Ribotohen kujtimet e Drita Agollit, regjisores së parë shqiptare

Në 95-vjetorin e lindjes të Drita Agollit dhe 5 vite nga ndarja nga jeta, u ribotua libri i saj me kujtime “I paemri”, ku pasqyrohet jeta artistike skenike me përjetimet e përvojat e “Artistes së Merituar”.

Në ceremoninë e organizuar në hollin e Universitetit të Arteve merrnin pjesë personalitete të artit e kulturës në vend. Të cilët nderuan regjisoren e parë të teatrit shqiptar të diplomuar në Moskë, aktoren dhe pedagogen Drita Agolli.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, vlerësoi se ky është një libër për të treguar sfidën e grave shqiptare. E që sipas saj, një libër që ishte detyrim moral i Ministrisë së Kulturës.

Studentët e saj, kujtojnë pasionin e Dritës për teatrin, autoritetin e zërin kritik në ‘habitatin’ e mbizotëruar nga burrat artistë, e mbi të gjitha modelin e një gruaje të lirë.

“Kam qenë me fat që kam pasur një profesoreshë mendjendritur. Njeriun më të emancipuar që kam takuar në jetë”, tha regjisori e aktori Mevlan Shanaj.

Ndërsa për regjisorin Kujtim Çashku: “Drita Agolli mbetet në vazhdim, jo për mua si një vdekatar, por për të gjithë njerëzit që në njëfarë mënyre na jepet ky mision që ta përcjellim një kod të caktuar estetik tek të tjerët. Si një vazhdimësi e këtij rrugëtimi që ne kemi me pedagogen tonë të dashur”.

Të pranishme dy vajzat, rrëfejnë jo vetëm nënën shembullore, por edhe artisten plot pasione, edhe më pak të njohura, si dëshira e madhe për të kënduar.

“Në fund, në shtratin e ikjes ajo fillojë të intonojë serenatat e bukura korçare. Por në vend që të thoshte ‘o korçare sa e bukur je’, thoshte ‘o shqiptare sa e bukur je’. Sepse e deshi shumë gruan shqiptare”, thotë e bija, Tamara.

Nga roli i Marielit në vitin 1951 si aktore në dramën “Zëri i Amerikës”, tek vënia në skenë e “Lumit të vdekur” e “ Njeriu, virtyti, kafsha” e Pirandelos, në Teatrin Kombëtar në vitin 2000, karriera e Agollit është një shkollë më vete për brezat që vijnë.

Në emër të saj familja këtë vit i akordon bursën “Drita Agolli” studentit më të mirë të regjisë. Ndërsa Ministria e Kulturës vendosi ta kthejë në një vlerësim të përvitshëm./ATSH


Lexo edhe:

RRËFIMI RRËQETHËS I HUEYDA EL SAIED: ZËVENDËSMINISTRI MË NDAU NGA BABAI, E PASHË PAS 16-VJETËSH

ObserverKult