Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, i njëjti roman, veçse me titullin “A-Zh: vetëtimat e nëntorit“, qe shtypur në Prishtinë. Qenë shtypur 3000 ekzemplarë. Rast i rrallë. Po e theksoj këtë numër edhe me fjalë: tre mijë ekzemplarë. Vetëm katër vjet pas botimit të tij, libraritë e Kosovës mbetën pa asnjë. Të gjithë ekzemplarët shkuan si hallva. Vazhdimisht ndër vite kishte kërkesa për botimin e dytë. Por, s’e bëri as autori, madje as botuesi i parë. Kushedi për çfarë arsye! Erdhi koha ta rishtyp unë. Jo 3000 copë, por 1000 copë. Nëse e lexoni siç e kanë lexuar pararendësit, ata që mund t’ju kenë folur për këtë roman, për këtë person të romanit dhe për veprimtarinë e tij, do ta rishtyp pa mbushur një vjet jetë ky botim.
Pa më thoni, nëse e dini, nëse ju shkon mendja, pse pati interesim kaq të madh atëkohë për të dhe pse pres të ketë sërish? Ju mendoni çfarë të dëshironi por, sipas meje, janë tri arsye themelore: tema, personat, veprimtaria kombëtare e tyre.
E kujt e tyre? E Afrim Zhitisë dhe e shokëve të tij. E Afrim Zhitisë dhe e familjes së tij. E Afrim Zhitisë dhe e të gjithë atyre shokëve dhe miqve të tij që s’harrojnë ta kujtojnë dhe ta nderojnë edhe me rastin e përvjetorit të vdekjes, edhe me rastin e përvjetorit të lindjes.
Pa dyshim se edhe ky ribotim i romanit është një refleks kujtimesh për të bëmat e tij, për fjalën lamtumirëse që i ndjeri ia përsëriste të motrës, Sadetes: Sido që të ndodhë… sido që të ndodhë, nëse më kapin të gjallë, vajtomë; nëse vritem, asnjë pikë lot!
S’po e zgjas më tutje, s’po sjell fjalë të askujt tjetër më këtu, përpos fjalinë e fundit të autorit të romanit, Adem Gashi, i cili të njëjtën e pati thënë më 2 nëntor 2005, në Llugë, në përvjetorin e rënies së Afrim Zhitisë: Erdha këtu sot për ta shqiptuar vetëm fjalën – kryefjalë, fjalën kuptimplotë për të, për shokët e tij, për brezin e tij: Lavdi!/Armagedoni