Franz Kafka: E dua atë rrugë që nuk më çon te ty… por diku në vetmi!

Ti më keqkupton...
Franz Kafka dhe Milena Jesenská

Milena Jesenska ishte e martuar kur, në vitin 1920, i shkroi Kafkës një letër ku i kërkonte të përkthente një nga librat e tij. Ajo letër ishte pikënisja e një korrespondence sa filozofike, aq edhe pasionante.

Franz Kafka vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre pasi Milena nuk pranoi të linte të shoqin. Pas vdekjes së Kafkës, letrat që shkrimtari i kishte dërguar Milenës ia dha Max Brod-it, i cili i botoi në vitin 1952 me titullin “Letra Milenës”.

Por letrat që Milena i dërgoi Kafkës nuk u gjetën, me shumë mundësi ato ishin shkatërruar.

Më poshtë është një prej letrave që Kafka i ka shkruar Milenës, ku shprehen të gjitha ndjenjat që ai përjeton:

(Meran, 12 Qershor)
E shtunë


Ti më keqkupton disi, Milena, ndërsa unë jam pothuajse në një mendje me ty. Nuk dua aspak të hyj në detaje.

Nuk mund ta them akoma, a do të vij në Vjenë, por besoj se nuk do të vij. Nëse më parë kisha shumë arsye për të mos ardhur, sot do të kisha vetëm një dhe pikërisht që kjo tejkalon fuqinë time shpirtërore dhe mbase edhe një arsye tjetër dytësore, faktin që kështu është më mirë për të gjithë ne. Megjithatë, do shtoj që për mua do të ishte po aq kapërcim fuqish ose edhe më tepër, nëse ti, në rrethanat që përshkruan (Duke lënë dikë të presë), do të vije në Pragë.

Nevoja për të mësuar atë, që do të më thuash që prej 6 muajsh, nuk është një nevojë e momentit. Jam i bindur që është diçka e tmerrshme (…rreth 15 fjalë të palexueshme…) jam i bindur që ke përjetuar ose edhe bërë gjëra të tmerrshme, jam i bindur që po ta kisha përjetuar, ndoshta nuk do të mund ta duroja (edhe sikur të mund të duroja gjithçka rreth 7 vjet më parë) jam i bindur gjithashtu, që nuk do të duroja ta përjetoja as në të ardhmen -mirë, por çfarë do të thotë e gjithë kjo, a janë thelbësore për mua përvojat dhe veprat e tua apo më mirë ti vetë?

Mirëpo ty të njoh shumë më mirë se veten, edhe pa histori, por me këtë nuk dua të them që nuk e di gjendjen e duarve të mia.

Letra juaj nuk është në kundërshtim me sugjerimin tim, përkundrazi, sepse ju shkruani: do të doja më shumë një rrugë të tretë, që nuk më çon as tek ty e as me atë, por diku në vetmi. Ky është propozimi im, ti ndoshta e shkruan në të njëjtën ditë me mua.

Sigurisht që, nëse sëmundja është në këtë stad, nuk mund ta braktisësh burrin tënd tani, por, siç shkruan dhe ti, nuk është një sëmundje e pafundme; këtë e shkruaje vetëm para disa muajsh, një muaj e më shumë ka kaluar tashmë, pas një tjetri nuk do të jesh e domosdoshme.

Atëherë do të jetë gusht, e shumta shtator. Po ju rrëfej: letra juaj është nga ato që nuk mund ta lexoj menjëherë dhe ndonëse këtë herë i jam kthyer katër herë rresht, nuk jam në gjendje të them mendimin tim, të paktën jo menjëherë. Në fund të fundit, unë mendoj se sa më sipër e ka një vlerë.

 I yti
                                                                                                                    

*Shkëputur nga libri i Franz Kafkës: “Letra e Milenës-Letërkëmbim”

Përktheu: Marsela Lika


Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

FRANZ KAFKA: NUK ËSHTË MË DIMËR… KËSHTU DUA TË MBAROJË ÇDO DITË E IMJA