Roza Anagnosti kujton Muharrem Fejzon: Pas Ndrenikës rrezikova të ma hiqnin rolin dhe mua për biografi

Ai ishte regjisori im i mirë. I paqtë në sheshxhirim. Duhet ta nderoj kujtimin e tij”. Një miqësi 50-vjeçare mes aktores Roza Anagnosti e regjisorit Muharrem Fejzo, është zanafilla e një bisede pranë sheshit “Shopen”, një të hënë nëntori, bisedë e zhvilluar muaj më parë, pak kohë pasi Fejzo kishte ndërruar jetë.

Ajo erdhi në një rrëfim të ndjerë pothuaj e përlotur për ndarjen e tij nga jeta, për ikjen pa lamtumirë, për mesazhin e fundit që ajo i dërgoi pa marrë përgjigje prej tij.

Ndalet doemos të kohët e vështira kur pas xhirimeve të filmit “Fije që priten” iu hoq roli Robert Ndrenikës dhe rrezikoi edhe Roza Anagnosti rolin e saj.
Më sytë drejt qiellit e mallin e pashuar, për humbjen e një miku e një burri fisnik, që vishej me sqime e sillej si aristokrat, që buzëqeshte kur e trishtonin e luftonte si mbret, për Fejzon “regjisorin e saj të dashur”.

“E kam njohur Fejzon 50 vite më parë. Me pas punova në dy filma me të, me dhuroi dy role të mëdha. ‘Besa’ të ‘Fije që priten’ e ‘Dafina’ të ‘Mësonjëtorja’. Me rolin e dytë fitova çmim dhe ishte kurora që ai më dha mua. Nuk e vlerësuan sa duhet por ai ishte i vetëdijshëm për atë që ishte. Dhe ishte krenar. Ai nuk u mposht. Ishte e rëndë kur pasi mbaruam filmin ‘Fije që priten’ hoqën Bert Ndrenikën. Aktor i mrekullueshëm. Rrezikova dhe unë për shkaqe biografie, por nëse do më hiqnin dhe mua filmi do humbte gjithë xhirimet, të tilla ishin kohët. Tematika ishte e përcaktuar e detyrueshme. Ne bënim ato që mundnim”, thotë Roza Anagnosti për filmin që dikur ishte në lupën e censurës dhe sot në atë të përçimit të propagandës.

Biseda në sheshin ‘Shopen’ është një rekuiem për mikun e saj të hershëm që u shua në një spital në Itali, larg të gjithëve dhe i vetëm duke lënë pas kujtimin e një buzëqeshje që çarmatoste këdo./BW

Lexo edhe:

FILMI “TOKA JONË” ISHTE I BEKUAR, SI U DASHURUAN ROZA E DHIMITËR ANAGNOSTI?

ObserverKult