Romeo dhe Xhulieta, vepra më e mirënjohur e Uilliam Shekspirit, e shkruar diku midis viteve 1591-1595, është një nga historitë më të mëdha të dashurisë të shkruara ndonjëherë.
Por është interesante të zbulohet se “Romeo dhe Xhulieta”, nuk ishte në fakt një histori e trilluar nga shkrimtari britanik, por përkundrazi një variant i një historie të treguar shumë herë që nga vitet 1400 e në vazhdim. Historia e “Romeo dhe Xhulietës”, ekzistonte të paktën një shekull para se Shekspiri ta shkruante atë si vepër.
Një përmbledhje e veprës së famshme të Shekspirit
Fabula e veprës është pak a shumë kjo:“Një hasmëri e vjetër midis dy familjeve të fuqishme, degradon në një gjakderdhje. Një grup personash të maskuar nga familja Montag rrezikojnë një konflikt të mëtejshëm, duke u futur fshehurazi në një festë të familjes rivale të Kapuletëve.
Një i ri i dashuruar, Romeo Montag, bie menjëherë në dashuri me Xhulieta Kapuletin, e cila do të martohej me burrin që i kishte zgjedhur babai i saj, Paridin. Me ndihmën e shërbyeses së Xhuljetës, gratë e rregullojnë që çifti të martohet që të nesërmen, por përpjekja e Romeos për të ndaluar një sherr në rrugë mes 2 familjeve, çon në vdekjen e kushëririt të Xhulietës, Tibaltit, akt për të cilin Romeo dëbohet nga qyteti.
Në një përpjekje të dëshpëruar për t’u ribashkuar me Romeon, Xhulieta ndjek këshillat e një prifti, duke trilluar vdekjen e saj. Por mesazhi nuk arrin deri tek Romeo, dhe duke besuar se Xhulieta kishte vdekur vërtet, ai vret veten mbi varrin e saj. Xhuljeta zgjohet, dhe kur sheh kufomën e Romeos përkrah saj vret edhe ajo veten.
Pas kësaj tragjedie të dyfishtë, familjet pranojnë që t’i japin fund konfliktit mes tyre. Është një histori tërheqëse dhe tragjike.
Por Shekspiri nuk e përdori i pari këtë histori për dramën e vet. Në fakt, ajo bazohet në disa histori më të vjetra, dhe disa prej tyre kanë elementë shumë të ngjashëm.
Versione të hershme të tragjedisë “Romeo dhe Xhulieta”
Historia e parë mbi këtë ngjarje, është shkruar nga shkrimtari italian Masukio Salernitano (1410-1475). E botuar një vit pas vdekjes së tij, kapitulli i 33-të i librit të Salernitanos ”Il Novellino”, tregon historinë e Mariotos dhe Xhanozës, një çift të dashuruarish që vijnë nga familjet feudale Maganeli dhe Saraçeni.
Në këtë rrëfim, lidhja e tyre e dashurisë vendoset në Siena dhe jo në Verona, dhe besohet se ka ndodhur në kohën kur ka jetuar vetë Salernitano. Ashtu si në versionin e Shekspirit, Marioto dhe Xhanoza bien në dashuri me njëri-tjetrin, dhe martohen fshehurazi me ndihmën e një prifti të quajtur Agustin.
Pas kohë më vonë, Marioto debaton ashpër një qytetar tjetër pjesë e fisnikërisë së qytetit – në këtë rast, kushëririn e të dashurës së tij – dhe e vret këtë të fundit, një akt që solli arratinë e tij për të shmangur dënimin me vdekje.
Xhanoza e shqetësuar, ngushëllohet vetëm nga fakti që Marioto ka familjen në Aleksandri të Egjiptit, dhe ndërton atje një shtëpi të bukur për veten e tij. Gjithsesi, babai i saj – pa pasur asnjë dijeni mbi martesën e të bijës – vendos se është koha që ajo martohet, dhe kjo gjë e vendosi vajzën në një pozitë të tmerrshme.
Me ndihmën e priftit që e kishte martuar me Marioton, Xhanoza pi një ilaç gjumi për t’u dukur sikur kishte vdekur, dhe në këtë mënyrë ajo mund të largohej fshehurazi nga Siena për t’u ribashkuar me burrin e saj në Aleksandri. Plani shkoi shumë keq, dhe letra e saj drejtuar Mariotos ku shpjegonte dhe planin e arratisë nuk mbërrin kurrë në destinacion, ndërsa lajmi mbi “vdekjen” e saj po.
Kështu ndërsa ajo niset drejt Aleksandrisë, Marioto rikthehet i pikëlluar në Siena, duke rrezikuar jetën e tij për të parë për herë të fundit trupin e pajetë të së dashurës së tij. Por ai arrestohet dhe ekzekutohet me vdekje për krimin e tij të mëparshëm, dhe kjo vetëm 3 ditë para se në qytet të kthehej vetë Xhanoza.
Shumë e dëshpëruar nga ajo që merr vesh, Xhanoza vendos të vetëvritet, për t’u bashkuar më te dashurin e saj në parajsë. Ashtu si rrëfimi i Shekspirit për Romeon që e gjeti Xhulietën duke fjetur, por që ai besonte se kishte vdekur, edhe historia e hershme e Salernitanos, përmban një skenë në të cilën Mariotos e gjen Xhanozën në gjumë të thellë, duke besuar se ajo ka vdekur.
Siç mund të shihet, ka shumë elementë të ngjashëm midis historisë së Shekspirit dhe saj të Salernitanos. Çështja e familjeve në konflikt, dashuria e ndaluar, ilaçi i gjumit, dhe mungesa e komunikimit, çojnë në një fund tragjik për të dy të dashuruarit.
E shkruar vetëm 100 vjet më pas, Shekspiri mund ta ketë gjetur diku veprën e Salernitanos, ose një nga shumë variantet e tjera që ishin shkruar, përpara se kjo histori e veçantë të arrinte në tryezën e Bardit anglez. Luixhi da Porta shkroi në vitet 1530 një përmbledhje të ngjashme, duke rrëfyer historinë e Romeo Montekit dhe Xhulieta Kapeletit, dhe zhvendosur ngjarjen nga Siena në Verona, ngjashëm me Shekspirin.
Sërish çifti martohet në fshehtësi me ndihmën e një prifti, vetëm për t’u ndarë nga vrasja aksidentale që Romeo i bëri kushëririt të Xhulietës, dhe vdekjeve të tyre pasuese: Romeo nga ilaçi i gjumit i Xhulietës, dhe Xhulieta duke e mbajtur frymën e saj, në mënyrë që të mund të vdiste bashkë me të dashurin e saj.
Frymëzimet më të mëdha të Shekspirit për “Romeo dhe Xhulietën”
Pas da Portës erdhi Mateo Bandelo (1480-1562), një murg dhe një shkrimtar që i çoi edhe më tej tregimet e da Portës dhe Salernitanos. Ai ishte shkrimtari italian, që vlerësohet se ka ndikuar më drejtpërsëdrejti tek Shekspiri. Kjo pasi Bandelo prezanton shumë nga temat specifike, që e bëjnë aq të njohur sot dramën e Shekspirit.
Versioni i Bandelos, edhe pse në shumë mënyra i krahasueshëm me tekstin e Salernitanos, siguroi mbiemrat e mirënjohur Montag dhe Kapulet për 2 personazhet kryesore. Ai shtoi edhe elementin e ballos ku takohen për heerë të parë Romeo dhe Xhulieta, dhe gjithashtu edhe momentin në të cilin Xhulieta vret veten me thikën e të dashurit të saj, në mënyrë që ajo të bashkohet me Romeon në jetën e përtejme.
Historia e Bandelos, besohet se është ndjekur nga afër nga shkrimtari francez Pier Buasto, versioni i të cilit u përkthye më pas në anglisht në vitin 1562nga Arthur Bruk, si një poemë me titull ”Historia tragjike e Romoes dhe Xhulietës”. Ky përkthim në anglisht, ishte teksti që lexoi edhe Shekspiri.
A bazohet “Romeo dhe Xhulieta” në një histori të vërtetë?
Shumë studiues shekspirianë, të mirë-informuar mirë mbi këto vepra të mëparshme letrare, kanë mbledhur prova që Bardi anglez mund të jetë frymëzuar për personazhet e Romeos dhe Xhulietës nga jeta e tij. Një financues i Shekspirit, Henri Rajëtsli, Ërli i Tretë i Sauthemptonit, mendohet se ka frymëzuar Romeon e Shekspirit, për më tepër që njerka e tij e kishte origjinën nga Viskonti Montag.
Henry Rajëtsli kishte ndërkohë një marrëdhënie të fshehtë me Elizabet Vernon. Dhe kur lajmet mbi martesën e tyre arritën në veshin e Mbretëreshës britanike Elizabet I, ajo i burgosi që të dy pasi bashkimi i tyre përbënte një kërcënim politik për mbretërimin e saj.
Në dallim nga Romeo dhe Xhulieta e vërtetë – në çdo histori – Ërl dhe Vernon ishin më vonë në gjendje të jetonin “lumtur përgjithmonë” jashtë mureve të burgut, megjithatë ky bashkim politik i padëshirueshëm vlerësohet shumë se ka ndikuar edhe në shkrimet e Bardit.
Vepra që e shndërroi rrënjësisht letërsinë romantike
Megjithë versionet e shumta të historisë së “Romeo dhe Xhulieta”, që i paraprinë asaj të Uilliam Shekspirit, nuk mund të mohohet se ishte vepra e këtij të fundit, ajo që e shndërroi lidhjen e tyre të dashurisë në një nga historisë më të mëdha të dashurisë të njohura ndonjëherë.
Bardi mund të ketë huazuar shumë gjëra nga Salernitano, Bandelo dhe Bruk, por ishte ai që preku fort audiencën që e ndoqi në skenë dramën e tij. Dashuria dhe vetëvrasja e Romeo Montag dhe Xhulieta Kapuletit, e kanë bërë këtë histori pasionante të pavdekshme, duke mbetur ende sot një nga frymëzimet më të mëdha të letërsinë romantike moderne. / Ancient Origins – Bota.al
ObserverKult
Lexo edhe: