Roland Gjoza: Ende nuk kam shpëtuar nga censura

“Ende nuk kam shpëtuar nga censura e soc-realizmit. Autokontrolli ka qenë shumë i fortë brenda meje gjatë komunizmit, aq sa tani, edhe pse kanë kaluar dekada, nuk kam mundur të shpëtoj prej tij. Shpesh ndjej veten të jem në pushtetin e censurës”. Roland Gjoza, shkrimtar, skenarist, u shpreh kështu ditë më parë përballë një audience me njerëz të letrave dhe kinematografisë në aktivitetin kushtuar 70-të vjetorit të tij të lindjes nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. “Nuk është e lehtë të heqësh gjithë atë peshë të viteve”, tha ai, duke treguar se sa i fortë ka qenë presioni te shkrimtarët para viteve ‘90-të.
Edhe pse sot Gjoza jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjurmët e së shkruarës janë kudo tek ai. “Do ishte jo e drejtë t’i mohonim, një pjesë e krijimtarisë sonë u shtri në atë periudhë”, tha ai.
Shkrimtari zbuloi detaje të romanit “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja”, ku tha se është shkruar pas një udhëtimi dashurie në Paris.
“Romani u shkrua pas një udhëtimi dashurie në Paris. Ishin ditë të trazuara, i kisha premtuar gruas se një ditë do festonim muajin e mjaltit në Paris. Natyrisht, ishte një premtim i dhënë në çaste frymëzimi, që harrohej shpejt. Por kjo ndodhi krejt rastësisht dhe ajo javë magjepsëse bëri që të shkruhej ky roman. I ndihmuar shumë edhe nga një rastësi. Fjalia e parë u shkrua në hotel, pikërisht në atë dhomë ku kishte jetuar Heminguej me të shoqen”, u shpreh ai, transmeton ‘voal.ch’.

Po ashtu poeti Gjoza ndau me të pranishmit edhe momente nga fëmijëria e tij dhe rrugëtimin e tij në letërsi dhe si skenarist filmash. “Unë vij nga një familje e madhe tregtarësh, por që patën një fat si gjithë familjet e mëdha gjatë komunizmit. Nga tregtarë u kthyen në infermierë”, tha ai.
Ndërkohë kineastët vlerësuan punën me të dhe kujtimet e tyre ndër vite.
Mbrëmja letrare u zhvillua në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në prozën dhe poezinë shqipe, ku ishin të pranishëm botues, poetë, kineastë dhe miq të librit si Mimoza Ahmeti, Bujar Hudhri, Xhevahir Lleshi, Esad Musliu, Kristaq Mitro, Buron Kaceli, Faslli Haliti, Diana Çuli etj. Roland Gjoza është mjaft i njohur në rrethet artistike në Tiranë e Prishtinë, ndër lexuesit e letërsisë dhe amatorët e filmit. Ai është poet lirik, prozator me një stil të veçantë dhe skenarist filmi. Në moshën 18-vjeçare botoi librin e parë “Mozaik”, një vëllim lirik që la mbresa në qarqet letrare të kohës për ndjenjat e holla e të brishta, si dhe imazhet e freskëta poetike që sillte. Pas mbarimit të fakultetit Gjuhë-Letërsi, u emërua mësues në Pukë. Pas disa vitesh në Veri, kaloi skenarist filmi artistik në “Kinostudio”, Tiranë, ku pati një veprimtari të gjatë e të frytshme. Disa nga filmat ku ai është skenarist, janë çmuar në festivalet dhe konkurset kombëtare. Filmi dokumentar “Të zhdukurit” me skenar të tij është nderuar me çmim të parë në Uashington. Është autor i rreth 20 librave të gjinive të ndryshme, romane, tregime e novela dhe poezi. Në vitin 2006 botoi në Tiranë vëllimin poetik “Bukë e verë” dhe në Prishtinë librin me tregime “Nord Mort”. Prej vitesh, poeti e prozatori Roland Gjoza jeton familjarisht në Nju-Jork.