Rrëfim prekës nga Flutura Açka për djalin e ndjerë: Më duket sikur më vjen mesazh prej djalit në telefon…

Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Flutura Açka rrëfeu, kohë më parë, mënyrën si mban zi për humbjen e djalit të saj vite më parë.

Shkrimtarja tregon se i pëlqente të bëjë gjithçka që bënte me të, si shfletimi i librit të tij të preferuar apo restorantit të parapëlqyer, por tani edhe këtë nuk e bën më.

Ajo rithekson se e ka humbur dimensionin e së ardhmes, dëshirën për t’u marrë me veten ndonëse ana sociale vijon t’i funksionojë automatikisht.

Për të, gjëja më e rëndësishme është të kujtojë dhe kjo është forca e saj.

Shkrimtarja nuk percepton jetën e përtejme që mendohet se ekziston si “atje”, por “këtu”.

Flutura Açka: Unë ia kam zgjatur tim biri jetën, nga 18 vjetët tani është 23 duke jetuar me të çdo ditë. Domethënë është këtu, nuk është atje, është këtu.

– Flutura, është shumë personale, por mendoj… a nuk është sikur mbeteni peng në njëfarë mënyre?

Flutura Açka: Po, por është pengu më i rëndësishëm i jetës time. Por s’ka asgjë të keqe se unë ju thashë, atë pjesën e automatit unë e vazhdoj në perfeksion. Po e them në sensin që kam shkruar libra, i kam bërë të gjitha, askush nuk mund të gjykojë që unë i kam braktisur. Ajo pjesë që ka të bëjë me perceptimin dhe të qenurit qenie shoqërore unë e kam bërë, por vetëm gjysma të cilën unë e kam shitur.

Gjysmën tjetër e kam shumë personale, kështu më ka ndodhur mua. Kjo pjesë shumë personale, që mund të jetë edhe zi e përjetshme. Kam përshtypjen që ka qenë si puna e asaj mbështetëses për pjesën tjetër kështu që nuk do ta kisha bërë. Kështu që kam atë gjysmë të zisë që e kam ruajtur për vete që të më mbajë atë gjysmën shoqërore për të tjerët.

Flutura shton se ka momente që i duket se e ka pranë dhe komunikon me të birin në forma të ndryshme që i sjellin copëza lumturie.

Flutura Açka: Ndonjëherë mua më duket sikur më vjen mesazh prej djalit në telefon. Unë e di që është një ndjesi e imja shumë e fuqishme që është e kërkimit që bëj unë, por vetëm ta përjetoj këtë çast. Për shembull ka ditë që unë do takohem me një djalë të ri, kam një kafe me një gazetar të ri ose që pak a shumë është në moshën e tim biri, ose kam dikë që i pëlqejnë librat dhe do të komunikojë, në moshën e tim biri. Atë ditë unë jam shumë e gëzuar se më duket sikur po takoj tim bir.

Unë e shoh dhe në televizor, dhe në rrugë, shoh njerëz që i ngjajnë profilit të tim biri, me syze, me atë mjekrën ashtu. Unë e përjetoj sikur kam parë tim bir, kështu më ndodhi. Por nuk është pak, janë lumturi të vogla, copa të vogla që më bëjnë të rri në këmbë./tvklan.al

ObserverKult


Lexo edhe:

FLUTURA AÇKA RRËFEN BISEDËN ME DJALIN E SAJ NË SPITAL, DISA DITË PARA SE TË NDAHEJ NGA JETA

Ishin ditë spitali. Im bir më pa drejt e në sy e më tha: Mam, unë e di që ti do mbyllesh pas kësaj. Do më vinte shumë keq, nuk do ta këshilloja.

Çfarë ke për të humbur pas kësaj?! Çfarë tjetër ke për të humbur mam?”…

Janë fjalët e birit të Flutura Açkës, që ndonëse në ditët e fundit të jetës, tenton të lidhë nënën e dashur pas jetës.

I kërkon të provojë të vazhdojë pa të, duke i premtuar se do jenë përherë bashkë. Letërsia për të është ai filli i shpresës. Mu për këtë arsye ai ngulmon që “Flutnesha” e tij të shkruajë një libër për të. E më pas të tjerë, pasi ky është misioni i saj. 

Shkrimtarja e tregoi kohë më parë episodin në “TVT”, në një rrëfim për “Birin”, librin e saj më të fundit që hapi qindra dyer leximi, ndonëse në një periudhë pandemie.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult