Rita Filipi: Mashkulli “i fortë” – modeli që promovon politika

rita petro


Instinkti shtazarak i dhunës shfaqet mjaft i dukshëm në fëmijëri, po shpesh prindërit e nënvlerësojnë atë. Një fëmijë nga inati apo zemërimi që nuk e ka zotëruar dot diçka që mendon se i takon apo se ndihet i tradhtuar a i dhunuar nga të rriturit, përdor forcën maksimale pa asnjë kufizim apo tërheqje, pasi i mungon arsyeja për këtë.
Të njëjtën forcë përdor fëmija edhe ndaj një kukulle të cilës mund t’ia shqyejë nga trupi këmbë e duar, t’ia çajë barkun e t’ia nxjerrë gjithçka ka brenda, pra, ta bëjë bëjë fije-fije nga nervat apo se si mund ta godasë një kafshë të gjorë që bie në dorë të tij, apo kur grinden dy fëmijë mes vedi se sa fort ndodh ta kafshojnë apo gërricin njëri-tjetrin.
Kur rritemi shumica prej nesh e frenojmë veten dhe nuk biem pre e të qenit dhunues. E disa të tjerë, për të cilët që në fëmijëri nuk është treguar as më i vogli kujdes për t’ua zbutur zemërimin, përkundrazi është ushtruar dhunë ndaj tyre, kthehen në kriminelë të rrezikshëm.
Shtoji këtij instinkti dhe mentalitetin patriarkal se një mashkull “i fortë” bën çfarë të dojë me prenë e vet.
Shtoji dhe mungesën e logjikës dhe të frenimit nga shumë arsye që lidhen me mungesën e edukimit apo nga jeta e degraduar që bëjnë…dhe krimi që kryejnë nuk është më një vrasje momentale nga një errësim sysh prej xhelozisë, pra, krim pasioni, por i shkallës më të lartë të dhunimit ndaj trupit delikat të një qenie që nuk ka asnjë mundësi të vetëmbrohet.
Gjuajtja me duar dhe këmbë (apo dhe mjete të tjera) sikur të qëllosh mbi një plaçkë e jo mbi një trup njeriu, për t’i shkaktuar viktimës dhimbje të tmerrshme dhe dëmtime deri në vdekje, e bën këtë një krim shtazarak.

Mashkulli “i fortë” – dobësi e femrave të dobëta

Po çfarë e tundon një vajzë, një engjëll të bukur me emrin Marigona, të vendosë të jetojë nën një çati me një mashkull të tillë? Çfarë i tërheq disa vajza të kësaj moshe drejt këtyre meshkujve “të fortë”?!
Mbase edukohen gjithë kohën tek rriten me ndjesinë se janë të dobëta e duhet të gjejnë një mashkull “të fortë” t’i mbrojë…t’i marrë nën strehën e tyre. Mbase familja u mbyll dyert kur ato guxojnë “t’ia prishin nderin”; edhe “shkolla” dhe “shoqëria” i braktis.
Mbase iu pëlqen më shumë vetja kur bëjnë për vete këta lloj të dashurish që u ngjajnë si star-et e filmave policorë?!
Se forca e një mashkulli është më tunduese për femrat e dobëta, se sa intelekti i tij. Një mashkull i fortë kur ka para bëhet dyfish më i fortë në sytë e një vajze. Shumë modele të tilla çiftesh “vipa” vajza të bukura me djem “të fortë” po promovohen fuqishëm në medie dhe si rrjedhim edhe në rrjetet sociale.
Rastet e dhunës në komunitetin e tyre tashmë janë bërë të zakonshme. Ndërsa mungesa e theksuar mediatike e vajzave dhe e djemve inteligjentë, rritur në familje mendjehapura, e personave që shkëlqejnë në fusha të ndryshme me aftësinë dhe punën e tyre, ndodh se ata nuk kanë ndjekës mjaftueshëm për t’u kthyer në modele frymëzuese.
Po ç’mund të kërkojmë më tepër tani që Marigona dhe shumë vajza të tjera nuk jetojnë më?! Sigurisht që të zbatohet ligji dhe krimi të dënohet me masën më të rëndë. Po kjo nuk mjafton. Se dhuna ndaj femrave është shtuar dhe politika zhvillohet për vete në një terren të dhunshëm fizik e psikik, madje duke promovuar modelin e “të fortëve” që i kanë të gjithë në dorë.
Ndaj dhuna atje lart nxit ende më shumë dhunën që ndodh poshtë. Sa mendohet për politikat sociale, mbrojtjen e fëmijëve apo të femrave të rrezikuara nga dhuna; sa qendra këshillimi sociale apo juridike funksionojnë si duhet për shmangien e këtyre rasteve, që të parandalojnë krime të tilla?
Sa qendra rehabilitimi funksionojnë për të rinjtë apo të rriturit që shfaqin shenja dhune? Mendoj se për të gjitha këto qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë deri tani kanë investuar minimalisht. Ato janë shumë të zëna me grindjet politike dhe investime ndërtimesh dhe harrojnë se detyrë parësore e tyre është të shembin muret për hapësirat e nevojshme që i duhen një shoqërie mendjehapur.

LEXO EDHE: Rita Filipi: Mallkimi i atit (Në ferr)