Që nga debutimi i saj në vitin 2012 e deri më tani, ajo mbetet një nga krenaritë më të mëdha të shqiptarëve, anë e mbanë globit.
Artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Rita Ora, e ka theksuar gjithmonë prejardhjen e saj shqiptare.
Ajo madje në klipin “Big” të publikuar gjatë këtij viti, u shfaq me veshje tradicionale kombëtare, të modifikuar nga stilisti Valdrin Sahiti, duke promovuar kështu në tregun ndërkombëtar veshjet tona autoktone.
Tani në nderim të saj ka nisur pikturimi i një murali në qytetin e Ferizajt, në pjesën anësore të një banese.
Është përzgjedhur që imazh i pikturimit të jetë një fotografi e këngëtares shqiptare me veshje tradicionale, ku shfaqet me duar te gjoksi duke bërë simbolin e Shqiponjës.
Me të parë këtë, Rita Ora ndau me ndjekësit e saj në InstaStory një video, nga raportimet e një prej televizioneve të Kosovës, që tregonte punën që po bëjnë artistët për finalizimin e këtij murali, transmeton rtklive.
Përndryshe, kënga “Big” nga EP-ja e saj më e fundit “Bang”, është pritur mirë nga publiku, dhe numëron mbi 10 milionë klikime në kanalin YouTube, dhe miliona të tjerë në platformat e ndryshme të distribuimit muzikor.