Rrëfimi i Bardhyl Londos: Takimi i Dritëroit me gruan e djalin në Rusi

Shkrimtari Bardhyl Londo ka kujtuar përmes një postimi një udhëtim në Rusi në fillimvitet e ‘90-ta me Dritëro Agollin. Ky i fundit do të takonte pas shumë vitesh ish-gruan e tij ruse dhe djalin e vetëm që pati me të.

Vite pasi Agolli është ndarë nga jeta dhe bashkëshortja e tij e një jete, martesa e tij e dytë, Sadija, ai rrëfen kujtimet me Dritëroin ndërsa ai takonte një gjysmë të humbur disa dekada më pas.

ME DRITËRONË NË RUSI

“Do shkojmë në Rusi, – më tha një ditë Dritëroi, – të ftuar nga organizata e shkrimtarëve rusë. Vjen ti?” më tha. “Pyetje është kjo?” i thashë. “Po gazeta?” më tha. Atëherë isha kryeredaktor i “Dritës”. “Po janë të tjerët”, i thashë.

Pasi ndenjëm dy-tri ditë në Budapest, u nisëm për Moskë. Një javë që ndenjëm atje, ndodhi çudia e parë: pasi s’lamë kishë e manastir pa parë, ata na çuan përtej Uraleve, në një qytet tipik rus, Kostrama. Pas një udhëtimi 24-orësh me tren, i hipëm një trapi nëpër lumin Jenisej. Ishte vërtet një udhëtim sureal. Trapi ishte një farë mjeti lundrues ndërtuar me trarë rreth një pëllëmbë larg njëri-tjetrit: po të ulje kokën, shikoje lumin e rrëmbyeshëm. Atë e përdornin si urban: hipnin-zbrisnin njerëz nëpër stacione, shumica me shishen e vodkës në dorë dhe me ato fizarmonikat tipike ruse me kopsa e jo me tastiera. Gjëmonte kënga dhe vallja. Dritëroi bashkohej herë me një grup, herë me një tjetër, sikur ishte në Devoll, jo në Urale.

Udhëtimin tjetër e bëmë në Petersburg. Sapo i ishte ndërruar emri me referendum nga Leningrad në Petersburg.

Në stacionin e trenit doli na priti djali i Dritëroit me të vëllanë por me baba tjetër. Djali i Dritëroit m’u duk tamam si devolli. Për fat të keq mbante mend vetëm dy fjalë shqip: “djathë” dhe “Xhexhe”, nëna e Dritëroit.

Një mbrëmje më thotë Dritëroi: “Do shkojmë në një darkë. Do vish ti?” “Po ne për këtë kemi ardhur, – i thashë. – Po ku do shkojmë?” “Te gruaja ime”, tha (nuk thoshte kurrë tek ish-gruaja). Mua sikur më ra tavani në kokë. “Po unë çfarë të bëj, – i thashë, – të vij krushk?”

Ishte vërtet një pamje e pakonceptueshme për ne shqiptarët: Nina (kështu quhej gruaja e Dritëroit) në mes, nga njëra anë Dritëroi, nga ana tjetër burri aktual. Muhabeti vazhdonte për shtatë palë qejfe. Natyrisht, gjithçka e drejtonte Dritëroi. Burri aktual vetëm dëgjonte. Papritur Nina i drejtohet Dritëroit. “Tani, meqë erdhe, rri këtu”, i tha. “Po si të rri, – i tha Dritëroi, – në Tiranë kam familjen”. “Po pse, këtu çfarë ke, – i tha Nina, – këtë nuk e ke djalë, mua nuk më ke grua?”

Burri aktual vetëm dëgjonte.

Në 70-vjetorin e Dritëroit në “Top Channel” unë desha ta tregoja këtë ngjarje, por druhesha nga Sadija, së cilës i kisha treguar gjithçka sapo zbritëm në Rinas, meqë më pyeti “A e takoi Dritëroi Ninën? Tregoje”, tha ajo. Për formalitet, megjithëse e dija përgjigjen, i thashë edhe Dritëroit. “Po ti, – më tha, – po nuk tregove këtë, çfarë do tregosh tjetër?”.