Rrëfimi emocionues i Ajola Xoxës për gjyshen e saj, Ganimet Vendresha, që u nda nga jeta

Vetëm pak ditë më parë, Ganimet Vendresha, ish- balerina e Teatrit të Operas dhe Baletit, që u nda nga jeta, mbushi 88-vjeçe. Momentet e fundit të jetës së artistes, me një rrëfim shumë emocionues, i ndau për ndjekësit në rrjetet sociale mbesa e saj Ajola Xoxa.

Ajola Xoxa publikoi disa foto të gjyshes së saj, Ganimet Vendreshës, dhe një jetëshkrim të shkurtër, që kur ishte nxënëse në Moskë, ku studio për Balet, njohjen me bashkëshortin e saj dhe themelimin e Shkollës së Baletit në Shqipëri.

Postimi i plotë i Ajola Xoxës në Facebook:

‘Në foton e parë, gjyshja ime Ganimet Vendresha, është 25 vjeç. Sot ajo mbush 88 vjec.

Më e vogla e 8 fëmijëve. 16 vjeç u largua për në Moskë për të studiuar pranë Shkollës së Baletit te Bolshoi Teatër, e në këtë udhëtim u njoh me gjyshin tim. Atje jetuan 8 vite e kur u kthyen themeluan Shkollën e Baletit e më vonë ishin drejtuesit e parë të baletit në themelimin e Teatrit të parë të Operas dhe Baletit në Shqipëri.

Gjyshi ka patur pasion fotografinë, duke na lënë një pasuri te pamatëshme. Gjithashtu, ai ka mbajtur ditar deri në fund të jetës së tij. Që e vogel nisa ta lexoja dhe është ndër historitë e para të dashurisë që kam lexuar, përmes fjalëve të vetë gjyshit, nga djalë në burrë. Është edhe më e bukura. Dashuria (edhe jeta) e tyre ka qenë si ato që ëndërrojmë të gjithë: e vërtetë, e pafund, e pamposhtshme, pa hije.

Sot gjyshja mbush 88 vjeç dhe në 6 javet e fundit ka hyrë e ka dalë nga spitali tri herë. Pas një arresti kardiak, në daten 23 gusht u rikthye në jetë nga Dok. Alfred Nona, njeri i cilësivë të rralla.

Një pjese të saj tashmë e kemi humbur përgjithmonë. Javët e fundit kanë qenë shumë të rënda për familjen tonë.

Unë jam rritur nga dy prindërit e mi dhe nga kjo gjyshe, e pas humbjes se babit 3 vite më parë, sëmundja e gjyshes ma ka copëtuar shpirtin. Por në të gjithë këtë trishtim, vazhdoj mendoj se një jetë si jeta e saj është fati më i madh që dikush mund të ketë: 88 vite të mbushur me dashuri, shumë dashuri, me qetësi, mirësi, besim, me vërtetësi, duke kërkuar të bukurën e të mirën në çdo gjë.

Të gjithë studentët dhe miqtë e saj e kujtojnë si shpirti më i pastër që kane njohur, si një njeri i dedikuar ndaj familjes dhe punës pa u ankuar kurrë.

Pavaresisht lotëve që më shkojnë çdo ditë në javët e fundit, jam e lumtur që gjyshja ka patur një jetë pafund të bukur e njëkohësisht të jashtëzakonshme (e këto të dyja shumë rrallë vijnë bashkë).

Uroj të ketë ende vite për të qëndruar me ne, por edhe ne qofshin vetëm ditë, do të jenë ato të dikujt që ka bërë veçse mirë në jetë, e që ka ndriçuar zemrën e kujtdo e ka patur pranë.

Të dua aq shumë gjyshja ime e mirë, e bukur dhe me shpirt të bute. Jam me shumë fat qe një pjesë e jotja jeton tek unë.’- shkruante Ajola Xoxa, vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta të gjyshes së saj.


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA ARTISTJA E NJOHUR SHQIPTARE

ObserverKult