Rrëfenja parabolike e Mustafajt

besnik mustafaj...

Nga: Orjela Stafasani

Romani “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” i Besnik Mustafajt është një rrëfim alegorik që raportimin e gjendjes karantinore në të cilën përfshihet vendi e përdor vetëm si një pretekst për t’i shfaqur preokupimet e autorit jo vetëm në lidhje me temat që prekin dukshëm bashkëkohësinë, por edhe me procesin krijues. “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” nuk është vetëm roman i tematikave që krijojnë aluzione të forta me aktualitetin, por është edhe roman i lirisë formale, nisur nga prishja e kufijve zhanrorë deri te mosndjekja e një modeli të caktuar letrar.

Rrëfimi brikolar

Besnik Mustafaj, jo vetëm me këtë roman, por edhe me romanet e mëparshme të tij, nuk mund të përcaktohet si shkrimtar i një poetike të caktuar letrare, pasi veprat e tij, në aspektin formal, janë krejtësisht të ndryshme.

Për t’iu qasur analizës strukturore të romanit “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”, fillimisht duhet nisur nga shenjat paratekstore që ofron romani. Paratekstualiteti, si një ndër tipat e transtekstualitetit, edhe pse është më pak ekspliciti për t’i kuptuar lidhjet e tekstit bazë me tekstet e tjera, e grish lexuesin që, përmes këtyre shenjave parahyrëse në tekst, t’i aktivizojë njohuritë e tij enciklopedike. Titulli“366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”, shënimi (conarium) dhe përcaktuesi zhanror  roman, janë shenjat e para paratekstuale që japin një indicie të zhanrit: rrëfenjë-roman, ndërsa, fjala “conarium”, e bën lexuesin semiotik të thërrasë në kujtesë Dekartin. Shenja tjetër paratekstore, pasi gjithçka e paraqitur para se të nisë rrëfimi është e tillë, është epigrafi iniciues i romanit: “Jam tepër plak që të ngjesh pushkën dhe të luftoj/ si të tjerët – më ngarkuan për mëshirë rolin/ modest të kronikanit/ shënoj – një Zot e di për kë – historinë e rrethimit” i Zbigniev Herbertit, çka e kurthon lexuesin, përsëri, sa i përket zhanrit të veprës, duke e vërtitur mes zhanreve letrare rrëfenjë-roman dhe kronikës, si paraqitje faktike e ngjarjeve historike.

Romani i Mustafajt përbëhet nga 79 kapituj dhe nga një Annexe, që paraqet variantin e rrëfenjës të zhvilluar nga patoku Dindan. Sigurisht, linja fabulare dhe syzheu në këtë roman qëndrojnë larg konceptit të formalistëve rusë dhe romani ndërtohet si një bashkim pjesësh fragmentare ku përveç shumësisë së zërave (polifonisë), kemi edhe ndërrim të perspektivës narrative, ku narratori herë shfaqet si homodiegjetik, pasi, duke pasur rolin e kronikanit, ai bëhet dëshmitar i ngjarjeve që rrëfen, herë shfaqet si heterodiegjetik, kur rrëfen mbi patokun Dindan, maçokun Piko dhe djaloshin Kolec.

Rrëfimi në këtë roman është brikolar, jo vetëm në kuptimin e dialogimit me vepra të tjera dhe lidhjeve intertekstuale me tekste të ndryshme filozofike, letrare etj., por edhe në kuptimin e ndërthurjes së regjistrave të ndryshëm të ligjërimit. Ndryshe nga rastet e intertekstualitetit eksplicit apo implicit, narratori, apo zërat narrativë shpërfaqin njohuritë e përvetësuara nga shkenca, psikologjia, filozofia, astrologjia etj.

“366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”, pavarësisht se përmes evidentimit të elementeve të mësipërme mund të duket si një roman i shkruar sipas poetikës postmoderniste, është figura bazë e kësaj poetike, ironia dhe ironizimi me të kaluarën, që e largon nga postmodernizmi. Pasi ironia e Mustafajt është e kthyer mbrapsht, ai shërbehet me të kaluarën për ta ironizuar të tashmen.

Vepra mbetet “e hapur” në aspektin formal dhe strukturor, pasi siç thotë vetë autori në një nga epitekstet publike “përpiqem gjithmonë që në çdo roman ta rishpik teknikisht veten për ta shmangur përsëritjen, të cilën e shoh si shenjë të shterimit të asaj që joshkrimtarët e quajnë frymëzim”, duke na përforcuar idenë se autori nuk është ithtar i modeleve të caktuara letrare.

Kronika dhe fiksioni

“366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” është një alegori e madhe për epokën e sotme, që në të njëjtën kohë krijon sugjestione të vazhdueshme me situatën shoqërore dhe politike në Shqipëri.

Ndërthurja e personazheve kafshë-njerëz, nisja e kronikës me shkas dokumentimin e “shtetrrethimit-karantinimit” modern, “demonët” brenda autorit (Patoku Dindan si alter-egoja e Mustafajt), ferma si simbol i kontrollit dhe izolimit janë vetëm disa nga elementet që e stimulojnë këtë rrëfim alegorik.

Mustafaj, si kronikan i qytetit për periudhën e karantinës, merr rolin e dëshmitarit “të pakorruptueshëm” dhe përmes paralelizmave me të kaluarën komuniste, – shtetrrethim/karantinë; censurë/autocensurë – dhe krahasimi i babait të kombit të atëhershëm me të tanishmin – i cili ka pretendime për të qenë i tillë – paraqet ngufatjen e individit në një “diktaturë/sëmundje” të re, ku “babai i kombit”, përmes kontrollit, pretendon “shpëtimin” e tij. “Ai po merrte këtë barrë të madhe atërore si një sakrificë për ta shpëtuar shëndetin tonë, jetën tonë. Gjithsesi, do besuar se ai ishte mendërisht i përgatitur për një kalvar të tillë. Etapa e fundit e ngjitjes së tij në fron ishte shenjuar nga libri Kurbani, një shpalosje e ngjashme për nga qëllimi, jo nga përmbajtja, me Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re…/ Në kohë si kjo jona, me babanë e kombit në krye të vendit, heronjtë bëhen krejt të panevojshëm, në mos të dëmshëm.”

Por ky është vetëm një nga aluzionet që krijon vepra, pasi shqetësimi i Mustafajt i tejkalon kufijtë nacionalë dhe merret me problemet e epokës në të cilën jetojmë dhe me individin në veçanti, duke insistuar në rehabilitimin e vendit që zë ëndrra në qenien njerëzore. Deviza karteziane “Cogito ergo sum”, (“Mendoj, prandaj jam”) humbet utilitaritetin e saj dhe shndërrohet në “Somnis ergo sum” (“Ëndërroj, prandaj jam”). Autori bashkon realitetin e ëndrrës dhe zhgjëndrrës, duke na potencuar rëndësinë e të parës, e cila arrihet në të vetmen gjendje të barabartë për të gjithë njerëzit, atë të gjumit. “Sipas hartuesve të librit, dobia do të ishte që njerëzit të flinin sa më shumë dhe gjithmonë thellë…/ Gjumi, sipas tyre, është një mundësi e artë dhe e vetmja krejt e barabartë për të gjithë njerëzit…” Po ashtu, në epokën e inteligjencës artificiale, kur mendja njerëzore kontrollohet dhe aftësia konjitive njerëzore, zëvendësohet nga ajo kompjuterike, letargjisë mendore të shoqërisë bashkëkohore dhe kryesisht rinisë i shkon për shtati deviza “Argëtohem, prandaj jam”.

Romani i prish kufijtë mes reales dhe fiksionales, racionales dhe irracionales, ëndrrës dhe zhgjëndrrës, kafshëve dhe njerëzve, për t’u përmbyllur me rrëfenjën parabolike të patokut Dindan. E pyetjes nëse ferma e ashtuquajtur “Vendi i shqiponjave”, fermeri Kolë dhe patoku Dindan krijojnë asociacione me realitetin shqiptar, liderin dhe shkrimtarin, do t’i shkonte si përgjigje fundi intertekstual i romanit: “Gjithçka asht andërr/ nji andërr e bukur, nji andërr e keqe…/ merre si t’dush, njilloj asht.”

ObserverKult


Lexo edhe:

BESNIK MUSTAFAJ: BARDHYL LONDO REFUZOI TË PUNOJË ME SIGURIMIN KUNDËR ZHITIT… JU TREGOJ BISEDËN E FUNDIT ME TË