Rrëfehet përgjegjësja e skenës në Teatrin Kombëtar: Përvoja si aktore përkrah Robert Ndrenikës e Tinka Kurtit…

Griselda, përgjegjësja e skenës rrëfen Teatrin Kombëtar ‘pas kuintave’: Si është të punosh me bashkëshortin aktor, Myzafer Ziflën! Përvojat si aktore në krah të Ndrenikës e Kurtit!

Griselda Rushanaj, përgjegjësja e skenës rrëfen atë çka nuk shohim si spektatorë në Teatrin Kombëtar, nga përgatitja e shfaqjeve, tek sjellja e artistëve. Bashkëshorte e aktorit Myzafer Zifla, tregon si është të ndajnë të njëjtin vend pune

“Unë jap konfirmim për fillimin e shfaqjes. Deri në momentin që mbaron, derisa ikën dhe spektatori i fundit, fiken dritat e derisa nisim sërish ditën tjetër”.

Rushanaj prej korrikut të 2021 është zgjedhur si Përgjegjëse e Skenës në Teatrin Kombëtar. Kujton se shfaqja e parë me të cilën ka punuar ka qenë “Ferma e Kafshëve”…

“Shfaqja u bë në Amfiteatër e pati shumë sukses. Kemi punuar deri në orët e vona të natës dhe pas asaj shfaqje në shtatorin që pasoi nisën projektet e tjera.”- tha ajo

Është formuar në Itali, por me Artin e Kulturën, ka punuar për vite me radhë në Bashkinë e Fierit, ndaj kontaktet me artistët kanë qenë të vazhdueshme…

“Artistët vinin dhe si të ftuar apo dhe për projekte të ndryshme prandaj me trupën artistike nuk e pata shumë të vështirë.

E kisha punën shumë të lehtë. Por, duhet që të them dhe me stafin teknik dhe me administratën më kanë pritur shumë mirë dhe gjithçka mori rrjedhën e vet.”- vazhdoi ajo.

Dita e saj e punës nis në orën 9. Për çdo projekt të Teatrit, sa zënë fill provat në tavolinë. Paralelisht ajo koordinohet me stafin për punën me skenografinë, grimin, garderobën a rekuizitën.

“Në këtë periudhë prezenca dhe takimet janë me skenografin, kostumografin. Kjo, pasi që gjatë kohës që ata punojnë në procesin e tavolinës këtu përgatitet gjithë skenografia, kostumografia. Pastaj është procesi i ndriçimit më vonë.

Pasi procesi përfundon në tavolinë, aktorët vijnë në skenë. Ka raste që e gjejnë skenografinë gati, por ka edhe raste që gjatë provave në skenë vijohet me skenografinë.

Derisa arrihet në momentin e fundit, procesi i dritave, tre katër ditë janë impenjative me prova të lidhura.

Të gjithë komponentët bëhen bashkë dhe prova gjenerale, ku ftohen artdashës, media dhe familjarë. Pas saj vijon premiera e shumëpritur.’- vijoi ajo.

Rrëfen për shfaqjet më impenjative në skenë gjatë periudhës së fundit.

“Koreolani”, ajo ka qenë impenjative dhe komode, se dinte çfarë kërkonte dhe kur e kërkonte, por impenjative pasi ka pasur shumë aktorë.’- vazhdoi më tej.

Por, edhe shfaqja “Edmond” ka qenë impenjative, sepse jo për numrin e madh të aktorëve, por për karakteret e shumta që luante secili aktor.

Një aktor ka arritur që të luaj deri në katër a pesë role dhe dinamika e shfaqjes ishte shumë e shpejtë. Duhet që të ishe prezentë gjithë kohës.

Puna me artistët, për të është e shenjtë. E njeh mirë angazhimin e tyre, edhe prej bashkëshortit, Myzafer Ziflës, po ashtu aktor i Teatrit.

“Kemi kohë që punojmë në të njëjtin vend. Edhe më herët kam punuar në Bashkinë e Fierit dhe Myzaferi ka qenë aktor i Teatrit Bylys në Fier. Jemi mësuar me këtë.

Por, i lëmë hapsirën njëri-tjetrit, ai në punën e vet dhe unë në timen. Myzaferin këtu unë e konsideroj njësoj si të gjithë artistët e tjerë.

Madje mund të them se artistët e tjerë i “përkëdhel” pak më shumë se atë. Por dhe ai më konsideron si një punonjëse që duhet të bashkëpunojë me mua.”- vijoi ajo.

Nuk është e lehtë siç thotë, të ndash të njëjtin vend pune. Nuk mungojnë as kritikat, veçmas për shfaqjet ku luan Myzaferi.

“Njeriu i parë që pyet jam unë. Jam shumë shumë kritike. Por, edhe ai ndonjëherë me mua. Sigurisht që ka edhe grimca xhelozie.”- thotë Griselda.

Në këto rrethana, teatri i ndjek edhe në shtëpi.

“Kudo, me provat. Aktorët kur janë në një projekt flasin vetëm për këtë. Edhe kur kanë dhjetë minuta pushim, asnjë nuk flet për asgjë tjetër, perveçse për shfaqjen.

Unë përveçse i dëgjoj këtu, i dëgjoj dhe në shtëpi, sidomos në ditët që afron premiera.”- tha ajo.

Zbulon nga sjellja e artistëve në paskuinta.

“Shumë e mirë. Nuk ka probleme, nuk shikoj një që të thotë se ky është puntor skene. Por bashkëpunojnë me ne dhe atë që e kërkojnë e kërkojnë me shumë delikatesë.

Sigurisht që ka momente nervozizmi në prova të gjata, sepse ka lodhje. Por në përgjithësi janë shumë të mirë.”- vijoi ajo.

Ruan raporte të mira me secilin, por e ka një të preferuar.

“Në përgjithësi kam raporte shumë të mira. Shumë prej tyre i kam njohur që në Fier. Një prej tyre që e kam dhe mike dhe kolege të bashkëshortit tim. Ajo është Luisa Xhuvani, që unë kam shumë vite që e njoh.

Profesionalizmin e saj e njohin të gjithë. Por, janë të gjithë shumë të mirë.”- theksoi ajo.

Tregon se publiku i Tiranës është më i mësuari me Teatrin, por e ka një kritikë.

Jo vetëm në procesin e punës, Griselda ka provuar edhe emocionet e të qenit në skenë…

“Pas shumë vitesh kthehet nga jashtë dramaturgu e regjisori Pellumb Kulla në Fier, 2009, do të vinte një shfaqje dhe më pa e propozoi. Shfaqja ka qenë “Dikush duhet të vdesë”, me Luftar Pajën, ku kam njohur dhe Myzaferin.”- tha ajo.

Ka luajtur në pjesë si “Milioneri” apo “Vizita e dëmës plakë”. Ndonëse në role karakter ka interpretuar me emra si Robert Ndrenika e Viktor Zhusti.

“Kam luajtur dhe tek “Vizita e damës plakë”, një pjesë të vogël kam luajtur por ka qenë një eksperiencë për të mos u harruar se ka qenë me të madhen Tinka Kurti.”- theksoi ajo.

Është ndër punonjëset e fundit që largohet nga Teatri Kombëtar. Thotë se cila është ndjesia kur salla mbetet bosh e zhurma e duartrokitjeve, kumbon ende…

“Ndjesia dhe emocionet janë të shumta. Pasi kur sheh skenën dhe sallën bosh je shumë e lumtur që dhe një natë kaloi shumë mirë. Unë sinqerisht ta them, se kur mbaron shfaqja unë xhiroj me telefonin tim përshëndetjen. E bëj saherë, se i vetmi shpërblim që merr aktori është duartrokitja. Më beso.”- përfundoi ajo. / shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E FILMIT KU MATILDA MAKOÇI SHKËLQEU NË ROLIN KRYESOR

Shpresa ka një histori dashurie të pafat. I dashuri e ka lënë dhe ajo pati një abort. Ajo është shumë e dëshpëruar.

I mënjanon njerëzit dhe ka humbur besimin tek e ardhmja e saj. Por më pas njihet dhe bie në dashuri me inxhinierin e ri Piron.

Dashuria e re zgjon tek Shpresa interesin për jetën, por në të njëjtën kohë ka probleme me familjen e Piros”.

Kjo është historia e Shpresës interpretuar nga aktorja Matilda Makoçi në filmin me të njëjtin titull (“Shpresa”) më 1989.

Një interpretim që do të mbetej gjatë në kujtesën e publikut, si një nga rolet e mira të aktores Makoçi, e cila deri atëherë kishte interpretuar në disa filma si “Si gjithë të tjerët” (1981), “Në kufi të dy legjendave” (1981).

Pastaj “Apasionata” (1983), “Të mos heshtësh” (1985). Tutje “Hije që mbeten pas” (1985). Filmi erdhi si ekranizim i romanit “Bota ime” shkruar nga Dhimitër Xhuvani.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult