Rita Filipi: Mallkimi i atit (Në ferr)

Vëllai im
Duhet ta pranojmë
Jemi mëkatarët e asaj bote
Tradhtuam vullnetin e prindërve
Dhe ecëm në rrugën e kundërt
Tradhtuam idealin e njerëzisë
Dhe jetuam pa ideal
Tradhtuam besën e dashurisë
Dhe gëzuam çastin e pabesë
Jemi mëkatarët e asaj bote
Që na shau me fjalë të fëlliqura
Na goditi me gurë të mprehtë
Na trodhi organet… ty në fakt jo mua
Mua më ngulën nga poshtë një hu
E na degdisën këtu…

Guxo shpirti im
Atë që s’ke guxuar në jetën e atjeshme
Këtu do të gjesh mistere
Frikshëm ndriçuar
Si trupat e kurvave që bëjnë striptiz
Duke u rrotulluar rreth shtyllave
Ngulur në vrimë
Deri në qafë u arrin…
Do të shijosh të hidhurat farmak
Djegëset deri në palcë
E “mikun” do të ta përkëdhelin me hithra
Këtu vëllai im
Piratët luajnë kumar
E në vend të zareve
Hedhin sy të shkulur
Në vend të topit shkelmohet
Koka e prerë
Në vend të zemrës
Gratë mbajnë në duar
Organet gjenitale të të dashurve
Ndërsa gjarpërinjtë
U futen natën mes kofshëve
E të gjitha vezët ua hanë.

Asgjë këtu nuk lind
Këtu ka jetë të përtejme të përjetshme
Lundrohet në një det të zi
Ku derdhen lumenj nafte e rumi
E çmendesh nga era e hashashit
Dhe tingujt e skeleteve
Të divave të Rock-ut
(Që tunden në erë)

Vëllai im
Këtu është jeta e vërtetë
Që në jetën e andejme
Kurrë nuk e provove…

Fragment nga poema “Legjenda e motrës dhe e vëllait”