Djali i Moikom Zeqos vjen në një rrëfim të rrallë për të atin, duke treguar edhe pengun e madh pas ndarjes nga jeta. Në një intervistë për News24, të dhënë kohë më parë, ai foli për marrëdhënien e prerë nga vdekja.
“Normal unë isha shumë larg, këtë e kam pishman. Nuk kam shumë pishmane me babin, pishmani më i madh ishte se vdiq pa mua, nuk isha në spital me të”, rrëfen i biri i Moikomit.
Megjithatë, ai tregon se deri në ditët e fundit të jetës Moikom Zeqo ndiqte me shqetësim ato që ndodhnin në Shqipëri.
“Debati i fundit me babain, ishte për Bylisin. Babai ishte shumë i shqetësuar për të dhe ishte shumë i sëmurë kur doli çështja”, tregon më tej ai.
Ndërsa zbulon ngjarje të rënda të lidhura me Kosovën, për të birin, Moikom Zeqo, ka lënë pas një trashëgimi të pasur.
“Babai ishte rrahur si opozitar. Ishte arrestuar në Mal të Zi prej luftës së Kosovës. Nuk paguante ndonjëherë në restorante, s’kishin asnjë interes se nuk kishte pushtet. Im atë asnjëherë s’ka pas pushtet, ai kishte pushtet moral. Babi im ka pasur gjithnjë interesin e popullit, jo të elitës”, përfundon djali i shkrimtarit të ndjerë./ News24