Rrëfimi tronditës i Alida Hiskut: Ma hodhën batanijen në kokë e pastaj më përdhunuan…

Alida Hisku, një ndër artistet më të famshme shqiptare para viteve ’90, ka tronditur publikun me një intervistë të pak kohëve më parë, duke thënë se është përdhunuar nga prokurorët dhe sigurimsat.

Ju, e dashur Alida, keni shkruar një libër në gjermanisht, të botuar katër vite më parë “Marioneta të politikës së diktaturës së Enver Hoxhës”, sa autobiografik është ky libër?

Alida Hisku: Si koncept e kam trajtuar librin në një mënyrë politike, ku krahas autobiografisë është edhe një biografi e sistemit socialist të diktaturës komuniste në atë kohë. Lexuesi gjerman e ka quajtur interesant dhe e ka blerë, nuk gjendet në shitje. Kanë ngelur vetëm disa kopje në pikat e internetit. Aty kam trajtuar figurën e një artisteje, figurën e një nëne dhe të një tipografeje…

Të një tipografeje?!

Alida Hisku: Po unë kam punuar 19 vjet si tipografe në ndërmarrjen “Mihal Duri” dhe gjatë kësaj kohe kam mbaruar edhe studimet.

Pra sistemimin e biografisë sime, historinë e jetës sime e kam trajtuar në një “mënyrë gjermane”, jo vetëm për të treguar se kush jam unë si Alidë, por edhe kush është gruaja shqiptare, ashtu si unë që ika me dy fëmijët e vegjël në Gjermani dhe arrita që t’i shkollojë e t’i integrojë në jetën e vendit.

Pra libri vjen me një grint të gruas shqiptare dhe ka 580 faqe.

Alida Hisku: Është i shkruar me një emocion dhe ankth, sa lexuesi s’e përfytyron dot se çfarë do të vijë në faqen tjetër të librit.

Libri ngjalli kuriozitet, sepse unë në një grua, kam futur shumë personazhe, shumë aktivitete, shumë ndodhi, që të gjitha në fund fare janë të një personazhi, që jam unë… Tregoj jetën time në shtypshkronjë, në skenë, si politikane në shkollën e partisë ku studioja, kur rrija me popullin “gjuhë më gjuhë”, me kooperativistët, kur shkonim t’u këndonim.

Por këtë sukses të të shprehurit, e kam arritur së bashku me një redaktore gjermane, që di mirë gjuhën e letërsinë gjermane dhe libri; pasi më mori tre vjet kohë, ia arriti qëllimit, tërhoqi lexuesin gjerman.

Si mund të na e përshkruash mjedisin e punës në poligrafikun “Mihal Duri”?

Alida Hisku: Aty ka qenë e vetmja shtëpi botuese qendrore që ka pasur në atë kohë në Tiranë, “Naim Frashëri”, një ndërmarrje shumë e madhe me sektorët e botimeve të librit, revistave, të shkollave, etj. Por unë punoja në retush-obset që ishte parapërgatitje e librave dhe revistave. Isha punëtore aty. Isha 15 vjeç dhe pastaj duke punuar vazhdova liceun artistik natën. I kam bërë të gjitha degët e liceut. Madje edhe për pikturë vazhdova në Lice. Pastaj u futa në Shkollën e Partisë.

Cila ishte gjëja më e mirë dhe ajo më e keqja që ke përjetuar gjatë punës në shtypshkronjë?

Alida Hisku: E mira qe që u rrita me disiplinën e punës. Unë sot e shoh si një gjë pozitive, por fëmijëve të sotëm nuk do t’ua këshilloja që në moshën 15-vjeçare të futen direkt në punë prodhuese. Por, mua si person më dha forcë, më rriti para kohe. Fitoja dinjitet dhe forcë, kur vrapoja në festivale, në dekada maji.

Vetë prindërit më futën në shtypshkronjë se nuk donin të përfundoja në ndonjë institucion artistik. Aty në shtypshkronjë, babai im ishte sekretar partie i poligrafikut. Unë u futa në këtë punë në mbikëqyrjen e  babait.

Si është e mundur që babai yt me pozitë shumë të mirë për atë kohë, si sekretar partie, të punësoi ty në moshë aq të re në një punë të vështirë?

Alida Hisku: Po babai im mendonte që të ishte shembull pararojë në shoqëri, një komunist që e çonte edhe ai fëmijën e tij në punë për socializmin… Unë e para duhej të isha shembull, sipas idealit të babait tim. Nëse do të ishte një sekretar partie model, nuk do kishte privilegje për mua. Unë u bëra si një robot, duke programuar çdo gjë, sepse bëja një aktivitet shumë të ngjeshur brenda një dite.

Pra, ju keni qenë një e rritur para kohe?

Alida Hisku: Ashtu ka qenë, por unë nuk e kuptoja. Madje, unë në moshën 23 vjeçe pa mbushur 24 vjeç, jam arrestuar dhe rininë time nuk e kuptova si e kalova. E kalova e vrarë, e plagosur dhe ja tani… u plaka.

Në fakt ju dukeni aq energjike dhe rinore. E dashur Alida, ka mbetur pak e mjegullt historia e arrestimit tuaj. Si ju ndodhi që ju arrestuan? Nuk ka qenë kaq e thjeshtë, sa ç’tregohet për një ditar apo jo?

Alida Hisku: Ka qenë kaq e thjeshtë, sepse të thjeshtë e bënë ata që bënë këtë puç tek unë. Në atë kohë unë studioja në vitin e fundit për shkenca politike në institutin “Vladimir I. Lenin”. Kisha bërë edhe stazhin e partisë (kështu quhej në atë kohë puna që duhej të bënte në prodhim një komunist).

Sapo isha bërë edhe anëtare e Partisë. Isha e sinqertë në ato që bëja, se mendoja se me shembullin tim u tregoja të gjitha moshatareve të mia, grave që ishin në një nivel me mua: Hej shoqe, gjithçka mund të bëhet. Se unë jam edhe nënë me fëmijë, edhe bëj shkollën, aktivitetet, punën e rris edhe fëmijën.

Ky ishte sinqeriteti dhe qëllimi im, pa asnjë lloj shpërblimi dhe vlerësimi tjetër. Kur mua më arrestuan, babai im ishte ende sekretar partie. Në shtypshkronjë ai njihej si njeriu më i drejtë që besonte në idealin e Partisë. Ka vajtur në prokurori dhe ka dorëzuar teserën e partisë (Alida Hisku nis të qaj) …. Babai iu tha: “Unë po ua jap teserën, por vajza ime nuk e meriton të shkojë atje ku e keni çuar ju…

E dini që kohët e fundit është hapur një debat për lidhjet  e artistëve me Sigurimin e Shtetit. Ju kujtohen situatat sesi infiltroheshin koleget e tua në Sigurimin e Shtetit?

Alida Hisku: Unë nuk mund të flas sot konkretisht, sepse po ai sigurim që ka qenë atëherë, është edhe sot. Atëherë ishte një sigurim që shfrytëzohej prej pushtetit, sot shfrytëzohet prej lekut. Të njëjtat gjëra bëhen edhe sot. Por sot ndryshe nga e kaluara, shumë gjëra tani kanë dalë sheshit, por pjesa më e madhe e infiltrimit bëhej fshehtas, siç bëhen shumë gjëra fshehtas edhe sot…

Por duhet të them këtë gjë, që këngëtaret që kërkonin karrierë që e që nuk ishin të gjithanshme, ata që nuk ishin të sinqertë në krijimtarinë e tyre si artistë, u nënshtroheshin këtyre lloj rrugëve, duke u bërë vegla të Sigurimit të Shtetit ose të politikanëve. Por unë nuk kisha asnjë ndjesi të tillë, që të intrigohesha në këtë gjë.

Unë besoja tek vetja, punoja fort. Arritjet e mia rrodhën natyrshëm. Këto arritje mbase u vranë sytë atyre që ma bën këtë, që më kallëzuan se çfarë shkruaja në një ditar që e kisha shumë personal. Isha një vajzë e re që sipas kërkesave të kohës, isha këngëtare shumë popullore, isha punëtore, anëtare partie dhe të gjitha këto i kisha arritur në moshën 23 vjeçe. Mbase u vrau sytë gjithë kjo arritje, siç konsiderohej në atë kohë. Ishin tre vetë ata që ma bënë këtë. Kanë qenë nga Vlora, tre artistë që ishin në Shkollën e Partisë.

Mund të na i thuash këto emra?

Alida Hisku: Jo!

Pse jo?!

-I kam falur…

Si mundesh t’i kesh falur. Të shkatërruan jetën në lulëzimin e saj, dhe t’i thua i kam falur?

Alida Hisku: Ndoshta, nuk e kanë bërë me gjithë shpirt, kushedi si i kanë manipuluar…

Po në librin tënd autobiografik i ke shkruar se cilët janë?

Alida Hisku: Jo, të thashë…, s’i kam shkruar emrat. I kam falur.

Po ty vet, të kërkoi ndonjëherë sigurimi i shtetit të bashkëpunoje?

Alida Hisku: Jo, jo, nuk ma kanë kërkuar kurrë këtë. Ndoshta mund ta kenë ditur se çfarë natyre kam qenë. Mbase nuk duhej një njeri që shikonte vetëm punën e tij dhe programin e punëve që i ngarkonin. Por atje në shkollë të Partisë më morën ditarin ata që kishin lidhje me Sigurimin dhe më spiunuan. Mbase isha e madhe për ta, jashtë këndvështrimit të njerëzve normalë, mbase ata ishin lakmimtarë, sepse unë kisha hyrë në zemrën e popullit. Populli im ende nuk më ka harruar.

Unë befasohem, unë mrekullohen që më ka dashur. Kam 25 vjet që kam ikur dhe do të më ishte harruar edhe emri, dhe populli im që unë i këndoja me gjithë shpirt, thotë gjithmonë Alida Hisku. Çmimet, Medalja e Arit, diplomat që mora derisa erdhi koha e më hoqën të drejtën të këndojë, më duken sinqerisht shumë të vogla, sepse ajo më madhështorja është se mbeta në zemrën e popullit. Nuk mund ta kuptoj askush sesa shpërblim të madh kam marrë…

Kam qenë në skenë që 13 vjeçe, kur ende nuk e kisha mbaruar klasën e tetë në shkollën “Avni Rustemi”. Duhet të merrja pjesë në festivalin e 9-të të këngës në RTSH. Ky ishte festivali i parë, ku mora pjesë. Dhe më mori Agim Krajka për të kënduar këngën e Shkurte Pal Vatës. Me çantën e shkollës në dorë shkoja bëja provat. Atë vit ishte vrarë dëshmorja Shkurte Pal Vata.

Çfarë i ke zbuluar lexuesit gjerman në librin “politiko-biografik”, siç e quan ti, kush ishin marionetat e regjimit?

Alida Hisku: Në libër është shkruar jeta ime. Si unë e shfrytëzoja ditën që kur isha shumë e re, dhe del se jeta ime nuk orientohej më nga një orë muri, por nga një program detyrash dhe punësh. Kjo kulturë pune, ky ritëm jete ka nisur që në fëmijëri. Jam unë në atë libër që jam marrë me rritjen e vetvetes me shumë detyra e ngarkesa.

Mua nuk më udhëhequr egoja, por frymëzohesha kur arrija ku synoja. Libri në shqip përkthehet në shqip “Marioneta të politikës së diktaturës së Enver Hoxhës”, se ne artistët kemi qenë marioneta, në kopertinë është pentagrami, telat me gjemba të burgut dhe notat me gjak.

Për artistët që të kallëzuan, je bërë kurioze se çfarë kanë thënë, ke kërkuar në dosjet e Arkivës së Shtetit?

Alida Hisku: Jo asnjëherë. Futa avokatin këtu te Prokuroria e Tiranës të gjeja dokumentet e burgosjes, por nuk gjeta asgjë, më janë zhdukur. I doja se nuk i mbaj mend të gjitha, ishin në ciklin e torturave gjilpërat që u bënin grave në kaushin e Tiranës.

Si ju bënin gjilpëra, ç’qenë këto gjilpëra?

Alida Hisku: Po. Po. Të bënin gjilpëra ata. Pastaj unë kalova në krizë nervore. Nuk e mbaj mend çfarë lloj gjilpërash qenë, por mbaj mend shumë tortura që na bënin. Mbaj mend policët, madje edhe prokurorët që kalonin nëpër këmbët e grave. I përdhunonin gratë.

Prokurorët vetë, e tmerrshme….

Alida Hisku: Pse e tmerrshme. Sa vite je gazetare, s’i ke dëgjuar këto…..

Unë kam dëgjuar e publikuar shumë raste, por ju më thatë përshtypjen se nuk ishin raste, por ishte masive. Të gjitha i përdhunonin?

Alida Hisku: Po. Unë kam qenë vetë dëshmitare. Madje edhe në internim kur duhet të merrej një leje, nëse ishe e sëmurë për t’u vizituar te mjeku në qytet, nuk ta jepnin lejen po të mos përdhunonin.

Jam ende e tronditur. Edhe ti i ke kaluar këto tortura, edhe ty të ka ndodhur?

Alida Hisku: Askush nuk shpëtonte.

I mban mend ata që përdhunonin?

Alida Hisku: Si t’i merrje vesh, të hidhnin një batanije ne kokë dhe…

Aty në kaush?

Alida Hisku: Po, po, aty në kaush. Mbase mund të them të gjitha të dënuarave dhe të internuarave u ka ndodhur. S’mund të qes emra.

Në kaush qëndrova tre muaj. Gjashtë muaj burg m’u bënë bashkë me dy muaj në psikiatri. Dhe dy muaj më çuan në një fshat të Lushnjes në internim.

Dhe pastaj më futën në arrest shtëpie. Ndërhynë dajat, se daja im ka qenë shpikësi i parë i grafikës së lekut shqiptar, që prodhohej në tunelet e Malit të Dajtit. Më ka shpëtuar daja im nga burgu.

Daja im ishte Sadik Dinga, që ka bërë kopjen e kartëmonedhës shqiptare. Në atë kohë thuhej se kartëmonedha shtypej në Kinë, por bëhej këtu në Dajt. Mbahej sekret që mos të bëheshin grabitje.

I ke futur përdhunimet e grave në libër?

Alida Hisku: Kam futur vetëm pjesën time, jo të grave të tjera. Mjafton tregimi nëpërmjet historisë sime personale për të folur në emër të gjitha grave….

Po nga këta njerëzit e sigurimit mund të dalë ndonjë emër nga goja jote?

Alida Hisku: Asnjë. Por u bëjë thirrje të gjithëve atyre që kanë abuzuar në njerëz dhe kanë bërë veprime të tilla të bëjnë spastrimin e vetes së tyre, të dënohen nga vetja e vet. Të mos shkojnë në atë botë me ferrin e tyre në shpirt…. /shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

PËR TË MOS I HARRUAR: EMRAT E XHELATËVE QË MORËN JETË TË NJERËZVE TË PAFAJSHËM GJATË KOMUNIZMIT

Dëshmia e Ismail Çepratit, një ish-të burgosuri e më pas të arratisuri nga Shqipëria, botuar në gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar”, të vitit 1957.

Ai përmend emrat e disa prej togerëve kriminelë, në duart e të cilëve mbetën jetët e të burgosurve politikë dhe rastet e shumta të torturave dhe keqtrajtimeve të burrave dhe grave të dënuar

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult