Rrëfimi i Helena Kadaresë për kohët e vështira, nga ‘Pashallarët e kuq’ tek vrasja e Mehmet Shehut

Në kuadër të muajit të tetorit, dedikuar Librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, i dorëzoi shkrimtares Helena Kadare, një vlerësim mirënjohjeje me motivacionin “Për librat e saj që me lirizëm edhe guxim, sjellin fatin e ka karaktereve gra në Shqipëri me një forcë prekëse”.

“Për librat e saj që me lirizëm edhe guxim, sjellin fatin e karaktereve gra në Shqipëri me një forcë prekëse”. Ky është motivacioni i certifikatës së mirënjohjeje me të cilin, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, i dorëzoi shkrimtares Helena Kadare, në kuadër të muajit të Tetorit, dedikuar Librit.

“Jam mirënjohëse për këtë vlerësim të Qendrës së Librit edhe  jam shumë e emocionuar, që në këtë periudhë të vështirë për shkak të COVID 19  iu shikoj këtu, të gjithëve bashkë”, shprehet Helena Kadare.

Gjithashtu, sa i përket “Nobelit” në Letërsi, që çdo vit ndahet në muajin tetor, Helena Kadare u shpreh se, në familjen e shkrimtarit Ismail Kadare, ky çmim nuk pritet më prej tre vitesh.

 “U them me sinqeritet, se prej tre vitesh ne nuk e presim më. Kjo, sepse përgjatë 30 viteve rresht në orën 12.00, ndodhte që na kontaktonin gazetarë nga e gjithë bota. Donin të dinin se ku do të ishte Kadare gjatë orës 13.00, kur ndodh edhe ndarja e çmimeve. Ishte një “hall” i madh, pasi përpos telefonatave, nga të gjitha anët vinin dhe prisnin vendimin në shtëpinë tonë. Për këto, edhe ne prej tre vitesh nuk e presim më. Edhe pse, për mendimin tim që e ndajnë edhe shumë dashamirës të Ismailit, ai duhet ta kishte marrë atë çmim prej kohësh. Fakti që nuk e ka marrë nuk përbën ndonjë gjëmë. Edhe pse do të ishte diçka shumë e mirë dhe për vendin tonë”, tregon Kadare.

Gjatë këtij takimi, Helena Kadare rrëfeu të qenit përkrah shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, duke zgjedhur që vet si autore të qëndroi në hije, por edhe momentet e vështira gjatë këtij rrugëtimi

“Nuk kam bërë asnjë sakrificë, që kam lënë veten time në hije, për të bërë atë punë kolosale, që ishte vepra e Ismailit. ishte një vepër shumë e çmuar, për të cilën unë e kuptoja rëndësinë. Edhe mendoja, se është një punë shumë më e çmuar, se tra apo katër librave që do të shkruaja. Nuk është e lehtë, sepse ai është natyrë e vështirë”, rrëfen Helena Kadare, teksa më tej shton, se nga gjithçka që bënte për Kadarenë, ai vetë ishte i lumtur, ndërsa ajo përballej me të tjerat, ato që thuheshin jashtë.

“Ka pasur dy-tre raste të tilla, si  me “Pashallarët e kuq”.  Asokohe, të gjithë u larguan. Por unë nuk i fajësoja, pasi e dija që kjo ishte sjellja që duhej bërë. Nuk më vinte keq. Sigurisht që koleget e mia të jetës, nuk e bënë këtë, e megjithatë për mua e gjitha kjo ishte tronditje. Pastaj nga ana tjetër fillonte ajo përpjekja tjetër, që lidhej me sigurimin e ushqimit për familjen, për të cilën ai s’donte t’ia dinte. Po ashtu, nuk doja, që vajzat ta merrnin vesh kur ne kalonim situata të tilla, apo kishim një hall. Kujtoj, se edhe kur u vetëvra Mehmet Shehu. Për ne, ishin ditë shumë të vështira, pasi kishim mik djalin e tij të vogël, Bashkimin”.

Helena Kadare është autore e 7 vëllimeve, si ndër ta “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”, “Bashkëshortët” që kanë në qendër jetën vajzërore, të nënës dhe bashkëshortes./shqiptarja.com