Rexhep Shahu: Ku është koka e Havzi Nelës?

Nga Rexhep Shahu*

Është fat i jashtëzakonshëm dhe privilegj i rrallë për mua ta çeli këtë ceremoni historike nderimi për Havzi Nelën, heroin e parë të vërtetë vendas, që nderohet me bust të vogël në këtë qytet të vogël që prodhon histori të mëdha guximi, sakrifice e krenarie.
Havzi Nela, është njeriu e poeti më antikonfromist, që qëndroi, që nuk iku, që nuk tha më fal, që nuk kërkoi mëshirë, që nuk u jargavit, që nuk vdiq në krevat, që nuk u vra duke ikë, që tha hapur nuk ju dua, që tha po, kam folur kundër e jam kundër sistemit komunist, i kam thënë të gjitha çfarë thoni ju, çfarë të doni ju. Falë tij Kukësi quhet qytet i poetit të varur.
I dashur Havzi,
Ti pate jetë e fat të jashtëzakonshëm.
E jetove lirinë dhe burgun me shumë nxitim.
Të gjithë ishin kundër hyrjes në kooperativë, kundër ndërrimit të veshjeve të traditës, kundër ndalimit të fesë por ndërsa të tjerët përshpërisnin e heshtnin, ti u shprehe kundër me zë të lartë në mbledhje.
Pas kësaj u arratise në Prizren e u dënove për arratisje, që quhej tradhëti ndaj atdheut me 15 vjet burg, u ridënove në Rreshën me 8 vjet burg se the në Amerikë e në Europë ka liri e demokraci, u dënove me varje në litar se plagose policin që erdhi të të merrte për në polici se ishe arratisur nga Arrni, vendi i internimit.
Bëre 20 vjet burg, një vit internim dhe të varën në litar me akuzën më të rëndë, terrorizëm. Jo plagosja por edhe vdekja e policit nuk mund të jetë terrorizëm. Partia shtet që urdhëroi të dënoheshe me varje në litar i dinte ato punë. Partia vendoste për gjithçka në ato kohë kur parulla kryesore ishte: Partia – Shqipëria.
Nuk kishte gozhda atë mesnatë të 10 – 11 gushtit 1988, ishin dyqanet mbyllë ndaj nuk të mbërthyen me gozhda por gjetën një copë tërkuzë, një copë litar dhe të varën me të. Më lehtë, më pak punë me të varë se me të gozhdue si Krishtin.
Vdekjen e jetove më tmerrshëm Havzi.
Kur të varën ishe vërtikalisht si predhë rakete plot zemërim drejtuar qiellit.
Ike horizontalisht nga ky qytet drejt varrit natën mbi karrocerinë e një makine tip “Zis”.
Të varrosën pingul, vertikalisht në këmbë në një gropë të hapur shtylle elektrike.
5 vjet e jetove vdekjen pingul në këmbë në atë gropë shtylle. Nuk të shtrinë në varr si gjithë të vdekshmit e botës, nuk ti dhanë dy metër vend për varr, por të dënuan që edhe i vdekur të rrije në këmbë, edhe vdekjen ta jetoje në këmbë në gropë shtylle. Ky është një krim i jashtëzakonshëm i dënuar nga çdo kod penal në botë.
Ti je pa kokë në varr Havzi. Të kanë gjetë pa kokë 5 vjet pas varjes, në gropën e shtyllës që ishte varri yt pingul, varri yt vertikal. Kush ta ka marrë kokën Havzi? Kujt i teproi koka jote? Unë nuk e di. A thua shpendët ta kanë ngrënë kokën. A thua aty në atë shpat përroi ku të ngulën në gropë shtylle – varr ka ardhë ndonjë shqiponjë dhe ta ka marrë kokën, apo kafshët e egra të pyllit. Kur të gjetën të ngulur në gropën e shtyllës me 20 gusht 1993, të gjetën pa kokë, dhe të rivarrosën pa kokë në Kollovoz.
Ndoshta atë mesnatë të 11-12 gushtit 1988 i ke dalë tepër gropës së shtyllës ku të mbollën. Ndoshta koka jote ka dalë tepër… Ndoshta gropa e shtyllës ka qenë më pak e thellë se sa duhej dhe koka jote ka dalë tepër. Ndoshta, ndoshta, ndoshta.
Nuk besoj Havzi se kokën tënde e ka kërkuar Sulltan Ramiz Alia…
Varrim i rrallë ky lloj varrimi pingul dhe ti të rralla i ke gjithë bëmat Havzi.
Trupi yt në Kollovoz e koka jote nuk dihet ku endet, ky është fati yt i tmerrshëm Havzi.
Ke ikë horizontalisht e sot kthehesh vertikalisht me kokë në piedestal, në fronin e heroit.
Të uroj ndënje të mirë mes nesh, mes gjimanzistëve, mes havzinelsave që krenohen e do të krenohen përditë e më shumë me ty se i bën të guximshëm e krenarë.
Si poet, në emër të shkrimtarëve e poetëve që kanë ardhë të të nderojnë, shpreh falenderim të thellë për Bashkinë Kukës, për kryetarin Bashkim Shehu që e vuri bustin e poetit Havzi Nela, që po ia ndërton shtëpinë e tij të shkatërruar në Kollovoz, që do të mbështesë pelegrinazhin e shkrimtarëve dhe aktivitete të tjera për nder të poetit Havzi Nela me 10 gusht 2018, në 30 vjetorin e varjes.
Shumë thonë fjalë e kopalla antikomuniste e patriotike por pak bëjnë punë të tilla të mëdha që mbeten në histori në këtë kohë pa kujtesë të dalldisë së parullave antikomuniste. Vendosja e bustit të poetit Havzi Nela është shembull guximi, trimërie, pune e nderimi të jashtëzakonshëm për heroin tradicional lumjan, shqiptar, që sakrifikoi jetën për fjalën e lirë, për lirinë.
Shpresoj të jemi modeste gjithsej në këtë ceremoni të thjeshtë e modeste nderimi të këtij njeriu që me jetën e vet na mëson edhe ne “Të kundërshtojmë shumë e të bindemi pak”.
Më në fund, besoj se Havzi Nela shpëtoi prej pronarëve, prej matrapazëve e gjobvënësve të shpifur të antikomunizmës.

Kukës, me 12 qershor, 2018

_____—-

(Fjala e mbajtur në çeljen e ceremonisë së inaugurimit të bustit të poetit Havzi Nela në Kukës, me 12 qershor, 2018)

ObserverKult

—–

Lexo edhe:

LUTJA E NËNËS SË HAVZI NELËS: MOS MA VARNI DJALIN!

Nga Kastriot Dervishi

Në praktikën e Presidiumit të Kuvendit Popullor të shqyrtimit të faljes së jetës, vihet re se Havzi Nela nuk ka bërë kërkesë.

Nëna e tij, Xhevahire Nela, i drejtohet Presidiumit më 26.2.1988. Po atë ditë kanë bërë telegram edhe “motrat, nipat dhe mbesat” e tij. Këtë telegram e ka nënshkruar Refije Vesel Seitaj. Sigurisht, asnjë telegram nuk u mor parasysh.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult