reklamë

Rozafa Shpuza: Kurrë nuk kam pasë si qëllim që krijimet e mia me u ba slogane të nji fushate!

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafirja jonë është poetja, Rozafa Shpuza.

– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Kam ndjesinë se qasja jeme me letërsinë ka kenë krejt e natyrshme, si nji domosdoshmëni pa të cilën njeriu nuk mundet me frymue. Letërsia ka kenë aty, qyshkur hodha hapat e para, përmes ninullave dhe përrallave, e ma vonë si nji dëshirë për me ditë ma shumë, me marrë emocione e me pasë si udhërrëfyes në rrugëtimin personal personazhe të dashtun romanësh. Kam pasë fatin me pasë nji bibliotekë të pasun në shpi, kështu që kam lexu gjithmonë letërsi të zgjedhun, e kjo asht pasuni fort e vyeme.

– Kur ratë në “grackën” e saj?

-Më kujtohet se kam fillue me shkrue herët, madje më janë publikue disa poezi në revistat dhe gazetat e kohës qysh në gjimnaz, por kurrë s’i kam dhanë randësi këtij hobi, kësisoj i kam lanë ngjarjet me rrjedhë pa sforcim. Anipse kam krye fakultetin për Gjuhë-Letërsi, kujtoj se në atë kohë nuk ka pasë nji atmosferë nxitëse për talentet e reja; thjesht duhej me shkrue me partishmëri e kaq. Fakulteti atëherë duhej veç me të dhanë mundësinë me gjetë nji punë dhe me u ba njilloj si gjithë të tjerët. “Grackë” mundem me quejt magjinë e penës së Mopasanit, Çehovit, Remarkut, Markesit, Allendes, Floberit e shumë kolosëve të tjerë të letërsisë botnore.

– Kur nisët të ndiheshit shkrimtare?

-Mirëfilli, thellë brenda meje, unë nuk e ndjej vedin akoma shkrimtare. Shkrimet e mia ju ngjajnë ditarëve, ku secili hedh ndjesitë e brishta në çastet kur muzat të kanë ngurosë si shtojzovallet e përrallave. Unë shkruej kur jam në udhëtim (p.sh. kam shumë poezi që kam shkrue rrugës për Kosovë, shkruej teksa po pi kafen e nadjes, shkruej mbasi kam mbyllë kapakun e nji albumi familjar), pra shkruej krejt spontanisht.
Mbase çmimet që fitoj ndër festivalet e ndryshme të poezisë apo të prozës së shkurtë, brenda dhe jashtë Shqipnisë, më bajnë me besue se shkrimet e mia pëlqehen dhe kjo gja më lumturon fort.

– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-As e mendoj ndonjiherë që me e pyet vedin për shfrimet shpirtnore, se krijimet janë pasqyrë e shpirtit. Më vjen me shkrue dhe shkruej. Ma ka anda me udhëtue, me taku njerëz, me fotografu personazhe në përditshmëninë e tyne, me diskutue me artistët për ndjesitë krijuese, me u kthye në kohë dhe me përtërie kujtimet e fëminisë… E për tana këto unë shkruej. Dhe, më beso, kjo pasuni shpirtnore më ban njeriun ma të lumtun në botë.

– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtare?

-Unë e kam fort të lidhun poezinë me fotografinë. Ndoshta ky fakt asht e veçanta e krijimtarisë teme. Në fotografi merrem me detajin, me imtësina, ndoshta të parëndësishme për kalimtarët e rastit, por që mue më bajnë me e kthye objektivin dhe me e shkrepë. Këtë stil kam edhe në poezi. Nuk shkruej asnjiherë për gjana që bajnë “zhurmë”…

– Çka keni thanë me shkrimet tuaja?

-Kurrë nuk kam pasë si qëllim që krijimet e mia me u ba slogane të nji fushate apo dedikime për kauza të ndryshme. Shkruej për ndjesitë e mia spontane, si nji dëshirë e brendshme për me i hedhë në letër ndjesitë e mia. Çdokush që i lexon me gjetë diçka nga vetja, pa e futë veten ndër tubime që shkojnë mbas nji parulle.

– Çka ju ka mbetë ende pa thanë?

-Ajo që në fillimet e mia e kam anashkalue, prejse mendoj se ka pasë njifarë vetcensure.

– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Muzat janë mirëfilli nxitëset kryesore në shkrimet e mia. E mos kujtoni se muzat e mia janë diçka surreale… Jo, kurrsesi. Veç po ju sjell nji shembull krejt të freskët: Tue u kthye prej Prishtinës para pak ditësh, shkruva në autobuz disa vargje. Mos u çudit aspak, porse muza jeme në këtë rast u ba nji këmishë e harrueme në dhomën e hotelit nga bujtësi i nji nate ma parë.

– Sa jeni sistematike në të shkruar?

-Nuk jam hiç sistematike. As kam orar, as kohë, as vend të caktuem për me shkrue. Shkruej kur afër meje kalon nji muzë… ose dikush harron këmishën në hotel… haha.

– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtare apo jo?

Po më kujtohet nji poezi e jemja, e cila mundet me iu përgjigjë përkryemnisht pyetjes suej:

Rrugtimi jem

Kajherë rrugtimin e nis nga fundi,
aty, te stacioni skajnor, ku thith n’harrim nji cingare.
Kajherë lidhëset e këpucëve i baj ny,
se fjongot më kujtojnë dhuratat kallpe,
të stivueme mbi prehna ditëlindjesh.
Kajherë i la shinat me m’ba qullë
e me çadër hapërdaj pasqyrimet e përmbysuna
mbi pellgjet e qindisuna me thembra fatesh.
Kajherë udhëkryqet m’i ngrijnë hapat,
e kot ju lutem takimeve të vonueme
me m’rrëfye kahin e frymimit.
Kajherë duert e shtrime n’boshllek,
si manekinë arash të korruna,
rrokin zjarrme dashnish
që s’mbahet mend qysh kur u fikën.
Kajherë…
Kajherë…
E ndonjehë rrugtoj me kode zogjsh shtegtarë,
tue ndjekë e përhanuem tymin e cigares…

ObserverKult


Lexo edhe:

ROZAFA SHPUZA: POST SHËN V.

ROZAFA SHPUZA: ROMANCË NË HOTELIN ME TRE YJE