Teatri i Metropolit sjell edicionin e tretë të “Festivalit MetroSound”. Ky event do të vijë për publikun nga data 28 shkurt deri më 21 mars. Sikurse çdo aktivitet artistik i mbajtur kohët e fundit, për shkak të pandemisë edhe ky aktivitet do të zhvillohet online.
Ndryshe nga edicionet e mëparshme, ky edicion sjell dy risi që janë forma e transmetimit dhe zhanret e performuara.
Performancat e festivalit do të mund të ndiqen online çdo të diel, ora 20:00.
Programi muzikor i “MetroSounds 3” ka për qëllim të prezantojë dhe promovojë kulturën alternative shqiptare, Nëpërmjet katër perfomancave shumë të veçanta nga artistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, DJ dhe bende bashkëkohorë.
Natën e parë të këtij eventi artistik do ta çelë artistja dhe DJ nga Kosova Oda Haliti. Për të vijuar më pas çdo fundjavë me artistë të tjerë.
“Le të përdorim fuqinë emocionale të artit për të forcuar komunitetet tona artdashëse dhe për t’i shërbyer të mirës më të madhe shoqërore në këto kohë të vështira”, është apeli i artistëve./ATSH