Sabri Hamiti: Esad Mekuli, poeti misionar

esad mekuli Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare dhe agime t’kaltërta andrrova… E nëpër kunorë lakmish për ‘limtare- si lulja q’i jep qiellit lulzimin, rinin ja dhurova. Shkëlqyen yjet e qiellit si syt e tijë të thellë dhe të ndritshëm dhe u shafit nën te e kërthnezta fuqi… -Sonte shushuritja e leht’e t’panjohtunit më treti fare dhe agimet e kaltërta andrrova.
Esad Mekuli

Nga Sabri Hamiti

Poeti misionar

Esad Mekuli (Plavë, 1916 – Prishtinë, 1993), poet, përkthyes, redaktor, enciklopedist. Vepra e tij kryesore Për ty (1955). Ky shkrim nuk mund t’i shmanget okazionit, meqë bëhet në njëqindvjetorin e Esad Mekulit e në 61 vjetorin e daljes së librit të tij Për ty. Dalja nga rasti, që është mëtesë e
secilit shkrim për letërsinë, bëhet më e vështirë qëkur Mekuli është quajtur e vetëquajtur moti poet misionar. Kjo do të thotë që ai shkruan poezi si pasion e poezi si mision, poezi okazionale, sidomos poezi me tendencë të theksuar. Çështja është të mos bëhet leximi tendencioz qoftë i letërsisë së shkruar me tendencë, përndryshe kalohet në thjeshtëzime të palejueshme. Udha mbetet kërkimi i bukurisë së shkrim/leximit letrar që rrokë njëkohësisht aventurën e identifikimit letrar e kënaqësinë e leximit të poezisë, duke ndier bukurinë e saj e duke njohur strukturën e saj.

Libri Për ty

Libri Për ty i Esad Mekulit, që doli më 1955 në Prishtinë, u pa menjëherë një ngjarje letrare, madje kulturore. Qe libri i parë poetik i një autori vendës, i autorit që tashmë ishte bërë autoritet, si krijues e veprimtar kulturor; edhe më tepër, u bë libër kult për brezin e mëpastajmë; dhe më e rëndësishmja, mbeti libri themelor i autorit, sado që ky botoi libra të tjerë gjatë katër decenieve të tjera.
Libri përmbledh krijimtarinë poetike të Esad Mekulit të shkruar për dy decenie (rreth 30 poezi) dhe është i strukturuar me një ndërgjegje krijuese, kulturore e historike. Nis me poezinë programore Popullit tim, që është një eksplikim i titullit përkushtues Për ty të librit. Ka tre cikle: Në hijen e robnís, që merr vjershat e shkruara në vitet 1933-1940; Flamujt e shpaluem, që ka vjershat e viteve 1941-1944 dhe Jeta e re, që ka vjershat e viteve 1945-1953. Libri përfundon me vjershën Gjykimi, porse shoqërohet me shënimin Lexuesavet, i domosdoshëm për ndërgjegjen autoriale të këtij strukturimi. Pra, ka një strukturë që artikulon autorin, tekstin e tij letrar dhe lexuesin, në një ndërkomunikim letrar, kulturor, historik dhe ideologjik. Duhet parë këtu një fillim e një fund e, patjetër, një substancë në mes apo në qendër.

Në vjershën e parë, kushtrimore, nëpërmjet formulës kushtuese e posesive: Popullit tim – unë, biri yt besnik dhe – poeti, përkufizohet poeti misionar (zë i popullit) e poezia misionare (mjet i dëshirave e vullnetit të tij). Kënga solemne, me tone himni, ngritet në nivel madhështie e të heroikes, duke i vënë përballë dy kohë. Një të shkuar të robërisë: Këndova (edhe kur m’ishte ndalue); e një të lirisë: me ty këndoj mbí fuqinë e ngjallun. Ka ndërruar edhe statusi i këngës: herën e parë kënga e vetmuar për zgjimin, herën e dytë këngë e bashkuar për ngadhënjimin. Kështu përkufizohet poeti si prijës dhe ky është misioni i mbaruar. Por, sprova është e madhe. Në vjershën përmbyllëse të librit, Gjykimi, shtohet edhe koha e ardhshme; ku hyjnë në lojë fëmijt tanë e fëmijt e fëmijvet tanë, breznitë, shekujt. Në një diskutim idesh poetike, në formë sokratike, provohet heroika e brezit, qoftë e kapërcyer nga “belbëzimet”, “shtërzimet”, “gabimet”, “belbëzimet e abecesë e të gjuhës”…

Pse – kush ka faj që të parët s’na kanë lanë gati kurrgjë – posë vorresh dhe padijes

kush ka faj që shekuj me radhë – errësija dhe vetëmija – si mrazet e pranverës kanë mbytë filizat mû në farë?!

Pikëpyetje, pikëçuditëse. Kështu mbyllet vepra. Kjo tezë është diskutuar edhe më parë. Këtë herë do ta lexojmë si një metonimi që fton për një metaforë, për një lexim letrar të tekstit të tij të shkruar, sepse, qoftë me imagjinime, mund të lexohet vetëm ajo që është shkruar si fjalë e parme apo si metaforë.
Atëherë poezia më e mirë e Esad Mekulit në këtë libër është në ciklin Në hijen e robnís, që përmban vjersha të shkruara në vitet tridhjetë, kur autori ishte i ri, pra shkrimet e tij të rinisë. 1. Për misionin poetik që theksohet me pasion. 2. Për tematikat sociale e individuale, 3. Për lirinë si absolut të njeriut. 4. Për figurimin e ideve të ditës e të natës me kapërcimet mbrëmje e agim. 5. Për alternimet e kohëve robëri e liri me ndërmjetëzimet e trishtimit, hidhërimit deri në rebelim. 6. Madhështinë e bjeshkës e të njeriut të ngjyer në trishtimin e varfërisë. 7. Për peizazhin lotues të artikuluar me krahasimin e ngjizur në ngushticat e uni-t.
Në ciklin Flamujt e shpaluem, në fakt shfaqet shpalimi i fjalës, si dëshmi për imagjinim, kur shenjon, kur thërret, kur kujton apo kur vajton. Në ciklin Jeta e re gjuha e vjershës i dorëzohet entuziazmit në kufi të propagandës, edhe kur përpiqet të bëjë hijen e intimizimit e të dashurisë.

Vjershat e bukura

Lexuesi kërkon vjershat e bukura. Edhe Esad Mekuli dëshmon vetë që poezia nuk shkruhet vetëm me ide, por edhe me ndjeshmëri e formë të përsosur. Të tilla janë poezitë: Mbramja, Malli për të pambërrijtshëmen, Unë, Rinís, Djaloshi. Një shembull përfaqësues i poezisë së Esad Mekulit është tingëllimi Mbramja shkruar më 1933.

MBRAMJA
Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërtën shamí,
n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra nën borë —
flakron perëndimi… Rêtë mbi krye përorë
ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsí


…Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:
cipa e natës shtrihet mbi fusha t’përhime,
malet heshtin n’errësí si me qenë të ngrime,
si të humbëte jeta — çdo gjâ u nxi, u zhduk.

N’ajrí ndihen klithmat e natës që râ —
drujt pranë rrugës lehtas era i përkund…
— — — — — — — — — — — — — —
Ndërsa dita e bardhë, e tretun dikund,


shigjeta të flakta mprehë errësinës me i rá.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
në mes të natës prehen n’luginë me andrrime.


Ky tingëllim është shkruar në trajtën e preferuar të autorit, që duke vizatuar peizazhin shpreh gjendje shpirtërore e sociale. Dramacitetin e shqetësimeve e palon kujdesshëm në djepin e konfesionit intim. Mbrëmja nuk është asfarë idile rustikale, por një shqetësim i mbrendshëm: se mbrëmja është vetëm hyrja në natë, që jep pasiguri e frikë, po edhe ëndërr që pas saj është një shpërthim drite e një ditë. Pamja shihet prej së larti, ashtu duke u humbur e tretur, prandaj një intensitet i madh për të shenjuar figurat e fundit, që nga lartësia duken e vizatohen ose në qiell ose në tokë. Prej këndej dramaciteti i ndërrimit të pamjeve ndërmjet krahasimeve në nivel të përjashtësisë e të intimitetit: „tufa të mëndafshit t’artë“, “flakëron perëndimi”, “fusha të përhime”, “male të ngrime”, gjithë sintagma poetike pa retorikë. Pastaj “klithma e natës”, dhe vargu i zbrazët, si figurë e heshtjes totale. E pikërisht këtu shfaqja dramatizuese:

Ndërsa dita e bardhë, e tretun dikund,
shigjeta të flakta mprehë errësinës me i rá


Pas kësaj, mbyllja e poezisë me figurat “terri sundon botën”, apo “Katundet e shtrime … me andrrime” janë thirrje më të forta si bërtima.
Po ndalemi këtu për të theksuar një çështje poetike e përtejpoetike të poetit. Esad Mekuli vjershat e para i shkroi e i botoi në gjuhën e huaj, mandej i botoi në gjuhën shqipe. Është shkrues e përkthyes i poezisë së vet. Këtu do kërkuar retorika e tij poetike, inverzionet sintaktike si çështje të përkthimit, fjalori i rrudhur, agramatikaliteti, rima e kërkuar, jospontane. Prandaj, kërkimet stilistike këtu marrin kohë të veçantë se duhet të përimtohen në variantet e poezive në të dy gjuhët.

E majta letrare

Vjershat e hershme të Esad Mekulit janë shkruar në vitet tridhjetë të shekullit njëzet dhe janë të krahasueshme me vjershat e vëllait të tij më të madh poetik, Migjenit, që janë shkruar e botuar në të njëjtën decenie. Ato janë të krahasueshme edhe formalisht si “vargje të lira”, po më tepër tematikisht e për intencën autoriale, tendencën shkrimore. Një kulturë letrare elementare e të dy poetëve është bashkëkohëse me letërsinë sociale të sllavëve të Jugut në vitet tridhjetë. Aq më fort në nivel të ideve e ideologjisë sesa të formave. Te këto letërsi çështja e “të majtës letrare” u zhvillua si teori e shkrimit e si ide shoqërore deri në nivel të grindjes. Çështja ishte e shkrimit si dëshmi e një të tashmeje e si një vizion i një të ardhmeje. E nisur si rebelim letrar për t’u kurorëzuar në shkrim utopik duke kërkuar absolutin e përparimit dhe egalitetin si projeksion shoqëror, i përkthyer në tendence letrare.
Kjo ishte edhe utopia letrare e poetëve tanë, Mekulit e Migjenit. Pastaj vjen distopia. Esad Mekuli e provoi këtë (domosdoshmërisht) kah fundi i jetës. Po kjo është punë përtej veprës Për ty.
Kush mund të imagjinojë çfarë do t’ishte distopia e Migjenit mbas “Vargjeve të lira” në një shoqëri totalitare.

Fusnota
Në faqen e fundit të librit Për ty është një shënim që Auktori u drejton Lexuesavet. Teksti është kaq dëftues e autoreferencial në gjuhë, dëshmi e qëllime, saqë është mirë të jepet i plotë dhe i pakomentuar.

LEXUESAVET

Në këtê përmbledhje kam vû kryesisht vjersha të botueme, shkrue gjatë periodes 1933-1953, kështu që ajo paraqet, pak a shum, njifarë pasqyrimi të punës sime njizetvjeçare në lamën e poezís.
Mjerisht, mâ e shumta pjesë e vjershave që kam shkrue në periodën e paraluftës dhe asosh gjatë kohës s’okupacionit, kanë humbë. Midis vjershave të tretuna gjindet edhe përmbledhja e përgatitun “Shqiptari të kendou, o Metohí”, që paraqitte cakun mâ të naltë të poezive të mija dhe, për mâ tepër, ishte nji dokument jo i parandësi i kohës së paraluftës në Kosovë e Metohí; disa vjersha të kësaj përmbledhjeje (Të përsektuem, Qëndro dhe Rrugës) që po botoj, janë gjetë rastësisht midis librave të mija shkollore t’asaj periode.
Përmbledhjen e kam nda në tre kapituj: para luftës. gjatë pushtimit dhe mbas shlirimit — simbas kohës në të cilën janë shkrue vjershat.
Kapitulli i paraluftës ndahet në tri cikla dhe paraqet, në kuptimin mâ të gjanë të fjalës, nji tanësí nga e cila, ndoshta, mund të kundrohen ma së miri rritja dhe pjekunija shkallë-shkallë politike dhe poetike e auktorit në kushtet e paraluftës. Këto janë vjersha të shkrueme në ditët e zeza të robnís dhe të shfrytzimit të pashprit të Shqiptarëvet në Jugosllavín e vjetër, plot dhimbje dhe pezmatim, por edhe plot besim të pathyeshëm në ngadhnjimin e vllaznimit e të barazís midis njerëzve dhe popujve. Këto vjersha janë shkrue, për shkaqe që dihen, në sërbishte dhe kanë pá dritën – përveç, ciklit të tretë, (pa vjershën “Përshëndetje” që âsht botue qysh me 1936 në revistën “Granit” e mâ vonë ribotue në fletoren ,”Beogradski student” më 1939) – në revistat për të rij në kohën e paraluftës: “Venac”, “Jugoslovenski rasvit” (Beograd) dhe “Mladost” (Zagreb); në “Novi behar” (Sarajevo) dhe “Granit” (Podgoricë). Vjershat tjera të shkrueme gjatë okupacionit ose mbas shlirimit janë botue, mâ të shumtën, në revistën “Jeta e re”.
AUKTORI

*Marrë nga “STUDIME”- Revistë për studime filologjike, nr.23, 2016, ASHAK,Prishtinë

ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: MËRZITJE DASHURIE