Ridvan Dibra: Klubi i iluzioneve

ridvan dibra


Ishte në fund të njërës prej rrugicave të shumta të qytetit. Me një tavan të ulët (thua se do të binte nga çasti në çast), me do stola të gjatë e me shpina të larta, që kishin në mes tavolina po aq të gjata (të gjitha të veshura me meshin të kuq), me një bufetiere të bukur që dinte gjuhë të huaja dhe lexonte poezi, ai klub qe bërë prej kohësh fole e artistëve më në zë të qytetit, Meka e tyre. Aty çeleshin ekspozita që kapërcenin më pas dete e oqeane, aty skicoheshin kryevepra e lakmohej Nobeli, aty vjetroheshin në çast Dostojevski e Van Gogu, aty binin në gjunjë vajzat më të bukura e më krenare të qytetit.
Aty bëhej gjithçka!
Klubi popullohej gjithnjë prej artistësh. Në çdo vakt të ditës. Deri në dhjetë të mbrëmjes, orë kur mbyllej. Atëherë artistët ngriheshin me përtesë nga stolat e meshintë, shtriqnin gjymtyrët e mpira dhe rrëmonin nëpër xhepat e varfër: kafet e pira duheshin paguar. Ndërkohë atje jashtë, pas derës së klubit, ishin mbledhur dhjetë gra artistësh. Mes dhëmbëve mbanin hanxharë dhe sytë i kishin të kuq gjak.
Kur ikte dhe më i mbrami i artistëve, kamerieri drejtonte kurrizin e lodhur, u afrohej tavolinave dhe mundohej të deshifronte shkarravinat (ai i quante kështu) mbi syprinat e tyre të meshinta, mblidhte bishtat e cigareve dhe shkrepëset e djegura, kontrollonte me radhë nëpër llumin e kafeve të pira për të parë se në cilin filxhan qe hedhur helm sonte dhe në fund falënderonte me gjithë shpirt Zotin që, për fat, nuk e kishte bërë artist.

1994

ObserverKult