisë nuk ishte frymëzimi i tij kryesor.
Të gjithë shkrimtarët që janë frymëzuar prej demagogjisë dhe janë marrë me krijimin e tipeve të demagogëve na kanë lënë një porosi të rëndësishme: demagogëve duhet t’u ruhemi, por edhe të besojmë se të gjithë ata ja pregatisin varrin vetëvetes.
Demagogët e çojnë jetën në mirëqenje, por të gjithë e përfundojnë në turp. Urdhëroni, prandaj, shokë shkrimtarë dhe shkruani për demagogjinë dhe demagogët e kësaj kohe edhe në qoftë se ndonjëri jush vuan ngapak prej disa veseve të vogla demagogjike. Urdhëroni, shkruani për demagogët dhe mos u tutni prej tyre për shkak se, edhe në qoftë se ndonjë demagog ju nxjerr në gjyq, të jeni të bindur se në atë mënyrë do ta shtojë famën tuaj para popullit dhe breznive të ardhshme.
Besoj të jemi dakord se shkrimtarët, së paku në flakën e fjalës, duhet t’i djegin bartësit e sëmurjeve shoqërore, duke shpresuar se vetë shoqëria do t’i djegë ata një ditë edhe në flakën e barotit.

1971

*Shkëputur nga “Panteoni i rralluar”, Rilindja, 1973

Përgatiti: ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

REXHEP QOSJA: PSIKOLOGJIA E MEDIOKRITETEVE

REXHEP QOSJA: ESTETIKA E SNOBIZMIT