Rozafa Shpuza: Turmat janë burim muzash për mue

rozafa shpuza

Flasim përhanshëm me poeten dhe fotografen Rozafa Shpuza.

Nga: Xhemazije Rizvani

________________

Rozafa Shpuza asht lindë në qytetin e Shkodrës, ku më 1856 Pjetër Marubit hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike, ndaj ajo beson me shpirt se asht e bekueme qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë dhe me balsamin e apostujve të poezisë gege. Mbasi përfundon me rezultate të shkëlqyeme studimet e nalta për Gjuhë-Letërsi,  shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të Parlamentit shqiptar.

Hobit ma të dashtuna të Rozafës janë poezia dhe fotografia. Lidhjet e saj me poezinë dhe fotografinë janë të hershme dhe mundena me pohue pa droje se kanë ardhë vjetë mbas vjetit tue u ba ma të ndijshme dhe intensive. Rozafa boton sparit “Kohë   ikonash” me proza poetike, që pasohet me “Anipse”, “Grizhlat” dhe “Nana i qindiste kryq dimnat” me poezi në gegnisht. E veçanta e krijimtarisë së Rozafës asht se poezitë kanë nji lidhje të pashmangshme me fotografitë që ajo shkrepë. Me shumë përkushtim dhe pasion ajo menaxhon galerinë e saj, të cilën e ka hapë në Shkodër, në shpinë e vjetër të prindërve. Galeri Oda asht kthye në nji odë mikpritëse për artistët kudo në botë.

Çka ta mban të butë zemrën?

Me ndjekë zanin e zemrës, me pasë nji fëmijë të shëndetshëm e të mbarë, mos me rreshtë së krijuemi vargje e së shkrepunit fotografi, me pasë rrotull miq të mirë, me udhëtue shumë…

Çka të nxjerr nga lëkura?

Tendenca e artistëve kallpë me u krenue me krijime perverse, me antivlera. Aftësia që kanë me gllabërue poste drejtuese e me vendosë veton, tue përçudnue mirëfilli rrugëtimin e artit të vërtetë.

Si do ishte njeriu pa libra dhe pa poezi?

Evoluimi i njerëzimit ka ardhë si rezultat i përpjekjeve të pashoqe të brezave për me përcjellë ndjesitë dhe ngjarjet përmes hieroglifëve, pikturave mbi muret e shpellave, vëmendjes ndaj shprehjes së gëzimit apo hidhërimit. Këto janë fillesat e librave dhe poezive. Prandaj e tham me bindje se njeriu, pa libra e poezi, kishte me kenë si anëtar i fiseve të egra në Epokën e Gurit.

Kush është Rozafa Shpuza në kozmos, në hapësirë?

Nuk e paskam mendue ndonjiherë vedin në kozmos, anipse tash po imagjinoj nji kozmos që ka jetë në disa planetë dhe vedin tue shtegtue sa prej njenit planet te tjetri, me aparat fotografik në qafë. Pra, Rozafa në kozmos asht nji fotografe që fikson gjithësinë…

Kur të shfaqen retë në jetë, ç’bën?

Kur janë re reale më ripërtërijnë, se shiu asht frymëzim për mue. Shkodra nuk mund të mendohet pa shiun dhe unë jam bijë e shiut. Ndërsa retë në kuptimin metaforik, më bajnë me u strukë në vedi si breshka në rrashtën e saj dhe me kapërdi përdhuni trishtimin apo dhimbjen.

Më ka ndodhë shpesh, që kur due me largue këto re trishtimi, me marrë gërshanën dhe me pre vetë flokët. Kurrë nuk e kam kuptue pse shfryj ndër flokë. Ndoshta ndjesia me pa nji tjetër portret në pasqyrë, më nep forcë me nisë sparit.

Nëse do ishte shpikja jote dashuria, si do ishte?

Dashnia asht kimi dhe na jena të pazotë me i parashikue pasojat e këtij reaksioni kimik. Prej tanë rrugëtimit tem emocional, qysh prej adoleshencës e deri tash, kam mbërritë me kuptue se, sado të përpiqem, nuk mund të krijoj nji dashni perfekte, siç kishte me e andrrue çdokush, andaj ka kohë që kam heqë dorë nga kjo përpjekje dështake për me krijue diçka, që asht përtej aftësive të mia. Ndoshta këto vargje që kam shkrue munden me e ba përgjigjen teme ma të sinqertë:

Pas çdo vetime,

kur dyzimi më len pa frymë,

bindem se cilendo dashni të kisha zgjedhë,

fati kishte me m’servirë të njajten shije,

anipse në kohë të ndryshme…

Ç’të shkon duarsh si poezia?

Më vjen ndoresh me fotografue dhe poezitë e mia kanë lidhje të pashmangshme me fotografitë që realizoj.

Asht edhe nji tjetër hobi që më ka lindë gjatë periudhës së pandemisë, kur isha e ngujueme. Kurrë ma parë nuk kam kapë penela e bojna me dorë e kjo gja më dha adrenalinë të papame. Fillova sparit me pikturue muret e rrugicës, ku kam galerinë teme të artit, e mandej i shpraza bojnat ndër telajo. Kam pikturue me pasion dhe jam kënaqë prej atyne krijimeve të brishta. Tash mendoj se, përveç poezisë dhe fotografisë, edhe piktura ka me kenë pjesë e përditës teme.

Në çfarë ngjason Rozafa me ty?

Në qoftë se e keni fjalën për Rozafën, gruan e legjendës, mundem me thanë se edhe mue për pëlqen me i shku punëve deri në fund, pra me u përpjekë fort për me realizue andrrën.

Në qoftë se pyetja ka të bajë me atë që, si asht Rozafa e vërtetë dhe si e shohin të tjerët, mundem me pohue pa droje se jam tip i drejtpërdrejtë dhe kot rreket dikush me pa pas meje, se ia kam thanë tana qysh në prezantimin e parë. Pra, unë jam Rozafa në dritë të diellit dhe askush nuk mundet me thanë se ekziston edhe nji Rozafë tjetër në gjysmëhije.

Përse i pranojnë vonë dashuritë burrat?

Kurrë nuk e kam pyet nji burrë për këtë, por intuita më thotë se i druhen refuzimit dhe egoja mashkullore nuk ua lejon.

Më pëlqen fort me besue se dikur ekzistonin krijesa perfekte, gjys-femën dhe gjys-mashkull. Të frigueme prej forcës dhe harmonisë së tyne, perënditë vendosën me i nda. Qysh atëherë këto gjys-krijesa sillen nëpër qiej e s’rreshtin tue kërkue plotësinë e tyne, prandaj kot lodhen burrat që mënojnë me pranue dashninë, se asht diçka e pashmangshme.

Kur i ndien më fort engjëjt?

Në çaste humbjeje dhe dhimbjeje.

Qejfi çka të ka kushtuar në jetë?

Po më kujtohet një varg kange “qejfi bahet me shkodranë”… Na shkodranët nuk e kuptojmë jetën pa ba qejf. Me shëtitë, me këndue, me pi me miq ndër lokalet e vogla të qytetit, ku nji orkestër e vogël luen muzikë. Këto janë ato dromcat që ta mbajnë shpirtin gjallë, prandaj jam e mendimit se qejfi s’ka të paguem.

Si është të rrish me veten?

Me ndenjë me veten dhe me ndenjë vetëm ka nji ndryshim të madh, prandaj lum kush e kupton këtë. Njeriu që nuk rrin me veten asht si nji varkë me vela që s’lundron dot pa erë, si nji luledielli kur vransina asht gati me prekë tokën, si nji fëmijë që don me mësue biçikletën pa u rrëzue, si dy dashnorë që e ndalin puthjen kur fillon shiu, si nji prostitutë pa asnjë klient, apo si nji krande shkrepseje që fiket para se me ndezë cingaren.

Kush janë të panjohurit rreth teje, në turmë?

Të panjohunit për mue kanë misterin e personazheve që më intrigojnë për me i zbulue. Shpeshherë në turmë kërkoj me sy me gjetë karaktere për fotot e mia, kërkoj detaje për poezitë e mia, kërkoj diçka të veçantë në mënyrën e sjelljes së tyne, në buzëqeshjet, në kombinimet e ngjyrave në veshjet e tyre. Më pëlqen me kenë mes njerëzve dhe turmat janë burim muzash për mue.

Kur të vdesin fjalët në duar?

Kur dhimbja apo gëzimi janë të përmasave jo të zakonshme.

Ç’është civilizimi me fotografi?

Me pa nji fotografi nudo, tue mos e paragjykue personazhin apo fotografin që e ka realizue.

A ka diçka në ty që vështirë e pranojnë në rrethin e ngushtë?

Nuk di. Ndoshta faktin që unë vazhdoj me fjetë në zheg (hahaha…)

A është privilegj të jesh artist/e në një vend si Shkodra?

Privilegj asht kur artdashësit të cilësojnë si të tillë, se ka plot artistë të vetëshpallun që po e përçudnojnë këtë emën të shenjtë. Besoj se me kenë artist në Shkodër, asht nji peshë pak ma e randë se në ndonji qytet tjetër, prejse Shkodra ka ngjizë kolosë në art e letërsi.

Me arritë statusin e artistit në Shkodër, asht privilegji ma i madh që mund të kem.

Cila gjë është më e vështira për ty?

Me kapërdi dhimbjen.

Ç’të bën të tejkalosh konvencat, rregullat?

Nuk prirem me thy rregullat, por kajherë i tejkaloj rregullat që s’më bindin. Për me tejkalue rregullat mundet me u ba shkas nguti që kam me arritë diçka, kurioziteti, rebelizmi, euforia…, veçse unë po flas për rregulla që mund të thyhen pa shkaktue dame fatale.

Përse je e lumtur çdoherë? Apo ashtu të nxjerrin fotot dhe poezia?

Po ndihem mirë prej këtij konstatimi. Nuk e kam stil me u shtirë në foto, e derisa ju po më thoni se portreti jem rrezaton lumtuni, më ban me besue se lumtunia asht diçka që gjallon papra n’mue. Anipse lumtunia për mue asht nji koncepet paksa abstrakt, si çdokush, jam e prirun me besue se lumtunia asht caku që duhet me u arritë për me kenë i plotësuem si qenie humane.

Nisun nga ky perceptim, jam e bindun se në çdo hap që kam hedhë në jetë, kam pasë si udhërrëfyese lumtuninë, pra kam rendë për me prekë lumtuninë, kam marrë dije e kam përsosë vedin me lexime të bollshme, kam dështue e prore kam provue, kam qa e jam dehë, por prore kam vazhdue në nji udhë aspak të lehtë me u përshkue. Jam përpjekë me krijue nji familje të bukur, i jam përkushtue të shkruemit dhe fotografuemit, kam kambëngulë me realizue andrrat e ndoshta ky asht çilci i lumtunisë teme. 

ObserverKult

Lexo edhe:

ILIRE ZAJMI: ATA QË KANË GUXIM TË ËNDËRROJNË, ARRIJNË LARG