Roberto Saviano: Jetë është gruaja që të dashuron…

Jetë është gruaja që të dashuron, era ndër flokë, dielli në fytyrë, shëtitja e natës me një mik. Jetë është gruaja që të lë, një ditë me shi, miku që të zhgënjen.

Nga Roberto Saviano

Pieros i pëlqente edhe të pikturonte, tablo në vaj.
Në fillim për qejf: mundësia për të krijuar për zbavitje, por dora-dorës që sëmundja përparonte lodhej gjithnjë e më shumë në lëvizje dhe kështu që i kërkonte Minës t’ia lëvizte pëlhurën poshtë duarve sipas figurës që donte të vizatonte, ndërsa ai mbante penelin të palëvizshëm mes gishtave. Atëherë Mina i propozon të pikturojë tablo’ më të vogla” “Edhe artistët e mëdhenj e kanë bërë këtë”. Dhe në fakt, veprat e tij të fundit janë vizatime me përmasa të vogla. Mina shpresonte që në këtë mënyrë të vijonte të qëndronte i lidhur me jetën. Në librin e saj shkruan: “Kam  ushtruar me të vërtetë një këmbëngulje terapeutike , por ajo e imja ishte një këmbëngulje terapeutike dashurie”.
    Në 2001-shin sëmundja përkeqësohet dhe Pieroja dëshpërohet thellë. Thotë: ‘”Gjithçka mori fund!”Mjaft!”  
Distrofia muskulore është një sëmundje që e asgjëson trupin por duke e lënë të paprekur, në shumicën e rasteve, mendjen. Kështu që i sëmuri është tejet i kthjellët dhe i vetëdijshëm për rënien e tij dhe për dhimbjen që i shkakton sëmundja. Pieroja i kërkon së shoqes të jetë me të, t’i bindet kërkesës së tij për t’ia shkëputur respiratorin. Mina zemërohet, nuk mund ta pranojë, për të është njësojë sikur të ishte duke i thënë se kërkon të ndahet prej saj. Është njësoj sikur ai të ishte duke i thënë : “Nuk të dua më”. Aq sa ajo i përgjigjet: “Unë nuk ta jap divorcin!”. Atëherë, Pieroja që e njeh mirë, e thërret si gjithnjë duke kërcitur gjuhën dhe i kërkon t’ia vërë duart përreth qafës. “Hajt tani, mos bëj kështu, e kuptove shumë mirë”. Mina e përsërit shpesh: “Unë isha infermierja e tij, ai psikologu im, dinte si të sillej me mua”.  Mina kujtonte se ishte Pieroja ai që ishte egoist, përkundrazi pastaj do të kuptojë se egoistja ishte ajo.
    Atëherë fillon beteja bashkë me radikalët për të siguruar lejen që të mund ta shkëpusnin respiratorin. Në 2002-shin Pieroja hap një forum, të cilin do ta përditësojë vazhdimisht deri ditën e fundit të jetës.
Shkruan me pseudonimin e Kalibanos, nga personazhi i Stuhisë së Shekspirit: një përbindësh, një egërsirë e shëmtuar dhe pikaloshe “i panderuar me formën njerëzore”. Nëpërmjet forumit hyn në kontakt me njerëz nga mbarë bota që kanë po atë ngut të tijin, që po përjetojnë po atë vuajtje të tijën.
   Pieroja kërkon të mbërrijë shpejt në atë që e përkufizon një ‘’vdekje me dinjitet’’, duke e bërë gjithçka në ligjshmëri të plotë. Ajo që kërkon nuk është eutanazi, domethënë praktika që i shkakton vdekjen në mënyrën më të padhembshme, të shpejtë dhe të pagjak të mundshme një qenieje njerëzore të prekur nga një sëmundje e pashërueshme, për t’i dhënë fund vuajtjes së tij. Kërkon dorëheqjen nga këmbëngulja terapeutike, domethënë nga gjithë ato teknika mjekësore që shërbejnë për të mbajtur artificialisht funksionet jetësore të subjekteve të prekura nga patologji të pashërueshme. Nuk kërkon t’ia shkurtojë jetën vetes duke shkaktuar vdekjen. Siç thotë kardinali Carlo Maria Martini: “Duke shmangur këmbënguljen terapeutike nuk kërkohet të shkaktohet vdekja, por pranohet se ajo nuk mund të ndalet”. Njerëzit që vijnë ta takojnë, duke mos e kuptuar, i thonë Minës: “Kërkon të vdesë sepse është i deprimuar, sepse nuk është kuruar sa duhet”.
    Më 22 shtator 2006 Pieroja vendos t’i dërgojë një video-letër presidentit të Republikës Giorgio Napolitano. Është mësuar tashmë prej kohësh të përdorë një sintetizator zanor: në monitorin përballë tij janë disa shkronja , të cilat ai i tregon me shikim, dhe sintetizatori nxjerr frazat që kërkon të thotë. Mesazhi i tij është manifesti poetik i betejës së tij për jetën:

      Jetë është gruaja që të dashuron, era ndër flokë, dielli në fytyrë, shëtitja e natës me një mik. Jetë është gruaja që të lë, një ditë me shi, miku që të zhgënjen.
Unë nuk jam as ndonjë melankolik e as ndonjë maniak i dëshpëruar. Të vdes më llahtaris. Për fat të keq ajo që më ka mbetur nuk është më jetë, është thjeshtë një këmbëngulje kokëfortë dhe e pamend në mbajtjen aktive të funksioneve biologjike.

Janë fjalë shumë të bukura, që nuk kanë të bëjnë aspak vetëm me çështjen e bioetikës. Mençuria, era ndër flokë, gruaja që ti dashuron por edhe gruaja që të lë, miku që të tradhëton: këtu nuk është një njeri që e koncepton jetën si një rrugëtim vetëm me lumturi. “Të vdes më llahtaris”, thotë. Ka frikë, por nuk do të shkojë drejt vetëvrasjes, as që i shkon mendja tek ajo. Ai nuk e quan më jetë atë të tijën. Ajo që për të tjerët mund të quhet jetë, për Pieron nuk është e tillë. Dhe ndien se vetëm ai e ka të drejtën e parë dhe të fundit për të vendosur  për gjendjen e vet. Ndien se e ka këtë të drejtë.

*Fragment i shkëputur nga tregimi “Piero dhe Mina”, të Roberto Savianos publikuar në librin “Eja me mua”, botuar nga “Dudaj”

Përktheu: Adrian Beshaj

Përgatiti: ObserverKult