Rrëfimi i rrallë i ish-gruas së Edi Ramës: Nga marrëdhënia me Gregun tek pikturat e Ramës në shtëpi…

Para 35 vitesh Matilda Makoçi ishte një nga ikonat dhe portretet më premtuese të kinematografisë dhe teatrit. Një ndër vajzat më të bukura të kohës, ajo që u bë shumë shpejt pjesë e kinematografisë, ajo që tërhoqi shikimin e mijëra djemve të rinj sa herë kalonte në anën tjetër të rrugës, ajo vijon ende të jetë një zonjë të cilën e publiku e do përmes ekranit, por edhe në heshtjen e saj.

35 vite më vonë, pas një jete të heshtur, pasi e braktisi karrierën e saj për të qenë nënë, pas ndarjes së vështirë jo vetëm me kinematografinë, por edhe me djalit të vetëm që ka, Matilda u përpoq ta rindërtonte jetën e saj, por vështirësitë ishin të mëdha.

Për të gjitha këto, ajo sot nuk refuzon të flasë, madje pa shumë plagë të mëdha, por si pengesat e një rrugëtimi jete që Matilda Makoçi i rrëfeu kohë më parë për gazetaren e ‘A2’.

Ajo që regjisorët e zgjidhnin në vitet ’80-të si heroinën e produksioneve të tyre kinematografike, ashtu si u ngrit menjëherë, ashtu edhe iku. E megjithatë, të gjithë e mbajnë mend.

“Kam qenë në punë intensive. Kam qenë e angazhuar me teatrin, me kinemanë, televizionin. Kam pasur jetë aktive. Kujtime të bukura nga puna por dhe nga njerëzit. Aktoret e asaj periudhe kanë qenë të veçanta, të bukura. Kam qenë në moshë të re, dhe e kam marrë natyrshëm. Njerëzit më takonin në rrugë, më thoshin; flokët bëji kështu, bëji ashtu. Më jepnin këshilla të ndryshme. Më ka pëlqyer thjesht. Kur u largova në Greqi, atje nuk isha në këtë mundësi komunikimi dhe u ç’mësova. Tashmë e kam si një emocion dhe them; oh zot më mbakan mend”, tha ajo.

“Hije që mbeten pas” është një nga filmat më të mirë që ka realizuar. Madje ajo dhe Xhevdet Ferri, atë kohë u vlerësuan me çmime si dy nga aktorët më të mirë të kinematografisë. E kur e pyesim për këtë film, Matilda Makoçi modestisht nuk rrëfen asgjë për veten, por e nis me keqardhjen se Xhevdet Ferri, portreti i paharrueshëm i kinematografisë do t’i mungojë shumë artit të shtatë.

Për të filmi më i mirë që ka realizuar ndonjëherë është “Të mos heshtësh”, ku ajo interpreton përkrah Ndriçim Xhepës. “Filmi pati shumë sukses. Por duhet pasur parasysh që rezultati i këtij suksesi ishte Xhevdeti, pasi ai ishte aktori kryesor. Xhevdetin e kam pasur në shkollë dhe jemi takuar profesionalisht në filmin ‘Hijet që mbetën pas’. Xhevdeti ka qenë një djalë i mirë, simpatik, i thjesht, i dashur dhe i aftë. Ka qenë shumë me kërkesa artistike, gjithnjë i shikonte materialet.”, theksoi Matilda.

Matilda Makoçi, me një portret dhe fizik mjaft të bukur për ekranin, kur ende nuk numëronte shumë produksione kinematografike, kur ende nuk kishte përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura, u zgjodh të prezantonte festivalin e 22 të këngës, një festival që ende sot mbetet një nga më të rëndësishmit, e ku lufta për të qenë prezantuese e tij është e madhe.

Jo të gjithë e mbajnë mend për këtë, dhe jo të gjithë i kujtojnë rolet e saj në Teatrin Kombëtar, Si Bjanka në “Zbutjen e kryeneçes”, apo si Zhuljeta në romancën e pavdekshme të Shekspirit. Ajo e do ende më magjinë e teatrit. Pikërisht në kohën më të shndritshme të saj, Matilda Makoçi lidhet me Edi Ramën, sot kryeministër i Shqipërisë, dikur një artist rebel, ashtu sikurse edhe vetë aktorja. Nga martesa me të të lind Greg Rama, sot djali i madh i kryeministrit, gjithashtu një artist që ndoqi rrugën e të atit, në mediumet e artit vizual.

Në shtëpinë ku jeton Matilda, ka gjurmë të kësaj kohe tablo të Edi dhe Greg Ramës.

Martesa e saj me Edi Ramën nuk do të zgjaste gjatë. Matilda Makoçi kërkoi të mbante djalin, por shumë shpejt kuptoi se të ishte nënë, po aq e mirë sa edhe aktore ishte e vështirë. Në një pikë të jetës iu desh të vendoste. Ajo zgjodhi të ishte mamaja e Gregut, duke braktisur kështu kinematografinë.

“Isha e detyruar sepse kështu na erdhën kushtet. Prindërit i kisha të rinj, nuk mund të më ndihmoni që ta mbanin. E provova e çova diku në çerdhe. Se përballonte. Vitet ikën, u çmësova me punën. Ai ritmi i punës mu zbeh dhe kështu që u largova. Nuk më vjen keq, por nuk e ndjej mungesën e asaj kohe. Më ka marrë koha tjetër”, theksoi mes të tjerash ajo.

Në apartamentin e saj sot, nuk gjen veçse gjurmë të Gregut dhe Edit, siç vazhdon ta quajë Matilda Makoçi shokun e saj të rinisë. Në dhomën e pritjes ndodhen tre piktura të Edi Ramës, një portret i saj realizuar ato vite të rrugëtimit së bashku dhe dy vepra të tjera. Në dhomën tjetër një vepër e Gregut, tashmë të rritur e të pavarur. Ai ka kërkuar të qëndrojë vetëm dhe ajo e ka respektuar vendimin e birit të saj. “Ai rri vetëm. E kishin marrë ca ditë kur ra tërmeti, ndenji ca ditë atje në shtëpinë e tyre. S’do rehatin e vetë. Nuk është që të rri në një vend dhe të shkojë tek baba e vet dhe qoftë për konjikturë. Rri vetëm, i pëlqen shumë. Me mundësitë e veta, me miqtë e vet. E ndihmon dhe gruaja e Edit, është grua shumë e mirë.”, tha ndër të tjera Makoçi.

Matilda Makoçi, e qetë tanimë, që e ka përmbushur detyrën e saj si nënë dhe për të mos u ndier e vetme, rikthehet të jetojë tek apartamenti i nënës së saj, ndien se ka dëshirë të rikthehet, ndoshta me një rol në teatër dhe nuk ka frikë ta thotë këtë. Ajo dëshiron ta provojë. Ndoshta nuk do të jetë e thjeshtë, thotë ajo ndërsa kujton se sa të vështirë e pati kur Gregu ishte i vogël dhe asaj i ofruan një mundësi të mirë në një serial grek. Ajo nuk ka frikë të thotë se nuk mundi, se nuk e përballoi dot. Seriali “Mikeshat” mund t’i kishte ndryshuar jetën, por edhe atëherë ndjesia e nënës ishte më e fortë se ajo e aktores./a2news.com

——————–

LEXO EDHE:

“Të huaj jemi ne prej kohësh” – Matilda Makoçi interpreton poezinë e Kadaresë

ObserverKult