Rozafa Shpuza: Baladë për nji dashni të kahershme

Poezi nga Rozafa Shpuza

Malli për nji dashni të kahershme
asht si ajo dëshira që belbet prajshëm
para se me fikë qirat e ditlindjes,
kur fryma shprazet kuturu
pa e ditë nëse kanë me u ba ndonjiherë 100 flakë.
Malli për nji dashni të kahershme
asht si ajo ndjesia absurde që ke herë-herë
sikur je rrëfye në tana faltoret e botës,
anipse malli të merr veç ditve me shi.
Malli për nji dashni të kahershme
i pergjet dremitjes në avionin e linjës low cost,
kur shuma e lekëve të kursyem prej biletës
asht sa nji krikëll e madhe birre
që e pin përhanshëm në stolin me tri kambë
te lokali që ka emnin e personazhit të nji filmi bardhezi.

Gjithqysh,
malli për nji dashni të kahershme
asht në ty
si thinjat ndër tamtha,
që kot rrekesh me i mshehë
me bojna t’kuqlueme vjeshtash…

ObserverKult


Lexo edhe:

ROZAFA SHPUZA, LIDHJA E PASHMANGSHME MES POEZISË E FOTOGRAFISË

Rozafa Shpuza ka lindur në qytetin e Shkodrës, ku më 1856 Pjetër Marubi hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike, ndaj ajo beson me shpirt se është e bekuar qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë.

Pasi përfundon, me rezultate të shkëlqyera, studimet e larta për Gjuhë- Letërsi shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të parlamentit shqiptar.

Lidhjet e saj me fotografinë janë të hershme dhe mund të pohojmë pa droje se kanë ardhur vit pas viti duke u bërë më të ndjeshme dhe intensive.

Rozafa ka hapur disa ekspozita personale fotografie, si dhe ka marrë pjesë denjësisht në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare kushtuar fotografisë. Fotografitë e saj kanë udhëtuar kudo në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj, si në Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Greqi…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU