Rexhep Shahu: Në Spaç me Havzi Nelën

spaç havzi nela rexhep shahu

Me 8 qershor 2018, e kam marrë bustin tënd Havzi, tek shtëpia e skulptorit Ilmi Hoxha në Kombinat në Tiranë dhe bashkë me operatorin Esat Çuçllari kemi udhëtuar nga Tirana për në Spaç.
U bëmë katër vetë bashke me ty në makinën time. Unë shofer i yti. Në këtë udhëtim fantastik që i tërbon ata që të kanë inat ty Havzi e më hakërrehen mua ngaqë nuk kanë ç’të të bëjnë ty.
Gjithë rrugës kemi folë ne të dy dhe ka filmuar dhe regjistruar gjithë bisedën tonë Esati.
Fjalët që kemi folë, që kam folë unë, janë derdhë në këtë libër, ndërsa filmin e asaj dite do ta shohësh ndonjë ditë.
Bustin tënd herët në mëngjes Ilmiu e nxori nga shtëpia te makina bashkë me gruan e tij.
Nuk e di pse ndjeva dhimbje për vetminë tënde, për gjithjë jeten tënde dhe mu përfytyrua gruaja jote Lavdija e cila që nga 1962 është me ty, herë afër e herë larg por gjithmonë me ty.
Shkuam në Spaç Havzi, kjo ishte shumë emocionuese për mua. 28 vjet pas diktaturës unë nuk kisha shkuar asnjëherë në Spac. As unë e as shumë si unë. Nuk kisha shkuar për të parë çfarë ishte ky Spaci ku kanë mbijetuar të dënuarit. As në Spaç e as në vende të tjera ku kanë vuajtë e janë poshtrue njerez nuk kemi shkue… Mu dhimbt vetja Havzi e mu dhimbtën të gjithë ata që nuk kanë shkuar në Spac asnjëherë, që as nuk u ka shkuar mendja të shkojnë asnjëherë. Edhe ata që i ka çuar halli a një shërbim atje, por nuk kanë udhëtuar vetë, edha ata mu dhimbtën. Edhe ata që janë paguar për të shkuar atje se nuk kanë shkuar vetë, edhe ata mu dhimbtën.
Kur u ndamë nga Udha e Kombit dhe hymë në udhën për Spaç, nuk e di sa e çfarë kam folë me ty, por më shumë kam folë pa zë për veten e me ty Havzi.
Ti ke “shetitë” në shumë burgje e kampe, por Spaçi në këtë grykë të thellë e të veçuar qenka tmerr. Edhe për kafshët e zogjtë qenka vend i frikshëm. Për turqit që paskan një minierë mbi godinat e burgut nuk e di çfarë është…
Kjo ura këtu për të hyrë në Spaç e lartë dhe shumë e frikshme më tmerroi. Mu bë se kjo urë e frikshme ishte e vetmja mundësi për të lidhë jetën me vdekjen. Përtej urës, në Spaç ishte mbretëria e vdekjes, këtej urës mbretëria e jetës.
U ndalëm këtëj urës dhe e shihja atë. Më shkaktoi frikë ajo urë.
Gjithë kohës, veç sa flisja me ty për kameran Havzi, mendoja gjëra të tjera shpesh.
Havzi, ka shumë urrejtje, ende shumë urrjetje ndër ne, shumë përbuzje e mospranim. Po thellohet hendeku mes të dënuarve dhe jo të dënuarve, po thellohet mospranimi edhe tri dekada pas shembjes së diktaturës. Sepse kanë dalë ca zëdhënës të paautorizuar të të përndjekurve realë dhe duan pushtet, duan pushtetin dhe mallkojnë gjithë të tjerët…
Kujtoja fjalët e tua që ia thoje në burg Ismail Didës së Përbregut me të cilin udhëtove në një veturë kur të kthyen nga Prizreni e të këmbyen pasi u arratise në 1967. Vitet e fundit të burgut ja si i thoje Ismailit:
“Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri. Por kena me mbyll shumë gjana dhe kena me veprue si u ka hije njerzve me mend. Përndryshe nuk e merr vetin kurrë Shqipëria. Gjaku me gjak nuk lahet se bahet një pellg tjetër gjaku që s’e lan e s’mundet me e la kurrë të parin”
Besoja dhe kështu ndodhi Havzi. Të dënuarit që dolën nga burgjet komuniste nuk morën hak. Jam mrekulluar në fakt gjithë këto vite me këtë madhështi të të dënuarve politikë shqiptarë. Por duket se ata që nuk ishin politikë por ordinerë dhe u fshehen mes të dënuarve politikë, ata njollosin të dënuarit realë politikë…
Pastaj gradualisht mësova për lidhje e ndërlidhje e martesa e bashkime mes të denuarve e xhelatëve të dikurshëm, mes viktimave e xhelatëve. Kjo e komplikoi luftën politike por e futi në rrjedha normale jetën.
Kujtova gjithmonë se të denuarit politikë shqiptare e kishin kuptuar se nuk i kishte dënuar individi, kojshia, lagjja, ndërmarrja, brigada, por i kishte dënuar partia, politika, vija e partisë.
Besoja e besoj ende shumë se të dënuarit politikë shqiptarë nuk fajësonin policin apo bashkëpunëtorin e operativit që i thonë spiun në përditshmëri, nuk fajësonin ekpertizë bërësit kur i porosiste apo kërkonte ekspertizat gjykata, prokuroria apo hetuesia sepse për një njeri që i ishte prerë kostumi i burgut, ishte formalitet proceduarial bërja e ekspertizës. Në mos njëri, tjetri do e bënte ekspertizën ose shkonte tek vendi si I padevotshëm për partinë… Nuk ishte kollaj të refuzoje asgje që kërkonin organet e punëve të brendëshme. Të gjithë ata që bëhen e shpallen sot refuzues a kundërshtues janë gënjeshtarë e mashtrues. Edhe sikur të ishe brenda organeve të sigurimit, të hetimit, të prokurorisë apo gjykatës, nuk mund të ishe trim të thoje jo. Sepse jo do të thoshte dënim. Denimi yt do të thoshte denim i familjes, fisit në shtatë breza. Ndaj trimnia kishte vdekë me përjashtime tejet të rralla si puna jote Havzi që luaje me vdekjen. Ti guxoje e dije e mundje të thoje jo. Por si ti nuk kishte shumë.
Sot Havzi pas tri dekadave ndizen shpash vatra zjarri urrejtje. Sot 30 vjet pas diktaturës, ka njerëz që me una zjarri në duar ecin lart e poshte të ndezin zjarre urrejtje. Ka njerëz sot Havzi që ndjehen në terr me jeten e tyre dhe duan të ndezin zjarre urejtje që të ndriçojnë fytyrën e tyre të zezë si nata. Nuk kanë dritë të brendëshme shpirtërore dhe urrjenë…
Njerëz që nuk bënë prokopi, që u mbytën në pazotësi e anonimat, që vuajnë për emër, famë e lavdi, që duan të jetojnë me mëshirën e lëmoshën e të tjerëve, shalojnë fatkeqësinë e tyre dhe rendin të ngrenë pluhur në fushën e shkretëtirës së tyre shpirtërore. Që ne ta shohim pluhurin e tyre. Dhe të flasim për to mundësisht përditë të flasim.
Shkuam në Spaç Havzi dhe aty përjetova emocione të papëshkrueshme. Të thashë, ja, të solla tek “sarajet” e tua Havzi.
Havzi, unë e di jetën tënde, besoj e di, jetën publike politike që nga mbledhjet kërcënuese tmerruese para arratisjes tënde në 1967 e deri sot që je bust këtu në makinën time dhe po të çoj në Spaç e pastaj në Kukës, bust që ta bëri Ilmi Hoxha me fonde të bashkisë Kukës që i dha kryetari Bashkim Shehu.
Nuk di asnjë vogëlsi e shpirtvogëlsi tënden por vetem gjëra madhështore, deklarime madhështore. Thonë që ke qenë nervoz, çakmak, çapraz, emocional, por unë nuk e di. Unë di tani si rrallëkush tjetër veprën tënde madhështore në shtatë fletore me 5548 vargje që nuk e dinë njerzit, nuk e ka parë askush me vemendje e dashuri deri sot e aq më pak për ti botuar siç po bëj unë me mbështetjen e mikut tim e tëndit Flamur Hoxha që ma ka dhënë fjalën.
U tmerrova kur në të majtë të përroit pashë varrezën e të burgosurve që vdiqnin ose i vrisnin aty e Spac. U trondita e u frika nga ajo varrezë. Sa doja te bëhesha zog të shkoja tek ato varreza pa emra përtej përroit. Të ulesha në gjunjë aty e të heshtja. Sa njerez janë aty që as familjet e tyre nuk e dinë se ku i kanë. Se nuk kemi aq respekt ne për ata që kanë vdekur, nëse nuk kemi interes për të vdekurin, nëse nuk fitojmë prej tij. Havzi, ka patur edhe njerëz të vetmuar njeri pa njeri në burgjet tona, njerëz që nuk u binte askush mbrapa se nuk kishte kush ti ndiqte…
Pashë bashkë me ty vendet ku kanë qenë parullat, vendin ku ka qenë fotrografia e Enverit. Pashë vendet e kontrollit, pashë vagonin, pashë shumë gjëra, shumë. Unë kam punuar në galeri dhe e di minierën, kam punuar në gjeologji dhe e di. Por unë shihja më shumë se sa shihet aty, më shume se sa ka aty…
Të shihja ty Havzi të gjallë duke ecë, duke hyrë e duke dalë. Ti ishe imponues për të gjithë, tek të gjithë. Ishe imponues sepse ishe burrë i fuqishëm, burrë i bukur, i guximshëm, trim, i heshtur.
Unë të thashë se të solla te sarajet e tua këtu në Spaç se këtu ti ke qënë njeri i njohur, shumë i njohur.
Havzi je i vetmi që ke shkuar në burg flakë për flakë poezi për herojtë e revoltës së Spaçit të 21 majit 1973 që zgjati 3 ditë.
E ke shkruar në burg historinë, në poezi, ato ditë e jo pas burgut… 70 të burgosur u arrestuan dhe u rigjykuan se morën pjesë në protestë, 8 të burgosur të tjerë u ridënuan me nga 25 vjet burg. Katër nga të burgosurit Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai u dënuan me pushkatim, duke u bërë herojtë e tu Havzi.
Ti ke shkuar direkt në burg ato ditë, nuk ke shkuar pasi ke dalë nga burgu e pasi të kanë sistemuar në një punë apo post. Ke shkruar flakë për flakë se ishe poet jo pahiri, ishe poet antikomunist në burg e jashtë burgu.
Ja si shkruaje për revoltën e Spaçit e herojtë e saj që u pushkatuan: “Skënder Daja e Pal Zefi / Dervish Bejko vrullin mori / Si n’furtunë kur fryhet deti, / U tmerrue prej nesh mizori / U ngërdhesh e dhambët nxori.”
Kam menduar për ty Havzi shumë kohë, por më me intensitet atë ditë në Spaç.
Ajo që kemi teme të rënde ne është pyetja që shtroj unë, a je dënuar se ke patur mendime e veprime e shkrime e fjalë kundër partisë e regjimit, se ke qenë kundër partisë, dhe të kanë futë në burg duke plotësuar procedurat e formalitetet, apo të kanë marrë në qafë se ti nuk ke qenë kundër partisë, nuk ke veprimtari anti parti, nuk ke shkrime e mendime e poezi a letërsi kundër partisë e sistemit komunist, por të kanë spiunuar, kanë gjetur ca viktima i kanë urdhëruar e të kanë shti në burg me të padrejtë.
Kjo është vija ndarëse mes antikomunistëve.
Ti Havzi ke arritë të thuash, unë kam thënë çfarë të thoni ju, çfarë të doni ju se unë jam kundër jush e nuk ju dua.
Të tjerët që nuk janë në këtë lartësi e madhështi heroizmi e antikomunizmi, duket duan të gjejnë shkaktarët që i kanë futë në burg me të padrejtë se ata nuk kanë qenë antikomunistë, nuk kanë menduar kundër partisë e pushtetit popullor dhe kanë kërkuar mëshirë, kanë kërkuar falje në gjyqe duke thënë jo nuk është ashtu e kështu…
Havzi, është çeshtje gjeneralësh e ushatësh. Ti je gjeneral me gjithë yjet e mundshëm, e dikush tjetër është ushtar i rëndomtë anipse tri dekada pas shembjes së diktaturës dëshiron të vishet gjeneral i asaj kohe. Por jo eshtë i vogël për atë uniforme e nuk ka supe për grada morali.
Havzi, 28 vjet pas diktaturës erdha me ty në Spaç. Shumë vonë!
Je kampion për këtë ardhje këtu, askush tjetër nuk ka ardhë si ti në bronz në Spaç. Askënd nuk e kanë sjellë në bust këtu. Unë të solla ty dhe jam krenar që më shkoi mendja për ketë gjë. Edhe mburrem.
Pas Spaçit ku ti po e sheh për herë të fundit këtë varr gjigant të hapur për të cilin nuk ka asnjë kujdesje se nuk ka kujdesje për sakrificën tuaj nga ne të gjallët.
Havzi po të them këtu në Spaç se nuk ka ndryshuar shumë gjë nga ajo kohë në jetën tonë. Nuk ka më Spaç e kampe e burgje të tilla në realitet nëpër Shqipëri, por të jesh i sigurtë se ka kampe e burgje më të tmershme në kokat e shumë njerzve. Ka shumë urrejtje Havzi. Ka shumë hipokrizi, shume shtirje, shumë komunizëm, jetojmë në socializëm të vertetë.
Rolin e organizatave të masave që me urdhër e porosi të partisë të bënin gjyqe publike që të hiqnin triskën e fronit apo teserën e rinisë, që të përjashtonin nga partia apo nga rinia, apo të hiqnin të drejtën e racionit për ndonjë produkt, e kanë marrë shpesh OJQ apo OJF të ndryshme që duan domosdo të jenë si organiztat e Partisë së Punës, të kenë nga qeveritë kopetenca emërimesh e shkarkimesh, gradimesh e zhgradimesh, të shpallin heroj e dëshmorë, të shpallin të denuar e të padënuar, të shpallin spiuna e jo spiuna. E në të shumtën e rasteve Havzi, spiuna e njerëz ordinerë i udhëheqin këto shoqata banale që kanë synim të vene gjoba dhe të marrin zyra në godinën e Komitetit Qëndror ose në godinat e institucioneve qëndrore të dikurshme të Partisë së Punës.
Gjithçka gjykohet si në socializëm.
Bashkangjiten lloj lloj maniaku dhe bëjne akuza publike pa doganë pa prova, duke shkelur çdo etikë ndaj gjithkujt duke abuzuar me lirinë e të shprehurit në rrjete sociale ku askush nuk pengon askënd të shpifë duke u shfaqur si anonimë që të vrasin pas shpine.
Maniakët shpallin heroj kë duan dhe shpallin akuza e të pavërteta bastarde.
Havzi po ndodh shpërdorimi më i madh i lirisë.
Këta lloj shoqatash e eksponentë lokalë politkë apo inferiorë në qendër shpallen sikur ata janë pronarë të të përndjekurve politikë ndërsa vetë janë ordinerë dhe mendojnë se ata kanë tagrin të shpallin herojtë, të japin leje kush, kë, cili, duhet e lejohet të dojë e nderojë të përndjekurit politikë, herojnë, martirët…
Kush din shkrim e këndim kush ka një fëmijë emigrant që i siguron bukën e kosin, bëhet mentar, historian, shkrimtar, poet dhe akuzon gjithkënd pa mundur të flasë një fjalë për veten e tij të thotë kush jam e nga vij. Të gjithë i dinë të gjitha gjërat e të gjithëve por askush nuk i di gjërat e veta. Sa më analfabetë që janë aq më të paskrupullt janë, aq më të sigurtë janë në injorancën e ligjërimet e tyre ngatërrestare.
Havzi, aq i mbushur jam këtu në Spaç sa nuk e di ta them, nuk e mendoja kurre këtë vend, këtë tmerr.
Ikim nga Spaçi me Ilmiun e Esatin. Bëmë shumë foto. Dikush shqetësohet për këto foto.
Një gjë kam vu re Havzi, anonimët janë më shumë të shqetësuar për bustin tënd, për “shëtitjen” që bëmë dhe disa individë nga familje me precedentë moralë ose nga familje shumë komuniste me të kaluar të palavdishme, shumë socialiste, por të pashkolluar, pengje të veprave të ndryshme të prindërve të tyre që ne na vjen zor t’ua kujtojmë po ata sikur krenohen me poshtërsitë e prindërve të tyre dhe kështu i bie që viktimës i vjen turp e xhelatit jo.
Udhëtojmë për Kukës nga Spaçi. Në Kukës do të vihesh e ngrihesh në piedestal në bulevardin qëndror para gjimnazit, vendit më të populluar nga rinia e qytetit.
Ne tre te tjerët përsëri do mbetemi në tokë, të vegjël, ngatërrestarë dhe do ta jetojmë këtë kohë socializmin në mendjet tona që na ka lidhë me prangat e urrejtjes, prangat e njeriut të ri që ndërtoi për gjysmë shekulli partia komuniste e punës së Shqipërisë.
Havzi, sa të vështirë e kam të shkruaj e të kuptohem nga fëmijët e mi. Unë shkruaj si në socializëm e fëmijët e mi nuk më kuptojnë, duhet t’ua spjegoj, se nuk më besojnë. Por unë nuk kam durim të spjegoj kaq hollësira. Ngaqë i dimë vetë kujtojmë se duhet ti dinë të gjithë brezat pasardhës problemet tona, brengat tona, mënyrën tonë hipokrite të jetesës në socializëm e edhe sot.
Askush nuk hesht si fisnik, askush nuk mendon se kanë kaluar 30 vjet dhe janë shëruar shumë gjëra. Jo dikush kërkon të poshtrojë të tjerët se jeton vetë me poshtrim , don të jetojnë të gjithë me poshtrim.
Dhe më hipokritët dalin e bejnë qortimin publik ndaj çdo kujt, më të paditurit bëjnë qortimet më të mëdha dhe shoqëria zhurmohet nga llafazanët, shoqëria po kalon një fazë të rëndë e të tmerrshme tallavaje ku hajduti më i madh konsiderohet më i shkathëti, i shkathëti më i madh, kopuku, konsiderohet i zoti, më i zoti, dallavarexhiu është më i shkathëti, imorali është më i nderuari, maniaku ndiqet si muti nga mizat.
Gjithçka shitet e blihet Havzi, nderi, dinjiteti, fama, lavdia, emri, kariera. Ka një rendje të llahtarshme drejt pasurimit të pandershëm, të shpejtë, të beftë dhe synimi i vetëm është lavdia, fama, kariera se te gjithë sjellin para, para, para. Jo nder as dinjitet as qetësi as paqe të brendëshme për njeriun.
As lirinë nuk e kemi më aq shumë të nevojshme e të domosdoshme, duam të kemi vetëm të kemi, të jetojmë në kamje dhe kjo na mjafton si liri, kamja, pasja me bollëk…

(Fragment nga libri: Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën)

ObserverKult