Visar Zhiti: Të duash, jo vetëm një ditë dhe në festën e dashurisë, por gjithë jetën…

Visar ZHITI

Nga Visar Zhiti

Të duash, jo vetëm një ditë dhe në festën e dashurisë, por gjithë jetën, çdo ditë është festa e saj.

Po poezia mos është grua, gjersa gruaja është dhe poezi? Për këtë dashuri do më pëlqente të flisnim:

Është një poezi dashurie, që e kam njohur herët, që student, në “moshën e artë”, siç thuhet, e dua shumë dhe tani dhe e kam ndjerë si timen gjithë jetën dhe kam kaluar vështirësi dhe me atë.

Po ajo është e poetit rus Evgeni Jevtushenko, aq më keq, dhe të doje poezinë e tij atëhere, kur s’kishte as festë të Shën Valentinit, ishte me rrezik, edhe emri i tij ishte i ndaluar rreptësisht në Shqipërinë diktatoriale. Madje kur më arrestuan dhe më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia, në akuzë pata dhe poezi të Jevtushenkos.

Ku i kisha gjetur, pse kisha përkthyer, (vërtet kisha përkthyer nja 5-6, kur isha student…), ai ishte poet revizionist, armik, kishte shkruar kundër Enver Hoxhës, etj, etj. Dhe unë nuk tregova se poezi të atij fillimisht m’i kishte dhënë poeti Rudolf Marku, ishim miq, e doja dhe shkëmbenim poezi, edhe nga ato të rrezikshmet, kur kishte nga ata pranë nesh që lemeriseshin prej tyre. Se ua jepnim dhe të tjerëve, shokëve, i kopjonim, nuk na rrihej pa e përhapur të bukurën.

Një  pjesë e mirë e atyre poezive ishin përkthime të Rudolfit, më dukeshin brilante si dhe poezi të tij.

As në errësirën e burgut nuk më iku ai vezullim poezish, përkundrazi unë e shtova mynxyrshëm, shkruaja fshehurazi.

Dhe do ia thosha këto vetë Jevtushenkos, kur e takova në Romë dhe në të njëjtën ditë na pranuan si anëtarë të PEN Clubit Italian me president mikun e përbashkêt poetin Sebastiano Grasso.

Jevtushenko më dëgjoi me kërshëri, i interesuar më shumë për poezinë e tij në Shqipëri se sa për burgun tonë. Do më dërgonte më vonë dhe poezi të tjera, edhe ato për Shqipërinë, me dëshirën që t’i botoja.

I kam treguar të gjitha dhe gjatë në librin tim “Si na erdhi ai, i ndaluari”, takimet, takimet e Edës time dhe të djalit, Atjonit, me Jevtushenkon në Lugano, në Zvicër, kur unë isha në Moskë.

Atjoni student mbante për krahu poetin e shquar me famë botërore, se kishte operuar këmbën, ia kishin prerë dhe përdorte paterica dhe unë shkruaja në librin tim se çalonte ashtu “Realizmit Socialist” dhe donte të mbahej për krahu në ardhmëri etj, etj, janë në libër dhe plot poezi të tij. Ia doja ende. Mbi të gjitha atëhere .

“Gjithmonë do gjendet dora e një gruaje”. Përkthimi studentor i Rudolf Markut më kishte humbur. Kur më arrestuan, më patën konfiskuar shumë fletore e blloqe me poezi, ditar e tregime.

S’i kam gjetur më. Dosjen e kam marrë, por këto s’janë kurrkund. Do t’i kenë djegur, nëse s’janë vjedhur. Do Zoti dhe i boton ndonjëri…

Por edhe Shën Valentini kishte qenë i përndjekur, e kishin burgosur dhe martirizuar.

Dhe s’më hiqej nga mendja ajo poezi dashurie. E përktheva vonë, në liri, e gjeta në një botim italisht të Jevtushenkos me origjinalet në anë.

Është dhe Shën Valentini i saj, i gjithë poezisë.

Evgeni Jevtushenko

*  *  *

Gjithmonë do të gjendet
dora e një gruaje
ashtu e freskët, gjithë butësi,
nëse ndjehesh fare pak i dashur,
si vëlla të dhuron qetësi.

Gjithmonë do të gjendet
supi i një gruaje
ku të mbështesësh
kokën aq të çthurur,
me afshe dhe mund të psherëtish
dhe t’i besosh ëndrrën më të bukur.

Gjithmonë do të gjenden
sytë e një gruaje,
ku mund të mbysësh vuajtjen tënde,
– të gjithën jo, jo të gjithën, –
që dhëmbjen ta shohin me dhëmbje,

Por është një dorë
e ëmbël ndryshe nga ëmbëlsia,
që të prek ballin e rënduar
si fati vetë, si përjetësia.

Por është një sup
aq i mistershëm sa ai i kohëve,
t’u dha përherë, jo veç një natë
dhe ti e kuptove dhe s’e kuptove.

Por ka sy
që të vështrojnë si me lutje
e janë sytë e dashurisë,
të ndërgjegjes
deri në ditën tënde të fundme.

Por ty, i keq i vetes tënde,
ai sup dhe ato duar,
ata sy të trishtë s’tu dukën të mjaftë
dhe aq shpesh i ke tradhtuar.

Por ja, vjen, si s’vjen ndëshkimi.
“Tradhtar!” – shfryn zëri i shqotës.
“Tradhtar!” – ta rrahin fytyrën degët.
“Tradhtar!” – ngrihet jehona e botës.

Vetes ç’t’i bësh, si ta ndëshkosh?
Ç’trishtim, nerva dhe tortura!
Dhe të falin vetëm ato duar të brishta,
aq rëndë të ofenduara,

dhe vetëm ato supe të lodhura
të falin tani e të falin gjithnjë
e vetëm ata sy të trishtuar
të falin atë që vetes s’ja fal më.

1961

E përktheu Visar Zhiti

ObserverKult  
————–

Visar Zhiti

VISAR ZHITI: SI BËHET NJË TESTAMENT

-What is Past is Prologue-

Gjeta një udhëzues në Uashington
si bëhet testamenti. E kish seriozisht.
Pra s’mjafton bindja e vdekjes
U dashka dhe të dish si ta ndash
kujtimin tënd.

Kujt do ja lesh shtëpinë? Po lumturinë
e saj monotone? Stinët e harlisura me imazhet
e kuajve
pasqyruar në xhamat okulte?
Këpucët kujt do ja lësh, po pjesën e rrugës
që të çon në kafenenë tënde
me piktura gjumi?
Bastunin dhe inatin ndaj botës?
Kongreset që s’ishin të tuat dhe gazetat,
Dashuritë, ah harrova dashuritë,
do t’i ndash si të ardhurat e mbyllura në bankë?
Po dashuria s’është gjithmonë jotja?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult