Rita Petro: Maks, do të na mungosh nëpër rrugët e kryeqytetit…

maks velo letrat

I dashur Maks, më pikëlloi vdekja jote, pasi ishe nga ata njerëz që as të shkon mendja, se mund të kishe një ditë vdekjeje. Dëshiroj sot të ndaj me shumëkënd që të deshi e që të njohu, këtë poezi tënden nga libri me vargje e piktura “Tapeti im i kuq”:

JETA ËNDËRR
Jeta ëndërr është
Si pemë e shartuar,
Frutat nuk janë as të ëmbla
As të hidhura.
Ëndrrat balona me helium…
Ose balona ulet normalisht
Ose balona digjet si zog i vrarë….

Mendoj se ti ke bërë një zgjidhje tjetër, as je ulur poshtë dhe as je djegur si zog i vrarë…balona e ëndrrës tënde është ngjitur lart mbi qiellin e Tiranës, që ndonëse nuk ishte vendlindja jote, e deshe aq shumë dhe bëre aq shumë për të si arkitekt, si njeri i mendimit, si artist. Maks, do të na mungosh nëpër rrugët e kryeqytetit, me ato flokët përherë të çrregullta, atë ecjen që merrte mënjanë, atë vështrimin e zgjuar provokator prej artisti dhe guximin për t’i plasur të vërtetat pa iu vendosur filtra. Sa herë të takoja, kur ndaheshim merrja me vete një sentencë të mencur, ku mpleksej ironia, revolta, paksa çmenduria, por aspak dashakeqësia. Ajo çka mendoja përherë ishte:
Po ky Maksi me këtë portret si një autoportret ekstravagant!.
Më vjen mirë që ky libër, prej të cilit shkëputa poezinë tënde, ishte një bashkëpunim i bukur me mua personalisht dhe me shtëpinë tonë botuese. I qëndroj atij mendimi që e kam thënë përherë për poezinë tënde: je poet, je artist i lindur; kap ato detaje që të ndihmon syri i piktorit dhe i studiuesit të perspektivës, të cilat dhe shumë shkrimtarë profesionistë do t’i anashkalonin.
Lamtumirë Maks Velo!