Robert Elsie, njeriu që bëri punën e një instituti shqiptar në botë

Robert Elsie

Përkujtesë për albanologun e shquar

Nga Muhamet Hamiti

(Në 7-vjetorin e shkuarjes në amshim të Robert Elsie-t, një shkrim imi që e kam botuar fillimisht te revista “Filologji”, nr. 22, 2018, e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës)

Robert Elsie, një ndër studiuesit dhe promovuesit më sistematikë të letërsisë e kulturës shqiptare në botë në katër dekadat e fundit, lindi në Vancouver të Kanadasë më 29 qershor 1950, ndërsa ndërroi jetë më 2 tetor 2017 në Gjermani nga një sëmundje e rrallë e neuroneve motorike. Ka mbaruar studimet klasike dhe për linguistikë në Kanada më 1972. Ka bërë studime pasuniversitare në Berlin, Paris e Dublin, ndërsa ka doktoruar në Universitetin e Bonit (Gjermani) për linguistikë dhe studimet kelte më 1978. Pas kësaj kohe nisi aventura e tij me shqipen. Në tridhjetë e pesë vitet e fundit të jetës, një shekull pune, në fokus kishte letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare. Mbi gjashtëdhjetë libra të botuar, krahas artikujve të panumërt, pjesa më e madhe të lidhur me studimet shqiptare.
Kontaktin me shqipen e gjallë e ka nisur në fund të viteve shtatëdhjetë, në Shqipërinë absurde të diktaturës së Hoxhës, ndërsa e ka vazhduar në Kosovë, në kohën e vlimeve kulturore e politike gjatë viteve tetëdhjetë e tutje, më shumë këtu, nga ardhja e tij pothuaj e përvitshme në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në ato dekada.
Robert Elsie fillimisht përktheu letërsi shqipe dhe shkroi për të, më vonë u mor me gjuhë, kulturë popullore, antropologji dhe histori shqiptare. Përktheu letërsi shqipe në anglishte, por edhe në gjermanishte. Ai fliste shkëlqyeshëm shqip, frengjisht dhe gjermanisht. Zotëronte në shkallë të ndryshme edhe gjuhë të tjera. Ka përkthyer në anglisht madje edhe nga osmanishtja – pjesë nga ditarët e Evlia Çelebisë, shkrimtarit osman të shekullit të shtatëmbëdhjetë, për viset shqiptare të Perandorisë Otomane. Botoi shkrimet e Çelebisë në anglishte, së bashku me studiuesin e njohur të historisë osmane, Robert Dankoff-in.
Ka përkthyer (bashkë me shkrimtaren kanadeze Janice Mathie-Heck-un) epin kombëtar shqiptar “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës, 15.613 vargjet e saj (epi ynë “Lahuta” është pothuaj pesë herë më i gjatë se epi kombëtar anglez “Beowulf”!) përkthimi i tretë në një gjuhë botërore, pas italishtes dhe gjermanishtes. Lahutën Elsie e quante kontributin e parë që i dha gjuha shqipe letërsisë botërore. Me znj. Mathie-Heck ka botuar një botim dygjuhës (shqip-anglisht) të Kangëve të Kreshnikëve. Ka redaktuar përkthimin gjermanisht të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, simbas Sabri Hamitit njërit nga tri monumentet themelore të kulturës shqiptare, krahas Lahutës dhe kangëve epike shqiptare. Ka përkthyer poezinë e Migjenit (librin “Vargjet e lira”) në anglisht dhe në gjermanisht; në këtë të dytën edhe një antologji të lirikës shqiptare nga shekulli XVI deri XX. Ka përkthyer poezi shqipe periudhash të ndryshme, që i ka botuar në antologji apo libra më vete, pjesë e madhe e të cilës është në dispozicion të publikut përmes faqes së tij të internetit www.albanianliterature.net, përzgjedhja më e madhe e letërsisë shqipe në anglisht. Poetët e përzgjedhur janë nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare dhe diaspora. Ka botuar libra të veçantë të poetëvë shqiptarë të Kosovës, Ali Podrimja, Flora Brovina dhe Eqrem Basha. Një peng i tij ishte që nuk mundi të përkthente Lasgush Poradecin, poetin e madh shqiptar të shekullit XX. Në një shkrim përkujtimor për Elsie-n (“I pakrahasueshmi Robert Elsie”, gazeta “Koha Ditore”, 3 shkurt 2018, fq. 26), dijetari i shquar britanik Noel Malcolm, autor i Historisë së Kosovës (1998), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), thotë se e kishte lutur Robertin të përkthente gjithë poezinë e Lasgushit, por ai i ishte përgjigjur se Poradeci ishte tepër i vështirë për t’u përkthyer. Problemi nuk ishte aspak gjuhësor, thotë Malcolm-i, teksa shton: ”Roberti ishte i mendimit se vetëm një poet i të njëjtit kalibër në botën anglishtfolëse mund të arrinte të shprehte në gjuhën e vet të gjitha nuancat e mrekullueshme të brishtësisë, mëdyshjeve, reshtjes nanuritëse, shpirtit të dorëzuar dhe qetësisë së paqtë të poezive të Lasgushit”. E kishte thënë Elsie vetë në shkrimin paraqitës për letërsinë shqipe në anglisht në faqen e vet të internetit: “Letërsia shqiptare mbetet e panjohur, me pak përjashtime, thjesht nga mungesa e përkthyesve të kualifikuar, në mënyrë të veçantë në anglisht”. Robert Elsie e qau jo një herë mungesën e përkthyesve letrarë nga shqipja në anglisht.
Shumë prej librave të tij, botuar fillimisht në anglishte, janë botuar edhe shqip në Prishtinë e Tiranë. Kështu, puna e tij këkrimore e diturake, që promovoi kulturën e një kombi më pak të njohur në botë për asye të izolimit politik (okupimit, sundimit komunist), qarkulloi edhe në ambientin shqiptar, me kontribute shpeshëherë origjinale në studimet shqiptare. Përkthimet e Elsie-t janë punë e mallit për letërsinë shqipe. Punën e hallit, për të mbetur gjallë, e bëri si përkthyes e interpret për anglisht, gjermanisht e shqip për Qeverinë gjermane e institucione të tjera, por edhe te Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë në Hagë. Kush ka përcjellë gjykimet atje që lidheshin me luftën në Kosovë kujton zërin e tij.
Botoi në fillim të shekullit tonë libra referencash të natyrës enciklopedike si “Fjalori historik i Shqipërisë” dhe “Fjalori Historik i Kosovës”, në anglisht dhe në shqip. Poashtu, së voni, “Biographical Dictionary of Albanian History” (Leksikon biografik i historisë shqiptare). Ka botuar më herët “Histori e letërsisë shqipe” në anglisht, përkthyer më vonë edhe në shqip e polonisht. Poashtu edhe Fjalor të besimeve, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare (“Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, 2001) që në përkthimin shqip në Tiranë është botuar më 2005 si “Leksiku i kulturës popullore shqiptare” me nëntitullin “Besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore”, që paraqet gamën e gjerë tematike të tij.
Robert Elsie ka shkruar recensione te revista “World Literature Today” e Universitetit të Oklahomas nga viti 1985 deri në vitin 2002. (Një pjesë të këtyre recensioneve ai i botoi të përmbledhura te libri “Studies in Modern Albanian Literature and Culture”, që në shqip, në Tiranë e Prishtinë, u botua më 1995 me titullin “Një fund dhe një fillim” (vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashëkohore). Pesë-gjashtë, nganjëherë edhe më shumë recensione në vit, për botime në shqip e në gjuhë të huaja të letërsisë shqipe. Te këto shkrime me karakter paraqitës ai jepte edhe rriska të jetës shqiptare në Kosovë e Shqipëri, herë duke denoncuar shtetin diktatorial e realizmin socialist shqiptar, herë duke afirmuar letërsinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve këtu për ekzistencë, për liri e demokraci përballë shtypjes e terrorit serb. Me këto shkrime ai bëhej pjesë edhe e diskutimeve për letërsi e kulturë shqiptare, me vlerësime e karakterizime me peshë, që kanë domethënie edhe sot.
Prozën e shihte më të zhvilluar në Shqipëri, ndërsa poezinë më të mirë dhe kritikën letrare më imagjinative në Kosovë. Qortone në një shkrim/recension Arshi Pipën pse te libri i tij i vitit 1991 “Contemporary Albanian Literature” (Letërsia bashkëkohore shqiptare) kishte shpërfillur gjysmën e saj, letërsinë e Kosovës, te një libër me titull aq gjithëprëfshirës.
Kishte krijuar dhe ka lënë trashëgim në faqen e vet të internetit (www.elsie.de) uebsajte të veçanta me shkrime e kontribute të tjera në këto fusha: arti shqiptar, tekste dhe dokumente të historisë shqiptare, gjuha shqipe, letërsi shqipe në përkthim, fotografi të hershme nga Shqipëria. Shpresojmë të mirëmbahen prej miqve e dashamirëve të tij dhe të kulturës shqiptare.
Puna studimore e Elsie-it në botë është pritur e njohur mirë. Ka dhjetëra recensione në revista të huaja që e dëshmojnë këtë. Për magjepsjen e tij me veçantitë shqiptare (besime, doke, zakone) në rrafsh antropologjik, ai është quajtur prej ndonjë studiesi/recensuesi idhtar i një shkolle klasike, konservatore, të ngjashme me ato në kapërcim të shekujve nëntëmbëdhjetë/njëzet. Është quajtur edhe ‘esencialist’, që në zhargonin e studimeve të kohëve të sotme, ku mbizotëron ideja e multikulturalizmit, është term pezhorativ! E vërteta është se studimet e Robert Eksie-t në anglisht –leksikonët letrarë, historikë, biografikë, e kulturorë përgjithësisht – janë burime të pakapërcyeshme për studiuesit ndërkombëtarë me interes për shqiptarët. Përkthimet e tij të shkrimtarëve shqiptarë poashtu të rëndësishme për një pamje sado më të drejtpeshuar të letërsisë shqipe në botë.
Receptimi i Elsie-t në hapësirën shqiptare ka qenë poashtu i dukshëm. Ka minrënjohje të gjerë për punën që ka bërë ai në fushën e albanologjisë, jo vetëm për paraqitjen e saj në botë, por edhe për rezultate të studimeve origjinale të tij, ndonëse në shikim të parë puna e tij ka qenë mbledhje, përpunim, dhe përkthim, në njëfarë dorë eklektike.
Kosova dhe Shqipëria kanë njohur kontributet e studiuesit Elsie edhe me mirënjohje zyrtare dhe akademike. Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e ka dekoruar Robert Elsie-n me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit” më 2003, ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në vitin 2013 me “Medalen e Mirënjohjes”. Elsie ka qenë anëtar i jashtëm i ASHAK-ut nga viti 2000.

Njohja ime me Robert Elsie-n

Robert Elsie-n e kam njohur moti, që prej tridhjetë vjetësh. Besoj që herën e parë jamë takuar me të në njërin nga edicionet e Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që mbahej në Prishtinë. Ishte pjesëmarrës i shpeshtë, pothuaj i rregullt, vit për vit, deri kur u mbyll në fillim të viteve nëntëdhjetë, me ndërhyrje të autoriteve pushtuese serbe. E kam takuar pastaj në Tiranë në mes të viteve nëntëdhjetë. Isha sekretar i Seminarit, kësaj konference të rëndësishme albanologjike, në dy edicione që u organizuan atje (1995, 1996) në bashkëpunim ndërmjet Fakultetit të Filologjisë të Prishtinës dhe Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës. Kontributet e tij, kumtesa dhe diskutime, që janë botuar te revista e Seminarit, provokuan diskutime për vetë natyrën kërkimtare të tij në fushë të shqipes, herë-herë me zell më të madh. E kam takuar Elsie-n në Prishtinë edhe në vitet e pasluftës. Bisedat i kemi pasur përherë rreth studimeve të gjuhës e të kulturës, që i bënte me dashuri, heshtas, vetëm, por edhe për gjendjen në Kosovë e në Shqipëri në kohë të ndërrimeve të mëdha, të kalimeve nga okupimi në liri (Kosovë) dhe nga komunizmi në demokraci (Shqipëri). Rezultatet e punës së vet i afirmonte me kulturë, paimponueshëm.
Nga kujtimet e mia të dashura është vizita e papritur dhe fort e gëzueshme që më bëri Roberti në dhjetor të vitit 2009 në Londër. Asokohe isha ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar. Ditën që në Pallatin Buckingham i dorëzova Mbretëreshës Elizabeta II letrat kredenciale të Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, miku i shqiptarëve, miku im dhe i Kosovës, Robert Elsie ishte aty në pritjen e Ambasadës së Kosovës për zyrtarizimin tim si ambasador i parë i Republikës sonë në Londër. Robert Elsie erdhi i veshur me kostum shqiptar!
E kam takuar Elsie-n disa herë në Kosovë, mbas kthimit tim në punë në Universitet me të mbaruar të misionit diplomatik në Londër më 2012. Jetonte në Gjermani, vazhdonte punën atje, vetë, i palidhur me ndonjë institucion. Ishtë bërë vetë institucion i padeklaruar i studimeve shqiptare. Pakkush e dinte që po vuante sëmundjen që do ta çonte në amshim në vjeshtën e vitit 2017. I tillë ishte Roberti. Njeri me integritet personal e profesional.

*Muhamet Hamiti është Profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës

ObserverKult


Lexo edhe:

“ULIKSI” I XHEJMS XHOJSIT MBUSH 100 VJET