Roberto Saviano: Eja të më marrësh, ç’të bëj pa ty?

saviano

I ideuar dhe i drejtuar nga Roberto Saviano dhe Fabio Fazio, Eja me mua qe ngjarja televizive e vitit, më e ndjekur se ndeshjet e Champions League-s dhe se reality show-t.
Tani “Eja me mua” është një libër që i bën sërish të arritshme për publikun këto histori në një formë të rishikuar dhe të pasuruar gjerësisht, duke i shndërruar, edhe një herë, në histori të të gjithëve.

ObserverKult ju sjell një fragment të këtij libri, përkthyer nga Adrian Beshaj dhe botuar nga Dudaj.

saviano

Nga Roberto Saviano

Pasditen e atij 20 dhjetori Mina është e trishtuar.
Çfarëdolloj gjëje që po bën sot për të, gjeste të përditshme që ka bërë për shumë vite, mendon: “Këtë po e bëj për herë të fundit”. Dhe ndërsa është e pushtuar nga ankthi, e kanë kapluar ethet.
Ai e pyet: “Po a ke qenë e lumtur?”.
Një nga ato pyetje që do të doje t’ia bëje gjithnjë njeriut që do. Për Minën kishte qenë “një jetë e plotë dhe e lumtur, më e mira që do të kisha mundur të përfytyroja”.
Aq sa i thotë: “Eja të më marrësh, ç’të bëj pa ty?”.
“Ti ke punë!”, e zhdramatizon ai.
Pikërisht atë pasdite Piero-ja i rrëfen Minës: “Të vdesësh nuk është shaka”.
Mbrëmjen e ditës së tij të fundit kontrolloi e-mail-et, iu përgjigj komenteve në blogdhe pastaj i fshiu të gjitha. Aty rreth orës njëmbëdhjetë, Piergiorgio-ja ndahet nga të afërmit dhe nga tre miqtë radikalë të mbledhur rreth shtratit të tij.
Mjeku afrohet dhe e pyet: “A vazhdojmë?”.
Për këtë përgjigje të fundit Piero-ja dëshiron të përdorë zërin e tij. Duke gulçuar thotë: “Po”.
Atëherë Mina e pyet:
“E do me të vërtetë ?”
Piero-ja përplas qepallat, vetëm një herë, për të thënë: “Po”.
Do të vdesë pas pak, në një mënyrë plot dinjitet siç e kishte kërkuar dhe dëshiruar vetë për shumë kohë, në respekt të ligjit.

Saviano gërmon brenda plagëve të vjetra

Tetë kapituj, tetë histori, një portret unik të Italisë së sotme të nënshkruar nga autori i bestseller-it ndërkombëtar Gomorra.

Roberto Saviano gërmon brenda disave prej plagëve të vjetra dhe të reja që brengosin Italinë. Njohja e munguar e vlerës së Bashkimit kombëtar, mekanizmi i pabesë i makinës së baltës, ekspansioni i kriminalitetit të organizuar në Veri, emergjenca e pafund e plehrave në Napoli, tragjeditë e shumta të paralajmëruara.

Pranë denoncimit është edhe rrëfimi – i mallëngjyer dhe i admiruar – i jetëve të jetuara me ndershmëri dhe kurajë. Kjo është sfida pa armë e don Giacomo Panizza-s ndaj ‘ndrangheta-s kalabreze. Lufta e Piergiorgio Welby-t në emër të jetës dhe të së drejtës. Mbrojtja e Kushtetutës nga Piero Calamandrei.

Janë shembuj këta mbi të cilët mund të mbështeten ende për të ringritur dhe ndërtuar një Itali ndryshe.


saviano

Për autorin:

Roberto Saviano ka lindur në Napoli në 1979-ën. Eshtë autor i bestseller-it ndërkombëtar Gomorra (Mondadori 2006), që u përkthye në më shumë se pesëdhjetë vende.

Shiti dhjetë milionë kopje në Itali dhe në botë.

Nga libri janë nxjerrë një shfaqje teatrore që fitoi çmim në Olimpiadën e Teatrit 2008 dhe filmi me të njëjtin titull, që fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Kanës 2008.

Ka botuar gjithashtu Bukuria dhe ferri (Mondadori 2009), dhe Fjala kundër kamorrës (Einaudi 2010).

Në Itali bashkëpunon me “La Repubblica”-n dhe “L’Espresso”-n, në Shtetet e Bashkuara me “Washington Post”-in dhe “New York Times”-in, në Spanjë me “El Pais”-in, në Gjermani me “Die Ziet”-in, në Suedi me “Expressen”-in dhe “Dagens Nyheter”-in, në Angli me “The Times”-in.

Për veprimtarinë e tij si autor dhe për angazhimin qytetar, i janë dhënë Çmimi Viareggio ‘Opera prima”, Çmimi Kombëtar Enzo Biagi, Geschwister-Scholl Preis, Çmimi për Gazetarinë i Lajpcigut, Çmimi Manuel Vazquez Montalban, European Book Prize-i, David di Donatello-ja dhe Shiriti i Argjendtë për skenarin e filmit Gomorra.

Që nga tetori i 2006-ës jeton i shoqëruar nga shpura pas kërcënimeve të marra nga klanet që denoncoi.

Në 2008-ën mori solidaritetin e disa çmimeve Nobel dhe në nëntorin e të njëjtin vit u ftua në Suedi për të mbajtur një fjalim mbi lirinë e shprehjes në Akademinë e Nobelëve.

Përgatiti T.K/ ObserverKult

————-

Lexo edhe:

ROBERTO SAVIANO: JETË ËSHTË GRUAJA QË TË DASHURON…