Rozafa Shpuza: Kandari i shpirtit

rozafa shpuza ekspozita

Nga Rozafa Shpuza


Prit pak, – i tham vedit, kur shputat e kambëve m’janë ba copë e supi m’asht anue dreqnisht prej strajcës me grykë të lidhun shkujdesun me spagë bojsepje. Nyjet e spagës diftojnë mirfilli se sa ngutshëm e ankthshëm janë ndry kujtimet aty…
Mbasi jam ndalë, fshij me shpindë t’dorës ballin e brazduem prej pritjesh dhe ulem e rraskapitun në nji zgrip, bash aty ku degëzohen udhët. E ve me kujdes strajcën mes shalëve, se aty m’duket vendi ma i sigurt dhe vërej se gjunjët e mbledhun ju përgjasin sfinksave në dyert e kështjellave mesjetare.
Saora, matem me e çilë atë strajcë që s’mbahet mend qysh kur asht ba nji me mu, por në çastin e mramë ngurroj. Nuk di as vetë a jam e zoja me i ba ballë kujtimeve që randojnë strajcën e lidhur me spagë, njajtë me bojën e fotografive bojsepje të stërgjyshave.
Njashtu e bame kruspull si rrashtë breshke, vërej se gjurmët që m’prunë deri këtu, mënojnë me shkapërcye cakun, ndërkohë që frymimi sa vjen e bahet ma i thellë.
Jam në nji udhëkryq ku ardhmëninë dhe kujtimet i ndan bash ky ritëm i çmendun frymimi.
Shfryj, pendohem, lutem, premtoj, kapërdij e kot ju çirrem mirazheve që vikasin prej thembrave të çdo gjurme ikacake…
Ndjej se jam sfilitë e s’kam dëshirë me ba kurgja, por orët s’dinë me u kthye mbrapsht, ndaj çohem e filloj me lanë gjurmë të reja, tue mllaçitë dyzimet që m’shprazë ndër kambë shtegu rishtak…
Si sinor kujtimesh, strajca ka mbetë atje në zgrip të rrugës e sa vjen e bahet ma e padukshme.
Hapëzoj prajshëm përkah lindja e dillit e prej buzëve të fragjisuna paksa këndoj nën za nji melodi shpirti…

ObserverKult

Lexo edhe:

ROZAFA SHPUZA: BALADË PËR NJI DASHNI TË KAHERSHME