Kur rrëfehej Ismail Kadare: Si u dënuan Lubonja dhe Paçrami…

Ndër ta është përmendur edhe Fadil Paçrami e Todi Lubonja, dy personalitete që u dënuan pas festivalit të 11-të dhe Plenumit të Katërt. Gjatë hetuesisë ata janë pyetur edhe për raportin me Ismail Kadarenë. Ky i fundit, tashmë i ndjerë, kishte gjetur rastin të tregojë për këto dy figura dhe marrëdhëniet me ta.

Nga Alda Bardhyli

Gjatë Plenumit IV, qëndrimi i Hoxhës ndaj shkrimtarëve dhe artistëve të konsideruar si liberalë do të ashpërsohej. Një pjesë e tyre do të përfundonin në burg, mes të cilëve edhe Todi Lubonja, i cili ishte një nga miqtë e tu më të afërt, mbështetësi juaj për shkrimin e romanit “Dimri i madh”. Dokumentet e nxjerra këto kohë tregojnë se emri juaj ka qenë shumë pranë këtij grupi…?

Goditja ndaj Todit ishte një mënyrë për të trembur inteligjencën liberale, pasi ai ishte i lidhur me njerëz të tjerë me mendime liberale në poste të larta. Akuza ndaj tyre për “liberalizëm borgjez” e tregonte këtë. Hoxha ndoqi dy mënyra, intelektualët si Todi i dënoi me burgim të gjatë, ndërsa të tjerë që kërcënonin pushtetin e tij personal, u zhdukën në mënyra të ndryshme.

Po, në fillim emri im filloi të lakohej te grupi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, por, siç duket, Enver Hoxha reagoi duke menduar impaktin që vepra dhe emri im kishte në Perëndim. Atëherë, qarkulloi një shprehje e thënë prej tij: “Nuk dua t’i jap një disident Perëndimit”. Ishte ai që e ndaloi, pasi ndaj meje do të kishte reaksion në Perëndim. Njerëz që përballë ambasadës sonë në Paris kishin bërë provokime, i kishin dhënë disa paralajmërime. Në një librari atje u hap një vitrinë e madhe me librat e mi. Dhe fakti ishte se kishte interes të madh nga gazetarë, nga studiues të huaj, të cilët po prisnin zhvillimet në Shqipëri. Me gjakftohtësi mendova se kjo më ka mbrojtur. Librat e mi ishin futur me dhjetëra e mijëra në shtëpitë e njerëzve, nëpër biblioteka, kishin zënë vend kudo. Isha i ndërgjegjshëm për këtë, prandaj nuk kisha frikë..

Në procesverbalet e mbajtura gjatë marrjes në pyetje të Fadil Paçramit përmendet shpesh emri juaj. U referohem disa të tillave që kam gjetur në dosjen tuaj të dhënë nga Autoriteti i Dosjeve…

Gjatë proceseve hetimore, Paçrami ka pranuar se pikëpamjet e tij përkonin me pikëpamjet e shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë, mes të cilëve isha edhe unë. Ishte zakon i komunizmit që, kur dënoheshin intelektualët, gjëja e parë që bënin ishte të pyetej rrethi i tij.

Unë kam pasur pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë në çështjen e trajtimit të konflikteve në fushën e letërsisë, artit e kulturës. Konfliktet në gjirin e popullit i kam nxjerrë më të mprehta seç duhej, veprim ky që shpinte në zgjidhje të padrejtë, në kundërshtim me vijën e Partisë, të konflikteve në gjirin e popullit… Me këto pikëpamje kam inkurajuar edhe krijuesit e tjerë për të trajtuar çështjen e konflikteve po në këtë mënyrë. Biseda të tilla për këtë çështje kam zhvilluar me Ibrahim Uruçin, Kujtim Spahivoglin, Bardhyl Kosovën, Riza Hajron, Qamil Buxhelin e Ismail Kadarenë… Në këto pikëpamje unë kam shtrembëruar realitetin tonë, duke e trajtuar burokratizmin si një fenomen që ka marrë përpjesëtime të gjera te ne, aparatet dhe administratat tona krejt të burokratizuara dhe drejtuesit si burokrat…” apo “… Një fenomen tjetër i dëmshëm në poezinë tonë ka qenë edhe krijimtaria që e shikonte gjithçka me syrin kritik në realitetin shqiptar. Kjo lloj poezie, në fakt, merr karakterin e denigrimin e vetë jetës dhe të sistemit tonë. Këtu përfituan krijuesit, që kishin qëllime jo të drejta dhe, në fakt, iu kundërvunë vetë zhvillimit tonë. Kjo tendencë është dukur në poezitë e Faslli Halitit dhe te Ismail Kadareja”. Deponimet e tij janë krejt të natyrshme nën presionin ku ndodhej. Fadil Paçrami ishte përparimtar, megjithëse ndante pikëpamje të kundërta për figurën e Skënderbeut.

Jeni takuar me Todin pas daljes së tij nga burgu? Si ka qenë takimi i parë me të pas burgut?

Absolutisht që po, e kam takuar. Takimi i parë ka qenë në Vjenë. Unë ndodhesha atje për një konferencë letrare, ndërsa ai kishte shkuar në një mbledhje ndërkombëtare. Pasi e kishte marrë vesh se ndodhesha atje, më dërgoi fjalë në hotel, madje ambasada jonë më njoftoi. Biseduam për shumë gjëra. Ai e ndiente se do të vdiste shpejt.

A keni biseduar me të lidhur me të birin, Fatosin, i cili prej vitesh ka një qëndrim kritik ndaj veprës suaj?

Po, kemi biseduar gjatë. Nuk do të doja të flisja për një raport kaq hyjnor si ai prind-fëmijë, duke dashur ta mbaj në kujtesë lëndimin e tij për këtë.

Si u dënuan Lubonja e Paçrami pas Festivalit të 11-të

Festivali i 11-të i Këngës në RTSH ishte reflektim i atmosferës liberale të fillimviteve ’70 në Shqipëri. Asnjëherë më shumë se atëherë, shqiptarët nuk ishin ndier aq afër Perëndimit. Festivali i 11-të ishte një simotër e Sanremos, aq të ndjekur në ato vite. Por duket se ishte vetëm një iluzion dhe festivali u kthye në një rast për të vënë në shënjestër një grup intelektualësh, ku pa dyshim ndër më kryesorët ishin Todi Lubonja e Fadil Paçrami. Lubonja shkarkohet. Por ky ishte vetëm fillimi. Festivali u pasua nga Plenumi IV, që solli dënimin e shumë emrave të rëndësishëm të artit. U ndëshkuan me dënime, burgime, internime dhe madje pushkatime organizatorët dhe pjesëmarrësit e atij festivali: regjisorë, këngëtarë, instrumentistë, konferencierë,.. që nga Mihal Luarasi, Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu, Sherif Merdani, Gëspër Çurçia etj.

Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, të cilët Enver Hoxha i quajti “rrufjanë politikë”, përfunduan në burg për veprimtari armiqësore si pjesëtarë të të ashtuquajturit “grup liberal”. Familja e Lubonjave internohet në Torovicë të Lezhës, ndërsa i biri i tij, Fatos Lubonja, bën gjithashtu burg politik si i ati. Lubonja doli prej andej vetëm me erën e ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Ndërsa Paçrami u shkarkua nga të gjitha funksionet e larta që mbante deri në të kohë, iu hoq mandati i deputetit që e kishte nga viti 1947. Më 15 shtator 1973, Kuvendi Popullor e shkarkoi nga detyra e kryetarit të tij. U arrestua më 20 tetor 1975 si “armik i popullit” dhe u dënua për agjitacion e propagandë, burgimi i tij zgjati deri më 17 mars 1991. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe në afërsi të Elbasanit. U lirua vetëm dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste.

Pas këtij plenumi të frikshëm, atmosfera e ankthit do të sundonte mbi artin dhe kulturën, të cilat u shndërruan në instrumente të pastra propagande. Çdo frymë lirie u asfiksua, duke ua lënë vendin shablloneve të realizimit socialist./(konica.al)

ObserverKult


Lexo edhe:

VIDEO: ISMAIL KADARE APO DRITËRO AGOLLI, CILI ËSHTË MË I MADHI?