Artistja e njohur nga Shkupi, Tuna Sejdi, gjatë këtyre ditëve ka nisur një iniciativë të rëndësishme në Siri.
Ajo njoftoi se i është bashkuar organizatës bamirëse “For Children Smile” me bazë në Zvicër, e cila përqendrohet në ndihmën ndaj fëmijëve të prekur nga lufta apo fatkeqësitë natyrore.
Këngëtarja së fundmi ka ndarë disa fotografi nga aktivitetet e saj në Siri dhe ka bërë një shkrim në rrjete sociale duke e quajtur udhëtimin më emotiv në jetën e saj.
“Kur ka qenë hera e fundit që jemi ndjerë falënderues për jetën që kemi, shtratin ku e shtrijmë kokën çdo natë, tryezat me ushqime… Udhëtimi në Siri, udhëtimi më emotiv në jetën time, nxiti në mua qindra pyetje dhe hapi dhjetëra dilema për njeriun, për njerëzimin. Përjetova emocione që shkojnë përtej mundësisë për t’i përshkruar me fjalë. Dhembje që të ngjitet për shpirti dhe të trishton, të bën të ndjehesh fajtor për skamjen, trishtimin dhe frikën me të cilën jetojnë çdo ditë. Familje që jeton me ëndrrën: të ketë kulm mbi kokë, një nënkresë ku do ta venin kokën… Sy të pikëlluar fëmijësh nga ngarkesa mbi supet e njoma”.
Tuna tutje shton se është riformësuar që sapo ka filluar rrugën për të dhënë kontributin që djemtë e saj të rriten në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh.
“U ktheva e riformësuar. Jam një Tuna tjetër që sapo ka filluar rrugën për të dhënë kontributin minimal që Tiani dhe Zeni të rritet në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh. Në një botë më të mirë”, ka shkruar ajo./Telegrafi