Rrëfehet bashkëshortja e Petraq Kolevicës: Si më kërcënuan sigurimsat në zyrë! Do të degdisim…

Konstruktorja e ndërtimit të shumë objekteve industriale dhe shoqërore në gjithë Shqipërinë rrëfehet për kapitullin profesional në jetën e saj. Pesha e përgjegjësive, mandej martesa me arkitektin e mirënjohur, Petraq Kolevica, do e lëkundte jo pak jetën e saj familjare.

Akuzat direkte politike ndaj të shoqit dhe si ai i shpëtoi burgimit. Survejimet e shpeshta të Sigurimit të Shtetit në zyrën e saj të punës apo tentativat e akuzave për sabotim në spitalin e Përmetit janë vetëm një pjesë e eksperiencës jetësore të gjermanoshqiptares, Edith Logoreci Kolevica.

Pakkujt që lëviz kalimthi nëpër Shqipëri apo që rastësia e çon nëpër qytete të ndryshme të vendit, e di se shumë prej ndërtesave të rëndësishme publike, si spitalet shtetërore apo objekte industriale, si fabrika dhe uzina (sot të dalë jashtë funksionit dhe të braktisura në mëshirë të fatit) mbajnë autorësinë e punës së një shqiptaro-gjermaneje, siç është edhe Edith Kolevica.

Inxhinierja e ndërtimit, që u njoh me zbatimet në terren që në moshën 25- vjeçare, edhe pse me nota nostalgjie, tregon për këtë pjesë të bukur të jetës së saj, që i ka dhënë më shumë se kënaqësi. Puna e bërë me përkushtim e profesionalizëm do të vlerësohej shumë vite më vonë me disa fletushka lavdërimi apo medalje pune, që një Zot e di se kujt i hyjnë në punë! Të paktën, protagonistes, e cila gjithnjë ishte e shënjestruar për t’u larguar nga puna, e që asnjëherë nuk përfitoi si kolegët e saj rritjet e përvitshme të pagave, nuk i vlejtën asnjë kacidhe.

Ngase martesa e të atit me një gjermane mund të kish ndikuar në të? Apo martesa me arkitektin e njohur, Petraq Kolevica, që i shpëtoi në fije të perit burgosjes, për shkak të akuzave direkte për prirje moderniste në punët e tij arkitekturore? Edith Kolevica ka rrëfyer kohë më parë për suplementin “Unë Gruaja.”

Zonja Edith, fëmijëria juaj endet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, vendlindjet respektive të dy prindërve tuaj. Çfarë kujton me nostalgji sot?

Janë shumë kujtimet nga ajo periudhë e jetës sime. Ime më ka lindur në qytetin Nojtiçain (zona e Sudeteve në Çekinë e sotme, në kufi me Gjermaninë), ndërsa babai ishte puro shkodran. Duke qenë se im atë, Gjon Logoreci, bëri shkollën e lartë për Agronomi në Gjermani, atë ditë që u njoh me mamanë, Rozën, gjendej rastësisht në një mbrëmje vallëzimi që zhvillohej me të rinjtë studentë të asaj kohe. Ajo një bionde bukuroshe, ndërsa babai zeshkan me tipare të theksuara, por që nuk dinte të hidhte asnjë hap kërcimi. Më vonë më kanë treguar që në atë mbrëmje, sytë e tyre janë takuar dhe arsyeja ka qenë sigurisht kërcimi. Prej asaj dite nisi historia e tyre e dashurisë, fejesa e celebrimi i shpejtë dhe gjithë ecejaket e mamasë mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Besoj se nëna juaj dinte shumë pak për vendin tonë. Ç’ju tregonte për përshtypjet e para në tokën e të shoqit?

Gjyshi nga ana e mamasë ishte kundër kësaj martese, nisur nga fakti se asnjë prind nuk dëshiron që fëmija t’i shkojë larg. Për herë të parë kur ime më erdhi në vendin e lindjes së bashkëshortit, asokohe ata jetonin në një banesë në Rrugën e Kavajës. Gjatë natës, kur kish rënë për të fjetur, kishte dëgjuar zërin e hoxhës që këndonte në minare. Ishte zgjuar e trembur dhe kishte dalë nga shtëpia. E në këtë kohë, të gjithë pjesëtarët e tjerë kishin brofur në këmbë të trembur se çfarë pati nusja…

Në fakt, mamaja kishte menduar se mos vallë ishte dikush që bërtiste dhe kërkonte ndihmë, nuk dinte asgjë për hoxhën. Një tjetër eksperiencë, që ajo deri vonë e kujtonte duke qeshur, ishte momenti kur për ta nderuar, familjarët e babait e kishin qerasur me kadaif. Dhe nëna që nuk e përtypte dot, sepse i dukej e çuditshme se si disa fije të holla të qullura në sherbet, të servireshin si ëmbëlsirë për miqtë specialë.

Por, asnjë nga këto episode të çuditshme, as edhe periudha e jetës së tyre në Durrës, ku ime më dilte me kova e bidonë në dorë për të pritur fshatarët me gomarë që sillnin ujë (për shkak të mungesës së ujit të pijshëm), nuk e stepën përballë vendimit të saj për të ndarë jetën me një burrë shqiptar. Në aspektin e përshtatjes ka pasur shumë probleme, sepse vinte nga një vend më i zhvilluar, siç ishte Gjermania.

Ju lindët në qytetin e Durrësit, por për disa vite u detyruat të shpërnguleshit në Gjermani. Pse?

Periudha e tri viteve të para të fëmijërisë sime përkoi me vitet kur në Shqipëri sapo kishin hyrë forcat pushtuese italiane. Ishim të gjithë në rrezik, sikundër edhe pjesa dërrmuese e shoqërisë në atë kohë. Vendi ishte i rrethuar me ushtarë, me njerëz të armatosur dhe mamaja e pa të arsyeshme që për të ruajtur kokën të arratiseshim tek tezja në Gjermani, ku besoj se kam kaluar fëmijërinë më të bukur.

Ndonëse e vogël, ndihmoj mamanë me punë vullnetare për të pastruar borën e qytetit. Ishte dimër i ftohtë. Kam përjetuar festat më të gëzueshme atje, Krishtlindjet më të bukura, plot bollëk dhe dhurata. Asnjëherë nuk kam për t’i harruar ato momente të gëzueshme me mamanë, motrën e vogël në një vend shumë ndryshe nga ai prej të cilit vija. Pas thuajse katër vitesh qëndrimi vendosëm të ktheheshim. Babai doli për të na pritur në Romë dhe prej andej udhëtuam me anije për në Shqipëri.

Martesa e babait me një shtetase me kombësi të huaj nuk ka kaluar pa vëmendje në sistemin politik të asaj kohe. A ka pasur momente kur jeni ndier e kërcënuar?

Peshën e opinionit apo të paragjykimit e kam ndier që herët në moshën e fëmijërisë. Ngacmimet e para nisën në momentin kur duhet të hyja si pioniere në rrethin e nxënësve të dalluar të qytetit. Atë ditë na mbledhin të gjithëve në një klasë, dhe një drejtues i lartë i shkollës ishte i ngarkuar të merrte në pyetje një për një të gjithë nxënësit.

Me mua u morën plot një orë e gjysmë, duke më pyetur me detaje për gjithçka, më pyetën se si ishte njohur nëna me babanë, se cilët ishin miqtë e tyre, çfarë lexonin çfarë muzike dëgjonin, e plot detaje të tjera. Aq sa nga zgjatja e tepërt e mbledhjes me mua, vjen një bashkëmoshatar imi, hyn në sallë dhe i shqetësuar pyet se mos do më bënin mua anëtare të Byrosë Politike, ngase po zgjateshin kaq shumë me pyetje sfilitëse. Jam frikësuar shumë atë ditë…

Si u bëtë inxhiniere ndërtimi, e zgjodhët këtë degë, apo…?

Ëndërroja për Fakultetin e Mjekësisë, por si specialitet doja farmacinë. Ndonëse kisha rezultate të shkëlqyera, faktorët pengues ishin të shumtë, ndaj asnjëherë nuk munda të marr degën e dëshiruar, por atë që më dha shteti, partia. Një arsye besoj se ishte kombësia gjermane e nënës. Në atë kohë shihej me imtësi çdo detaj i biografisë dhe prejardhjes familjare. Studimet e larta më dolën për teknike ndërtimi. Kam qarë një ditë të tërë, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Dega e ndërtimit ishte shumë e vështirë, për më tepër që shumica e prurjeve ishin meshkuj.

Puna juaj nuk mund të ishte vetëm në zyrë, sa i vështirë ishte terreni?

Gjatë kohës që ndiqja shkollën, vendosa të hyj edhe në punë. Më doli një profil pune në gjeologji, si topografe në zbatim, në qytetin e Memaliajt. U shpërndamë si familje. Babai ishte në Fier me punë, nëna në Tiranë, unë në Memaliaj, ndërsa motra e vogël kish ndërruar jetë disa vite më parë, për shkak të meningjitit. Ra një epidemi asokohe, dhe për mungesë antibiotikësh ajo ndërroi jetë. Me kalimin e viteve, nisa të punoja si teknike në ndërmarrjen “Projekti” (më vonë Instituti i Projektimeve). Llogaritjet i bëja me mendje, ndërsa kur u bëra inxhiniere, edhe një tra një metër e gjysmë do e llogarisja me laps e letër. Punën e kishim me normë dhe peripecitë ishin të shumta. Puna ishte zinxhir dhe, nëse vetëm një hallkë këputej, i gjithë mundi shkonte dëm. Në shumë raste më ka ndodhur që në zbatimin në terren llogaritë të mos dalin të njëjta dhe presioni ishte mjaft i madh. Në mes të natës apo ditës, kudo që të gjendesha, nisesha urgjent në objekt, për të prekur nga afër problemin e për t’i dhënë një zgjidhje. Ishte punë me shumë përgjegjësi.

Ç’vepër industriale apo publike mban firmën tuaj?

Gjatë periudhës kur punoja, nisa njëherësh edhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, por natën, pa shkëputje nga puna. Punova në këtë ndërmarrje si inxhiniere konstruktore e shumë objekteve në vend. Fillimisht kam realizuar konstruksionin e një sërë objektesh banimi në rrugën “Parrucë” në Shkodër. Kam bërë spitalin e Tropojës, atë të Kukësit, Burrelit, Çorovodës dhe Përmetit. Kam realizuar spitalin e të sëmurëve me probleme mendore në Shkodër.

Ndërsa në Korçë kam bërë Fabrikën e Duhanit, e cila ishte e para ndërtesë me elemente montazhi, çka do të thotë se të gjithë elementët, duke nisur me trarët, përgatiteshin fillimisht dhe më pas montoheshin. Gjithashtu kam punuar për ndërtimin e disa fabrikave nëpër qytete të ndryshme të vendit. Kam realizuar konstruksionin e Fabrikës së pasurimit të kromit në Kalimash, të bakrit në Fushë-Arrëzin e parë dhe të dytë, Fabrikën e Bakrit në Rehovë, furrës së gëlqeres në Maliq e një seri ndërtesash të tjera. Secila për mua ka qenë një përvojë më vete, absolutisht e paharruar.

Cili ju ka hapur më shumë punë?

Çuditërisht më rezultoi spitali i Përmetit më problemanti. Herën e parë që pata probleme, plasën “mishrat” e dritareve. Pasi pashë nga afër gjendjen, u thashë që t’i hiqnin dhe t’i bënin beton arme dritaret, por që të realizohej kjo, duhej të mbështeteshin trarët e tri kateve. Një ditë, siç po punonim, vijnë dy njerëz të Sigurimit, që më pyesin mua ç’kishte ndodhur dhe unë me sinqeritet i përgjigjem për situatën, një çarje e dritareve, me siguri ndonjë gabim në llogaritje.

Ndërkaq, pashë që gjithë njerëzit rreth meje u larguan, dhe mbeta vetëm unë dhe ata dy të panjohurit. Dy zotërinjtë donin të mësonin nëse kisha bërë sabotim, apo jo. Dhe kur kthehem në Tiranë, më thërrasin dhe më bëjnë kritikë se pse i pranova të gjitha mbi supe. Një problem tjetër, po në spitalin e Përmetit, më doli gjatë punës fizike. Më vjen telegram, ku më thonë se spitali i Përmetit ka plasur i gjithi nga tavani i katit të fundit në dysheme. Mendova seriozisht të vrisja veten, sepse nëse kjo ngjarje ishte e vërtetë, me siguri do të akuzohesha për sabotim të punës dhe pasojat do të binin edhe mbi familjarët.

Kur shkova në objekt, konstatova që spitali kishte bërë fugë (kishte krijuar hark në zona të caktuara), sepse ishte ndërtuar në tri lloj okash. Bëmë mbushjet e fugave dhe gjithçka doli me sukses. Hera e tretë prapë me spitalin e Përmetit, më thanë që ka plasur soleta, por në fakt granili i dhomës së operacioneve kishte gjetur një hapësirë të lirë e kishte plasur. Të gjitha këto ishin shqetësime e tensione të mëdha për mua. Ruheshim ndaj çdo veprimi.

As martesa me arkitektin e njohur, përkthyesin, e më vonë poetin Petraq Kolevica, nuk e paqtoi jetën tuaj, apo jo?

Me Petraqin punonim në një zyrë të ndërmarrjes “Projekti”. Ai si arkitekt dhe unë si inxhiniere ndërtimi. Shpesh bisedonim për shijet tona muzikore, për të përbashkëtat e profesionit. Krejt natyrshëm lindi edhe ndjenja jonë, derisa në vitin 1961 u fejuam. Sigurisht që martesa me të më vonë do të sillte të tjera probleme, jo për shkak të tij, sesa për shkak të punës. Ai u akuzua rëndë nga pushtetarët e kohës, udhëheqja, duke nisur nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Ky i fundit i kishte vendosur një kryq të madh projektit që Petraqi i kishte dorëzuar në zyrë për një objekt të madh ngjitur me Bankën e Shqipërisë. Akuzat ishin për prirje të tij kah “arkitekturës moderne”, çka solli edhe pasojën e paevitueshme të largimit të tij nga puna. Nuk e kam kritikuar kurrë tim shoq, sepse e shihja se si punonte plot me përkushtim. Kur unë dhe dy vajzat shkonim në plazh, Petraqin e linim gjithmonë në Tiranë duke punuar për projektet e tij aq shumë të njohura, siç janë edhe Muzeu Historik Kombëtar apo Biblioteka Kombëtare, e shumë objekte të tjera civile në vend. Gjithnjë kam qëndruar në krah të tim shoqi, pasi kam njohur devotshmërinë dhe profesionalzimin e tij në punë.

Akuzat e ngritura ndaj tij patën pasoja te ju?

Absolutisht po. Në atë kohë e përjetuam shumë keq çështjen e tim shoqi. Një ditë më trokitën në zyrë njerëz të Sigurimit dhe më thanë se sipas tyre u kishte shkuar në vesh që nuk punoja siç duhet, dhe mund të më degdisnin diku tjetër. Ndërkohë që më nisën të dridhurat në trup, një koleg i zyrës ngrihet nga karrigia dhe i thotë që unë isha e përkushtuar në punë, dhe se normën 120% e plotësoja gjithmonë. Ndërsa çdo herë bëheshin listat për largimet nga puna në institut, emri im ishte i dyti në listë, pas inxhinierit të parë që kishte studiuar në Hungari. Gjithashtu mbaj mend që asnjëherë nuk ma miratuan rritjen e rrogës, siç e merrnin të gjithë kolegët, për të njëjtat shkaqe.

Nuk u ndjetë asnjëherë e vlerësuar?

Ndiej trishtim tani që më pyet për këtë gjë… Në fund të karrierës sime kam ndier vlerësim dhe jo privilegj, kur më vlerësuan me disa fletë lavdërimi, dhe me një Urdhër Pune të Klasit të Dytë dhe të Tretë. Me siguri edhe vetë personat që na i dhanë këto vlerësime, nuk e dinin kuptimin e rëndësinë e tyre. Për mua, puna ka qenë gjithmonë kënaqësi me shumë përpjekje dhe përkushtim profesional, në çdo kohë dhe sistem në të cilin kam punuar.

Ndarja e bashkëshortëve për arsye “politike” ishte e shpeshtë asokohe, ju shkoi ndonjëherë në mend?


Asnjëherë. Me Petraqin, përpara se të lidheshim si bashkëshortë, ishim miq të ngushtë me njëri-tjetrin. Duke pasur edhe profesionin të përafërt, konsultoheshin bashkë thuajse për gjithçka. Merrja gjithnjë mendimin e tij, sepse më dukej më profesionist dhe i zoti në atë që bënte. Kemi ndarë bashkë shumë përvoja pune të gëzueshme, sikundër edhe problematike.

Edhe atë ditë kur në Pallatin e Kulturës mbi tim shoq u voll vrer e ku Petraqi rrezikonte të hynte në burg, pasi ishte kritikë direkte që i vinte nga Byroja Politike, i kam hedhur dorën në sup dhe ashtu kemi dalë të dy nga salla. Disa vite më vonë, miq të tij menduan se unë do ta ndaja Petraqin pikërisht për këto problematika, por kurrë nuk më shkoi në mendje një gjë e tillë. Të dy bashkë u përpoqëm me punë të ndershme dhe shumë përkushtim të krijonim një familje të shëndoshë, bashkë me dy vajzat tona, Ana dhe Stela.

Ishte kjo e shkuar, që e shtyu bashkëshortin tuaj të kandidonte për deputet të Partisë Demokratike?

Në fillim të viteve 90′, im shoq ishte ndër përkrahësit e parë aktivë të frymës demokratike në vend, ndofta edhe për pasojat që la sistemi i mbrapshtë komunist. Ndërsa, një vit më pas ai ishte anëtar i këshillit botues të gazetës “Rilindja Demokratike”, po atë vit ai zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e parë pluralist postkomunist. Duke qenë një periudhë afatshkurtër, që zgjati thuajse një vit, mund të them se ishte një vlerësim për tim shoq, me gjithë tensionet që mbart politika në vetvete.

Diskutonim bashkë për të gjitha ngjarjet politike e shumëçka tjetër. Përpos politikës, Petraqi kishte një aktivitet të ngjeshur letrar, me një seri botimesh që mbanin firmën e tij. E kam mbështetur tim shoq në çdo hap të jetës së tij, edhe në pjesën e krijimtarisë së gjerë.

Dhe cilat janë vëllimet që keni më për zemër?

“Kuja e kohës”, një autobiografi që rrëfen jetën e tij përmes dy personazheve të tjera. Janë gjithë vështirësitë që ai ka kaluar në lëkurë. Për zemër kam edhe librin “Arkitektura dhe diktatura”, një qasje mes profesionit e sistemit politik në të cilin punoi Petraqi./Suplementi i Gazetës Panorama/ Une Gruaja

ObserverKult

——————

LEXO EDHE:

Petraq Kolevica: Te porta e shtëpisë la vulën e dashurisë