Venitja e hijes në romanin “Stina e hijeve” të Virion Graçit

Virion Graçi

Nga: Mërgim Bekteshi

Ballkani merr pamje të zymta në lagështinë e tepruar të vjeshtës që shpesh pasohet me dimrin zemërak, kurse pranvera me verën janë asimetrike, prandaj stinët përkufizohen nga populli: “gjashtë muaj verë e gjashtë muaj dimër”.

Këto stinë të shthurura ngacmojnë mendjen e mprehtë intelektuale sidomos të prozës romanore të Virion Graçit, i cili i shkoqit këto panorama në prozë me pamjen gri të një kohe të turbullt. Padyshim, së bashku me stinët, duhet të jenë të dyshimta edhe karakteristikat e sistemit shoqëror të organizimit, ashtu siç është i dyshimtë vetë Ballkani me ngjyra të zbehta, me trille e histori luftërash, emigrime e vuajtje popujsh deri në palcë.

Në vitin 2014, Virion Graçi solli para lexuesve romanin “Stina e hijeve”, roman me përmbajtje dhe frekuenca nga popujt e Ballkanit të përvuajtur. Romani është i ndarë në katër kapituj, sikur katër stinë të vitit, katër skena të ndryshme, dramatike, histori të ngjeshura dhe që shpesh të rrëqethin, të bëjnë të pyesësh: çka pas kësaj ngjarje?

Jehona e pakënaqësive sociale dhe ndërrimet e sistemeve shoqërore-politike ndjellin ters në popull, duke shfaqur një rend të ri me vetëm dy klasa: të pasurit dhe të mbijetuarit, por që të njëjtit i ndjek hija. Graçi, me një mjeshtri të rrallë, arrin të rrëfejë përmes katër apo pesë personazheve jetën e skëterrshme të një familjeje shqiptare, bandat dhe grupet kriminale, deformimin e sistemit shoqëror që shoqërohet me një masë të madhe pasigurie.

Pa u ndalur në strukturën gjuhësore, që është aq e pasur dhe e rrjedhshme, ngjarja fillon me jetën e një emigranti shqiptar në Greqi, punëtor në një lokal bastesh, që ka moton “nuk ka humbës, sepse nuk ka fitues” dhe filtrat e tij ndaj një emigranteje e cila del të jetë një bashkëkombësja e tij. Graçi përkund një kujtesë që vazhdon akoma të jetë e pranishme në shoqërinë shqiptare, sa në Shqipëri aq edhe Kosovë: ikja nga atdheu.

Ikja jo vetëm për një jetë më të mirë apo të dinjitetshme në raport me normat e civilizimit dhe përqafimit të demokracisë. Kur jeta e njeriut merr tatëpjetën në mungesë të normave shoqërore të mirëfillta, ai duhet të zgjedhë metodat e ndryshme të mbijetesës. Mbijetesa është shthurje e kujdesit shoqëror.

Një banor i Shqipërisë, mësues dhe në cep të varfërisë, së bashku me vajzën emigrojnë në Greqi. Vajza e tij Elona vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Në vendin e saj, ky trajtim është i pamundshëm. E  pashërueshme është edhe ëndrra e saj të regjistrohet në fakultet, për shkak të bërrylave të fortë që ka shoqëria shqiptare duke pasur emërues të përbashkët korrupsionin, snobizmin, pra si çdo kund tjetër në Ballkan.       

Një baba i cili është në varfëri të skajshme, me pagë të dobët, detyrohet të gjejë zgjidhje në shtetin fqinj. Me një status jo të qëndrueshëm juridik në vendin e huaj, ai detyrohet të bredhë e të kërkojë ndihma financiare për vajzën e cila lëngon. Në këtë mjedis ku problemet sociale nuk duken që kanë një dritë jeshile, grupet kriminale zënë një vend të rëndësishëm dhe dominant, aq sa bëhet e vështirë që shteti i leckosur në të dyja anët e kufirit t’i vërë nën kontroll.

Graçi nuk ka paragjykime kur përshkruan jetën e një bastexhiu, taksistin ilegal, korrierin që end vjegëzat e punëve gri, nënën e cila dergjet me mallin për të bijën, babanë e Elonës, i copëtuar, të cilit nuk i shfaqet as hija.  Bisedat, komunikimet, monologët, ai i paraqet ashtu siç ishin dhe akoma mund të jenë.

Personazhi i tij e kupton se hija nuk shfaqet vetëm pranë rrapit, por në çdo objekt tjetër, kobi dhe e errëta e saj e shoqëron njeriun. Njeriun e Niçes, i cili nuk mund ta përditësojë se ka vdekur Zoti apo ende duhet të kemi shpresa në të?!

Ky personifikim i “hijes” e ndjek me trokëllimë autorin. Shpesh, kur lajmëtari duket i paarritshëm ose bart ndonjë porosi memece, dëgjohet: Kali i zi i vdekjes, kali im i dyshimtë etj. Këto parafytyrime të personazheve, sidomos të familjes së Elonës, autori i shpreh me ankth dhe plot ndjenja të përziera.

Në kapitullin e dytë dhe të tretë kemi personazhe të tjerë që janë në lidhshmëri me familjen e Elonës apo kanë një emërues të përbashkët. Edhe kjo tablo është e errët, nuk shfaq nuanca të tjera të ngjyrave për aktualitetin shqiptar, por hedh në dritë dyshimet e njeriut me zanafillë në mosmarrëveshjet e bijve të Adamit biblik. Në këtë profilizim, kemi edhe situata dhe tregime që shkëputen nga fati i familjes së Elonës, kur personazhet tregojnë kulturën dhe zhvillimet e tjera dramatike në jetën e tyre para se të ndodhte eksodi.

Në kapitullin e fundit, që përmbledh tërë forcën dhe energjinë e autorit, kemi monolog tejet të rrëqethshëm për vdekjen e Elonës në Greqi dhe kthimin e saj në mënyrën klandestine duke u shfaqur si pasagjere në taksi, që është shmangie nga taksat, po të përdorim gjuhën juridike. Babai i saj përmes taksistit ilegal arrin të korruptojë sistemin andej dhe këndej kufirit.

Taksisti bart kufomën e Elonës me disa improvizime për t’u shfaqur sikur e gjallë. Pra, ringjallet mitologjia e Kostandinit dhe Doruntinës pas shumë e shumë shekujsh, vetëm me një trajtë më ndryshe. Kjo tragjedi duket se nuk është e rastësishme në Ballkan, aq sa nuk janë të rastësishme legjendat që kanë krijuar personifikime të dyshimta. Por, diçka të vërtetë në këtë mjedis të dyshimtë mund të gjendet, ashtu siç pretendohet me prezumimin e pafajësisë, kur shpesh ngatërrohet viktima me të dyshuarin.

Shqipëria, në raport me popullsinë e saj, ka prodhuar gjithmonë krijues të suksesshëm, si në kohën e diktaturës ashtu edhe pas saj, të cilët, me një mjeshtëri të veçantë kanë sjellë inovacione në letërsi. Në këtë  diskurs, Graçi sjell një vlerë të lartë artistike jo vetëm për nga kultura gjuhësore që e ushtron me fanatizëm, por edhe për nga tematika që është tejet e ngjeshur, sa nga kuptimi sociologjik, aq edhe antropologjik, për ndodhitë e popujve në Ballkan.

Pra, në këtë vështrim, ai rrëfen edhe strukturën dhe organizimin e dobët shoqëror, normat juridike të zbehta që zbehin mirëqenien sociale të njerëzve. Virion  Graçi është autor edhe i shumë romaneve të tjera me motive të ndryshme, por gjithmonë në përkujdesje të kujtesës shoqërore, rrethanave historike dhe tendencës për të përmirësuar jetën dhe organizimin shoqëror.


Lexo edhe:

SIMBOLIKA E AMBIGUITETIT TË VDEKJES DHE IMAGJINARJA MES VDEKJES DHE JETËS, NË ROMANIN “800 HAPA LARG VENERËS,” TË VIRION GRAÇIT