Në një koncert recital për 60-vjetorin e jetës dhe një kremtim i 45 viteve në skenë, Gjergj Leka bën bashkë nostalgjinë dhe të ardhmen.
Në mesin e këngëtarëve më në zë të para viteve ’90 dhe talenteve të reja, kantautori rrëfen për jetën e tij… Fillimet e karrierës, sukseset e para, jetën në Itali, rikthimin në skenë dhe misionin për të mbajtur gjallë vlerat e muzikës.
Nuk është dakord me atë shprehjen e famshme se jeta nis 40 vjeç. E patën thënë autorë amerikanë me libra motivues qysh në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Madje edhe e bënë film, me të njëjtin titull. Sot gjen me qindra artikuj psikologjikë me argumente se përse jeta e vërtetë, nis në këtë moshë.
Por, jo. Për Gjergj Lekën, jeta nis pas të të gjashtëdhjetave. Nuk ka argument më bindës sesa kremtimi i ditëlindjes së gjashtëdhjetë me një koncert recital, që nuk ndalet te nostalgjia e së shkuarës, por vjen i freskët dhe energjik për brezat e rinj.
“Ndihem i privilegjuar, që arrita të marr duartrokitje nga tri gjenerata publiku shqiptar e të huaj”, thotë pak ditë pas koncertit. Ai ka zgjedhur që koncertin ta transmetojë për publikun e ekranit të vogël të News 24, të shtunën e 8 tetorit, dita e lindjes së tij.
“Kur mendoj që jetova 45 vite në skenë dhe e vazhdoj akoma aktivitetin muzikor me kohë të plotë, ndihem i puthur nga fati’, thotë kantautori. Ndërsa kjo ditëlindje përkoi edhe me një përvjetor të rëndësishëm të karrierës muzikore.
Për zërin e Frederik Ndocit solli të paharrueshmen “Këngë pafund është rinia”, e cila u shkrua dhe interpretua më 1989-n. Në vitin që e ndau jo vetëm Shqipërinë, por edhe botën nga epoka e gjatë komuniste. Edhe jeta e muzikantit duket se i ngjan këtij lajtmotivi dhe që e sjell të ri e me energji në këtë gjashtëdhjetë vjetor.
Bashkim Alibali u kthye në bashkëpunëtor të pandarë, me disa këngë të përjetësuara tashmë në repertorin e muzikës së lehtë shqiptare, por edhe në kujtesën kolektive të disa brezave.
Emri i Gjergj Lekës lidhet veçanërisht me Festivalin e Pranverës. Më 1985-n, kënga e tij “Në duart e nënës”, shpallej fituese pak orë para se të bëhej një shpallje tjetër… ajo e vdekjes së diktatorit Hoxha.
Këngën, që e veçon si ndër krijimet më të mira, ia dedikoi nënës, mexosopranos dhe dirigjentes së parë grua në opera, Rozmari Jorganxhi. Ai rrëfen se tekstin e shkroi në repartin, ku kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ishte një ndjesë nga shpirti për gabimet.
“Kjo këngë kaloi plot situata të çuditshme, një nga ato ishte pikërisht koincidenca me vdekjen e Enver Hoxhës, dy a tri orë pasi u dha çmimi i parë… Diskutohej që edhe mund te anulohej nata finale, por asnjë nga byroja politike nuk e mori përsipër ta bllokonte shfaqjen”, kujton ai.
Kënga u bë ogur i mirë për karrierën muzikore. “Mendoj se ka qenë bekimi i nënës”, është i bindur Leka.
Nga këngët me tema të mëdha, ato për partinë apo edhe njeriun e thjeshtë të klasës punëtore që donte të theksonte propaganda komuniste në vitet ’70, Gjergj Leka shkroi një tjetër histori. Një dekadë më vonë, me këngë intime, të ngrohta, që iu kushtohen ndjenjave universale, por të shkruara dhe muzikuara në atë mënyrë që i flasin individit, botës së brendshme dhe ftojnë për një introspektivë në vargje.
E pranon që kjo qe një lloj filozofie a qasje e tij ato vite, por ndërsa mendohet, kujton se e para këngë që pat kompozuar kur ishte ende fëmijë, titullohej “Në festën tonë, partinë urojmë!”. Ishte një këngë për fëmijë, në Anketën e Radio Tiranës, me rastin e 1 Qershorit.
“…dhe kurrë pas kësaj kënge nuk e ngatërrova muzikën time me propagandën e kohës. Ka qenë jashtë mase e vështirë t’i shmangeshe kësaj propagande, sepse kudo që shkoje për ta paraqitur këngën ishin komisione te tera pranimi, shumicën e rasteve jo me profesionistë, por me elementë partiakë”. Kështu i hyhej një lundrimi në ujëra të rrezikshme ku rrezikoje lirinë, jo thjesht si një metaforë.
“Nën petkun e moshës sime të re, arrita shumë herë t’i shmangesha me sukses vendimeve partiake të këtyre komisioneve, duke përdorur edhe motivet burimore shqiptare në krijimtarinë time e mundohesha që të paktën “veshja” e këtyre krijimeve të ishte bashkëkohore. Publiku shqiptar e kërkonte si ujin në shkretëtirë modernizimin e brendshëm e të jashtëm të krijimeve tona. Por ishte shumë e vështirë, të mos them shumë herë e pamundur”.
Nëse italianët atëkohë patën Fabrizio de Andre, përtej detit shqiptarët patën një italian tjetër…Gjergj Lekën.
Me një gjyshe triestine nga ana e të atit, Kostandinit, muzika italiane e përkundi dhe e rriti. Falë gjyshes, fliste rrjedhshëm edhe italishten. “Fat i madh ishte edhe fonoteka e bollshme që kishte familja ime me operat, operetat e këngët italiane dhe që i dëgjonin me volum te ulet familjarisht. Po kjo fonotekë po me ndihmon edhe sot pa masë për programin tim “Na ishte njëherë muzika”.
Gjergj Leka është lloji i muzikantit-poet, chansonnier vetmitar, i cili nuk ka nevojë për asnjë artificë tjetër veç shpirtit të tij që e derdh në vargje të kënduara…
Për muzikën që i flet veçmas shpirtit të dëgjuesit, Leka e dinte rëndësinë e madhe të lirikave. Ndaj bashkëpunimi me tezen e tij, poeten Zhuliana Jorganxhi, një yll i shumëkërkuar nga kompozitorët e kohës për tekste këngësh, u bë përtej gjakut edhe një lidhje arti.
“Ndaj them që kam lindur me fat….Te punosh me Zhulianën është super luks! Shumë herë muzikova edhe poezi të Ismail Kadaresë, por me Zhulianën kishte një tjetër feeling. Ishte gjeniale të gjente vargjet edhe kur ti kishe shkruar muzikën pa pasur tekst…Këtu Zhuliana nuk krahasohej me asnjë poet tjetër. Të gjitha këngët e mia, sidomos ato ku teksti është i Zhulianës janë ngjarje të jetuara”, zbulon muzikanti.
Me tekstet e Zhulianës përjetësoi dashurinë për prindërit, përmes këngëve “Për ty Baba” dhe “Në duart e nënës”.
Mjafton të them se mungesa e tyre ka lënë një boshllëk në jetën e muzikën time që nuk e besoja të ishte i tillë….
Sa i kemi pranë nuk i japim rëndësinë e duhur…Sidomos kur ke dy prindër si ata që pata fatin t’i kem unë, duhet çdo ditë të jetës të falënderosh Zotin për dhuratën që të ka falur….Do jepja gjithçka vetëm sikur t’i riktheja qoftë edhe për pak çaste për t’iu thënë fjalët që nuk arrita t’ua them dot kur i kisha në jetë. Të dyja këngët qenë dedikim për ta.
“Për ty baba”, zbulon Gjergj Leka, u shkrua si vargje nga Zhuliana Jorganxhi, kur u nda nga jeta i ati i saj, gjyshi i kantautorit, bas-baritoni, Gaqo Jorganxhi, solist i grupit “Lira”. “Mori akoma më shumë forcë si këngë kur u nda nga jeta edhe babai im i shtrenjtë”. Kostandin Leka, ishte me profesion fizikan, por pasioni nuk e mbajti larg artit, duke iu dedikuar letërsisë, veçanërisht asaj fantastiko-shkencore, ndërsa e ëma, Rozmari Jorganxhi do të mbahet mend si gruaja e parë dirigjente e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Me ndryshimin e sistemeve vendosi të largohej drejt Italisë, i ndjekur më vonë nga e gjithë familja e cila ndante rrënjët italiane.
“Kur pashë në fillim të viteve ‘90 si u katandis arti e muzika në veçanti në Shqipëri, u binda akoma më shumë që ikja ishte e vetmja zgjidhje. Pash që paraja shkatërroi çdo gen artisti”.
Thotë se e vuajti atë periudhë, i bindur se sot vuajtja vazhdon për shkak të atyre zgjedhjeve që arti dhe artistët shqiptarë bënë në fillim të viteve ’90.
I ndruajtur fillimisht se nuk do ia dilte dot me nivelin e muzikës në shtetin e dashur përtej detit, me kohë kuptoi se formimi akademik dhe veprimtaria muzikore që kishte kryer në Shqipëri, njohja e muzikës ndërkombëtare dhe e gjuhëve të huaja, ishte në fakt një armë e fortë.
“Kjo përgatitje u kurorëzua me sukseset koncertale e artistike që pata në Itali e jashtë saj. Edhe sot e kësaj dite, vazhdoj të punoj edhe në ambientin artistik italian dhe me plot gojën e them që ndihem i barabartë me koleget e mi atje”.
U rikthye në Shqipëri dhe iu rikthye skenës së festivaleve. Kësaj here me një zë revolte, me këngë protestë, me këngë që preknin dhe denonconin padrejtësi e plagë të shoqërisë së zhytur në tranzicion të gjatë.
“Kam një jetë që protestoj për çdo padrejtësi e maskarallëk ne artin e muzikën shqiptare sepse mendoj se është detyra e çdo artisti të vërtetë që kjo situatë të ndryshojë…por edhe pas disa dekadave që “çirrem” me zë o pa zë, asgjë nuk ka ndryshuar”. Me faj bën edhe kolegët të cilët sipas tij në emër të parasë kanë shkatërruar muzikën.
“Unë do të vazhdoj deri në frymën e fundit të protestoj për këtë situatë e mbi të gjitha të vazhdoj në rrugën time me të njëjtin pasion e me të njëjtat ide si 45 vjet më parë”, premton kantautori.
Një nga sipërmarrjet më të mëdha ka qenë ajo e ruajtjes së vlerave të muzikës së mirë dhe përpjekjes për të mos lënë në harresë këngëtarët që shkruan historinë e muzikës shqiptare, por edhe kthimi në një shkollë të vërtetë për të rinjtë e talentuar.
“Ka shumë të rinj me talent të vërtetë që vijnë nga familje me tradita e me kulturë që nuk e gjejnë veten aspak në tregun e llahtarshëm shqiptar ku zhveshja, dhuna në tekstet e injoranca kolektive e klikimeve nuk arriti t’i prekë as në karakter e as ne muzikën që dëgjojnë. Po kështu edhe këngëtarët e dikurshëm që kurrë nuk iu shua pasioni për këngën e muzikën, por qëllimisht u harruan nga media e sidomos shteti, janë të shumtë. Unë thjesht i mblodha dhe i organizova duke respektuar dëshirat e tyre e duke i realizuar ëndrrën për t’u ngjitur në skenë me dinjitet. Vetëm kaq bëra…”
Kjo punë që bën me koncertet, me programet televizive dhe përgatitjen e talenteve të rinj, i është kthyer në të vetmin mision që ka në jetë.
Ndër projektet e afërta, përveç programit çdo të shtunë në ekranin e News 24, zbulon se nga mesi i tetorit dhe deri më 26 nëntor i duhet të përgatitë disa evente muzikore si “Ti Shqipëri më jep nder”, me këngët që bënë historinë shqiptare, “Festa e Këngës Shqiptare-Edicioni rinor” dhe “Këndojmë sëbashku”, një ngjarje kushtuar këngës popullore-qytetare fierake me artistet e mirënjohur Bruna e Rik Hoxha në bashkëpunim me Bashkinë Fier, si dhe spektaklin e madh të vitit të ri, premiere kombëtare “Erdhi Estrada”.
Në karrierën e tij thuajse gjysmë shekullore, veçon mes morisë së këngëve që ka shkruar, “Në duart e nënës”. Një këngë shkruar dhe kënduar për nënën e tij, por që kushdo që e dëgjoi, atëkohë dhe tani, me zemër ia kushtoi nënës së vet, kush për fatin që e pati gjallë e kush me lot që e humbi…
Nëse atë këngë që e shkroi në rini të tij, do ta kishte kompozuar sot, ndoshta mund të qe Këngë pafund është e gjithë jeta, një rini e gjatë, ku plakjen e ndjen vetëm ai që nuk gëzon të bukurën e saj, që shpesh merr pamjen e tingujve…
ObserverKult
Lexo edhe: