Nga Riza Braholli në 10-vjetorin e ikjes së poetit Pano Taçit
Baladë për Pano Taçin
Pano Taçi, o Burgim Pata,
si të mban si të nxë varri?
I gatuar me urata,
me ca vargje prej të marri;
s’të kalb dheu, o fill ari.
Te “Europa” Xhevahiri
e ka lënë kafen pa pirë,
sheh se gjethet i hedh bliri
dhe çapit me zë të ngrirë:
“Pano ah, Panua i mirë…
Më la vetëm – thotë – “i ligu”
s’di si iku me Arshinë!
Kushedi ç’ka parë shtrigu,
kushedi se ç’sy e ngrinë!
Pa s’e linte poezinë.”
“Jo – i thotë – ky Goliku,
Pandeliu i Tepelenës –
– Panua është, Panua s’iku
mbi balada i flet erës,
bën magji me majë të penës.”
Pano ngrehu, për një varg
lije punë e miq e shokë,
tashti ikur larg e larg
si të mban e zeza tokë?
Dil e thirrë erën mbi flokë.
Dil e thuaji pushtetit
sa e zezë është nata,
u trego se ç’i jep Mbretit
kur i presin drutë e gjata.
U fut majën me balada.
Burgim Pata të kërkojnë
librari më librari.
Ç’bën aty kur po lëngojnë
e të ftojnë buzë e gji
e të lypin gjith uri?
U ke thënë ulërin qari,
se lënguar ka dhe vidhi;
ai mall që është m’i pari,
fije e mallit që i lidhi,
është rrushi aguridhi.
Dil o Pano thuaj varrit
tutje dhè, se s’je për mua
më pret zjarri mes acarit,
faqemolla nën një ftua
dhe një varg që shumë e dua.
Pano Taçi, o Burgim Pata,
si të mban si të nxë varri?
I gatuar me urata,
me ca vargje prej të marri;
s’të kalb dheu, o fill ari!
ObserverKult
Lexo edhe: