Romani i Rexhep Hotit “Nata e Kosovës” botohet në italisht

Romani “Nata e Kosovës”, nga autori Rexhep Hoti është përkthyer dhe botuar në gjuhën italiane. Kështu ka bërë të ditur vetë autori nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Jam më se i lumtur të ju njoftoj se romani im “Nata e Kosovës”, tashmë është botuar edhe në gjuhën italiane. Ky roman ka një peshë të jashtëzakonshme për mua si autor sepse në të kam dhënë përshkrimin real të gjendjes para dhe në prag të luftës në Kosovë. Këtë të dhënë e bën edhe më domethënëse e vërteta reale se heroi i romanit, Shpëtim Dreni, është në të vërtetë Ukshin Hoti. Po të më lejohej të spekuloja me shifra, atëherë do të mund të thosha se mbi 70 përqind e ngjarjeve, vetë mendimi dhe shpirti i Shpëtim Drenit është e vërteta e Ukshin Hotit. Si i tillë, uroj që për lexuesit italianë informacioni të shërbejë si i vyeshëm së bashku me botën artistike.

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, e kishte vlerësuar lart romanin “Nata e Kosovës”. Në parathënien e librit, Kadare shkruan, “”Romani „Nata e Kosovës” i shkrimtarit të ri Rexhep Hoti është një nga shenjat e sigurta se në këtë kohë trandjesh letërsia shqipe në Kosovë po rigjen vetveten. I shkruar me dendësi e dramacitet, ky roman me frymëmarrje të gjerë ndjek fillin më të mirë të letrave shqipe, ballkanase e evropiane njëkohësisht. Ai shpalos përpara lexuesit një Kosovë të zymtë në prag të krimit më të madh që mund t’i sulet një populli: masakrës dhe deportimit. Ndonëse libri është shkruar përpara aktit të fundit të dramës, ai jo vetëm e parandjen, por e paralajmëron fare qartë tragjedinë. Aktorët e dramës janë të gjithë aty: ata që e përgatitën zezonën e ata që do ta pësojnë, ata që do të vrasin e ata që do të vriten, së fundi, ata që historia do t’i dënojë e do t’i heqë rrëshqanthi nëpër baltë, gjak e turp, e ata që, pas kalvarit, do të rikthehen prapë në Kosovë, në tokën e tyre, për të qenë aty në jetë të jetëve…. Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që u ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre. Ky roman, me titullin domethënës „Nata e Kosovës”, është një ndër librat që synon drejt së ardhmes, drejt dritës”, transmeton ‘rtklive’.

Hoti është autor i disa librave. Romanet dhe poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën angleze, turke, italiane, bullgare etj. Librat e tij më të njohur janë: “Visore të shthurura”, “Nata e Kosovës”, “Tempulli i fjalës”, “Kosova përballë vetvetes”, “Pesha e konsensusit”, “Përzierje e trishtë”, “Gjenitë dhe drama e Kosovës”, “Flirti civil dhe ambasadori”, “Ndëshkimi i kujtimeve”, “Monologu i Prijësit” dhe “Vitet e fshehura”.

Mbi krijimtarinë letrare të Rexhep Hotit kanë shkruar figurat kryesore të letërsisë shqiptare nga Ismail Kadare e deri te Rexhep Qosja, Diana Culi, Mimoza Ahmeti, Lisen Bashkurti, Brikena Ismajli, Anton Panchev, Ndue Lazri etj.

LEXO EDHE: Rexhep Hoti: Fantazma e Konicës!