Eja e dashur, eja o erë, merrmë,
shtjellë bëhu, vorbull, më rrëmbe,
mbështillmë, në gjirin tënd të paemër;
dua të harrohem, të iki nga ky dhé
të tjera re, të tjerë qiej, dua sonte.
Të fluturoj dua…;
të jem ëndrra e kësaj bote.
Eja e dashur, stuhia ime e egër, eja,
me galopin e marrë në fushën e paanë;
dua të ndjej pyjet si palosen nga era,
në mua të përplasen këmbë e kuajt
t’i këputin frerët e dëshirave sonte.
Të fluturoj dua…;
të jem ëndrra e kësaj bote.
Eja e dashur, vrundull bëhu, shtjellë,
Më merr, më humb, më vërtit
si pupël, në qiellin e kaltër të thellë,
më zbrit nga qiejt e prapë në qiej më ngjit
e prapë më ul në buzët e tua sonte.
Të të fluturoj dua…;
të jem ëndrra e kësaj bote.
O erë, o valle, o këngë, o mall,
o kurm që shpërbëhesh në avullin tënd
më merr edhe mua, më hidh zall më zall,
më hidh, më përplas dhe prapë më mënd
në gjirin q’e desha, e dua dhe sonte.
Të fluturoj dua…;
të jem ëndrra e kësaj bote.
Eja e dashur vallëzo me mua këtë natë.
Këtë herë eja e rrëmbemë, o erë;
nuk ndodh të jepet kështu një i ngratë
që në mugujt e vetes ngujohet përherë
dhe s’ndodh të lëshohet kështu, si sonte.
Të fluturoj dua; dua veç një herë
të jem ëndrra e kësaj bote.
ObserverKult
Lexo edhe: