Në romanin e posabotuar nga shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, deti Mesdhe, brigjet e tij, kulturat që ndër mijëvjeçarë janë ngritur dhe kanë shndritur në këtë pellg të përjetshëm ndërthurje gjuhësh e kombësish, merr padyshim rolin parësor.
E tëra arrihet duke u përvijuar përmes një dashurie të ndier gjer në palcë, që do ta shpjerë protagonisten shqiptare të librit, nëpër krejt thelbin fizik, psikologjik dhe ezoterik të këtij deti kaq të rëndësishëm për qenësinë kulturore të botës së sotme (dhe të shkuar padyshim) siç e njohim, Mesdheut ku janë pasqyruar shekull pas shekulli në rrjedhën e pandalshme të historisë, bëmat më të epërme të pjellorisë së mendjes njerëzore, gjuhë, këngë, balada epike, mitologji e pakohë, ngjizje të feve dhe miteve që kurrë nuk dinë të veniten, dhe ku shqiptarët ngaherë kanë pasur vendin e tyre, duke spikatur jo rrallë, duke qenë gjithnjë pjesë e frymës unike të Mesdheut.
Në këtë mënyrë, porsi në një rrugëtim të ravijëzuar nëpër shtigjet e historisë së lashtë të popullit të saj, protagonistja shqiptare e këtij romani, kridhet në ujërat e kripura jetëdhënëse të Mesdheut, dhe përshkon tallazet e jetës së saj vetjake, dritëhijet e të shkuarës së saj, ndaj të cilës ngre krye pareshtur, dhe vegimet e të tashmes së mëdyshur ku pikasen vezullimet e të ardhmes ku një dashuri pasionante shpërfaqet në horizontin mesdhetar, ngjashëm me lundrimin mijëravjeçar të shqiptarëve (ilirëve, epirotëve, arbërorëve) buzë dhe nëpër gjerësitë gjeografike të këtij deti kaq të pranishëm edhe në botëkuptimin thelbësor të popullit tonë.
“Erdha, Pashë, Dashurova”, është rrjedhimisht një përkufizim letrar i dy binarëve paralelë, ku rrëshqet natyrshëm shpagimi jetësor i protagonistes shqiptare të këtij romani, dashuria që i fal kuptimin e munguar jetës së saj, duke e ndërgjegjësuar atë për vetë kuptimin e mirëfilltë të pranisë së saj në këtë botë, me tërë ngjyrimet shqiptare dhe mesdhetare të rastit, dhe gjithashtu historia shpesh e harruar mesdhetare e shqiptarëve si popull, që Mesdheun, historinë e tij, traditat, mendësinë, mitologjinë e lashtë, doket e moçme dhe gjakun e tyre, e kanë mbrujtur përherë në tisin e këtyre ujërave.
Rrjedhimisht, “Erdha, Pashë, Dashurov”a, është një roman dashurie, ku dashuria është fuqia shtytëse që sendërton dhe mundëson çdo rrahje zemre dhe veprim të personazheve shqiptare dhe mesdhetare që i japin jetë këtij krijimi letrar, një dashuri që merr formë larmishëm mes Shqipërisë dhe ujdhesave më joshëse të Mesdheut, por gjithaq ky roman është një deklaratë dashurie të çiltër për vetë Mesdheun, nga autori i tij, si shqiptar./ ObserverKult