Rrëfimi i Flutura Açkës për 11 prillin e vitit 1985, kur u nda nga jeta Enver Hoxha

Nga: Flutura Açka

Ishte mëngjesi i 11 prillit, kur për herë të parë pas atyre muajve të vitit të parë të ekonomikut, nipi i Sofo Lazrit, emri i të cilit nuk më kujtohet këtë çast, erdhi i zymtë në klasë.

Rrathët e syve i kishte të kuq dhe ninëzat nuk i shiheshin nga trishtimi që e kishte zënë. Atë e kishim si lidhës me Komitetin Qendror, klasa jonë e studentëve kishte ‘privilegjin’ e madh të mos luteshim për ndonjë lajm nga kupola, por lajmet na vinin vetë; sigurisht për ata që i kishin merak ato lajme.

Për vete nuk e di shumë, por një mikja ime më kujton atyre viteve që unë vetëm qeshja dhe më pëlqenin pastat.

Ai vetëm tha se do ta mësonim shpejt se Shqipëria do të thyhej më dysh nga dhimbja që do të mësonte. Aty nga ora 11 a më pas, lajmi u njoftua zyrtarisht dhe natyrisht mësimi i asaj dite shkoi.

Si sekretare e grupit që isha (më shumë nga notat dhe natyra organizative) kisha për detyrë të organizoja grupin për ngushëllimin mbarëkombëtar që duhet t’i shkonte Komitetit Qendror nga çdo klasë, organizatë, zyrë, arë me misër me kubik dhe pa kubik, kantier, furrnalta, minierat, lulishte, kopësht e klinikë.

E gjithë Shqipëria po bënte ngushëllimin kombëtar historik dhe po e siguronte partinë se ishte pranë saj ato ditë të rënda të cfilimës sonë. Shkurt, edhe në, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e nipit tonë të dashur, e bëmë si mos më mire, vumë emrat tanë, të gjithë me radhë (mos e vër po deshe!), firmosëm dhe e nisëm. Çuditërisht një kopje të saj e kam në arkivën time personale, me gjithë marrëzinë që përfshin ajo.

Dhe m’u për faktin që isha biçim lidere e grupit, emri im u shënua tek studentët që do të kishin ‘privilegjin’ të mbanin kurorat, kurorat e të tjerëve. Nuk më kujtohet në fakt se cilën kurorë kam mbajtur unë me dikë tjetër, por mbase atë të Frontit Demokratik, pasi nuk isha në radhët e para.

Kurora ishte e rëndë dhe e vështirë ta mbaje nëpër boulevard, por deri atë ditë, kur pikërronte shi dhe kronologjia e shënoi si përlotje e natyrës ndaj fatit tone, unë pata ca periperci, jo aq të vogla po të kthehesh në kohë.

Të nesërmen, drejtoresha e godinës 15 të Qytetit Studenti ku bujtnim ne të ekonomikut, më thirri në zyrë dhe më pyeti për veshjen.

“Shko vishu siç do të vishesh atë ditë dhe eja në këtë dhe të orë të shoh se a je përshtatshëm”. Edhe pse veshjet e mia i qepja vetë me time më me një ‘Butterfly’ kineze që kishin në shtëpi, nuk kisha veshje të zeza (kodi i detyruar për atë ditë), pasi ajo i urrente.

Kështu që lypa te vajzat e dhomës – dhe ishim jo pak, por nja pesëmbëshjetë rioshe – dhe u sajova disi. Kur vajta te F. SH., drejtuesja e konviktit, një grua që më donte dhe e doja fort, ajo më këqyri dhe kur pa gjysmëkëpucët e mia në ngjyrë të kuqe, tha: “Flutura, hiqi shpejt, këto nuk lejohen!”. I thashë se nuk kisha të tjera dhe se asnjëra nga shoqet e dhomës nuk e kishte numrin tim të këmbës, as këpucë të përshtatshme.

Më urdhëroi të shkoja në shtëpi, në Elbasan dhe të nesërmen të isha aty ‘gjallë ose vdekur’ me këpucë të zeza. Kështu që udhëtova me tren atë mbrëmje dhe të nesërmen në kthim, me orë e orë të tëra për shkak të vonesave të trenave atyre viteve dhe të popullimit të madh që u kishte ndodhur vagonëve nga shqiptarë të pikëlluar që po vinin për homazhe dhe të ishin afër parties atyre ditëve që armiku i jashtëm ishte duke festuar.

flutura acka
Flutura Açka

Mbase nëpër fqinjë a në të afërm, dhe këpucët e zeza u sajuan, kështu që këpucët e mia të kuqe, nuk ishin dëshmitare të asaj dite funeral, kur njerëzit binin nga ligía në trotuar dhe kur kurorat tona ndiqnin topin ku mbahej kuptimi i deriatëhershëm i frymëmarrjes sonë. Të nesërmen askush nuk do të dinte se si të merrte frymë pasi të ndaheshim nga udhëheqësi ynë.

Atyre ditëve në mbrëmje, në dhomën e vogël të televizorit të godinës 15 mblidheshin rreth 800 vajza dhe qanin me ligje. Kishte që rrinin më larg, por po të rrije në dhomë, mund të përfundoje të nesërmen në burg.

Armiku atë ditë kuptohej lehtë, dhe partia përveç vajit, ishte syçelët të shihte kush po festonte atë ditë. Ulërima e atyre ditëve në atë sallë të vogël, është gjëja që nuk më është shlyer kurrë nga kujtesa, piskama i shponte muret, që mbase atë ditë kishin nisur të tronditeshin.

Pak ditë më pas unë iu ktheva kënaqësisë së këpucëve të mia të kuqe dhe pranverës që premtonte ngjyra për vete dhe shqiptarët, një pjesë e të cilëve mbase ende nuk i kishin palosur të errëtat. Natyrisht të përbetuarit nuk kanë harruar as sot të vajtojnë, të vizitojnë të venë që po bën jetë princeshash dhe që ka zëdhënëse ca gazetare e gazetarë që nuk kanë mundur të kuptojnë se nga cila gijotinë kemi shpëtuar atë 11 prill 1985.

*Titulli i origjinalit: “11 prilli dhe këpucët e kuqe” nga Flutura Açka

Burimi: http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/04/11/11-prilli-dhe-kepucet-e-kuqe/


Lexo edhe:

FLUTURA AÇKA: MOS KËRKO TË TË DUA…

ObserverKult