Rrëfimi tronditës i ish-prokurorit të Durrësit: Kur personi i dënuar ishte i fortë fizikisht i bëhej “ekzekutim i thatë” në qeli, duke e qëlluar me…

Foto ilustrim

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.

Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.

E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.

Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht.

Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

Poligonët e vdekjes

Sa njerëz janë ekzekutuar në Shqipëri gjatë viteve të terrorit komunist, askush nuk e di me saktësi, por vendet ku janë pushkatuar shumica e tyre, dihen dhe janë emërtuar nga populli si “poligonët e vdekjes”.

Janë vrarë njerëz të rrëmbyer nga rruga në periferi të qyteteve. Janë vrarë partizanë pas krahëve, nëpër shkrepa dhe lugina, të varrosur nga fshatarët, pa mësuar kurrë se kush ishin. Janë vrarë të pafajshëm, pa vendim gjyqi, të paregjistruar në asnjë shkresë, emrat e të cilëve figurojnë të gjallë në zyrat e gjendjeve civile, dhe askush nuk e di se ku janë groposur!

Janë vrarë qytetarë, në përpjekje për të kaluar kufirin dhe trupat e tyre, janë djegur nga komandat e postave kufitare të spërkatur me naftë.

Janë ekzekutuar njerëz buzë shkrepave dhe kufomat e tyre, janë hedhur në humnerë, ku nuk shkelin dot as bishat e egra. Janë pushkatuar qytetarë buzë përrenjve e lumenjve dhe kufomat e tyre, kanë përfunduar në dete e liqene.

Kanë vdekur të burgosur në qelitë e Sigurimit e të burgjeve dhe trupat pa jetë, janë hedhur në grumbullimet e plehrave të qyteteve. Gjatë viteve 1945-1948, në shumicën e rasteve, ekzekutimet e “armiqve”, bëheshin ditën, për t’ju futur tmerrin qytetarëve.

Kështu u ekzekutua në Tiranë në muajin maj të vitit 1945, në dritën e diellit, 17 personalitete të shtetit shqiptar, në vendin e quajtur “Kodra e Priftit”, disa metra në të djathtë të Fabrikës së Porcelanit.

Dy ditë para ekzekutimit, punëtorët e Bashkisë, nën mbikqyrjen e oficerëve të Sigurimit, kishin hapur një gropë jo shumë të thellë. Pa kaluar asnjë javë nga ekzekutimi, gropa u zbulua nga vjedhësit e varrezave, të cilët kanë kujtuar se personat e rëndësishëm të pushkatuar, do të kishin sende me vlerë, por u larguan të zhgënjyer, duke i lënë kufomat të pa mbuluara, nga inati, pasi vrasësit, para se t’i pushkatonin, iu kishin grabitur gjithçka me vlerë.

Në fillim të vitit 1950, Ministria (kobzezë) e Brendshme, urdhëroi që çdo degë Sigurimi në rrethe, të kishte “poligonët e vdekjes”.

Në Tiranë, kishte disa poligon të vdekjes, por më të rëndësishmit, ishin buzë lumit të Tërkuzës dhe të Erzenit. Atje janë ekzekutuar me qindra viktima. Shumë prej kufomave, janë marrë nga ujërat e turbullta të lumenjve, ose janë ngrënë nga shpendët, apo shqyer nga kafshët e egra.

Tog-fjalët; “Bregu i lumit”, u bë sinonim i vdekjes. Kur dikush mallkonte rëndshëm ndonjërin i thoshte; “Të pafsha te Bregu i lumit”.

Një poligon tjetër ekzekutimi në Tiranë, ishte pranë Urës së Farkës, në lumin Erzen. Ja se çfarë më ka treguar bashkëvuajtësi im, Nuri Stepa, që punonte si shofer para se të dënohej: “Udhëtoja nga Elbasani në Tiranë, me makinën e ngarkuar me ullinj. Pa kaluar Urën e Farkës, një polic më bëri shenjë të ndaloja në vend dhe të shuaja dritat. Zbatova urdhrin dhe parandjeva se diçka e jashtëzakonshme, do të ndodhte përtej urës.

Ishte ora 11.00 e natës. Megjithëse hëna ishte e zbehtë, përtej urës, dallova konturet e një “Gaz”-i, të Sigurimit dhe të auto-burgut. Nga “Gaz”-i, zbritën disa persona dhe nga auto-burgu u ulën në tokë dy persona, qe i mbanin nga krahët policët. Pas tyre nga dera e auto-burgut, hodhën në tokë si një thes me kripë, një person të tretë, që e tërhoqën zvarrë nga këmbët.

Ai me siguri do të kishte vdekur, gjatë transportit me auto-burg, nga ndonjë atak në zemër. Në zallishte, afër këmbës së urës, dy viktimat i ekzekutuan, duke i qëlluar me plumb, pas kokës.

Pastaj të tri kufomat i shtynë me këmbë dhe i hodhën në një grope, afër një gëmushe pranë urës. Sipër kufomave, hodhën diçka të bardhë, si pluhur gëlqere. Me një lopatë xheniere, hodhën ca rërë e zhavorr dhe u larguan për te makinat. “Gazi” dhe auto-burgu, u kthyen në drejtim të Tiranës dhe polici që ishte në bisht të urës, i hipi motorit dhe u nis edhe ai në drejtim të Tiranës. U trondita aq shumë nga ai ekzekutim makabër, që pashë atë natë, saqë kur kapa timonin, duart më dridheshin ende. Kanë kaluar dhjetë vjet nga ajo natë dhe ajo skenë, ruhet në kujtesën time, sikur të kishte ndodhur mbrëmë”.

Në vitet e pluralizmit, shumë skelete të njerëzve të pushkatuar, u gjetën buzë lumit Erzen, si gropa e 22 të ekzekutuarve, afër Urës së Beshirit, 12 km. në jugperëndim të Tiranës, në shkurtin e vitit 1951, me rastin e të ashtuquajturit “incident” në Ambasadën Sovjetike.

Në Tiranë, ekzekutime janë kryer edhe tek Ura e Sharkës, afër Vorës, në tunelet e Qesarkës, në Malin me Gropa, në afërsi të urës së Brarit dhe në ndonjë vend tjetër, të pa identifikuar deri më sot. Në Shkodër, bastioni më i rëndësishëm antikomunist në Shqipëri, si vend ekzekutimi, ishte caktuar Zalli i Kirit, nga Bardhaj, deri tek ura e lumit Kir.

Në atë vend të mallkuar, janë ekzekutuar me qindra të pafajshëm, sidomos gjatë viteve 1945-1946, pas “operacionit të spastrimit” në Malësin e Madhe dhe dështimit të Kryengritjes së Postribës. Ekzekutime janë bërë edhe gjatë brigjeve të lumit Buna, në afërsi të Fabrikës së Çimentos, ku shpesh herë, kufomat e groposura gjatë reshjeve, dilnin në sipërfaqe, ose merreshin nga valët e lumit.

Ka pasur raste, që kufomat janë lënë në sipërfaqe, pa u groposur, të hedhur kapicë mbi njëri-tjetrin, siç ndodhi pas dështimit të Kryengritjes së Postribës. Kjo bëhej me qëllim, që të terrorizonin popullin, e për t’u kallur tmerrin banorëve të atyre anëve dhe Shkodrës. Shprehja; “të çofshin në Zall të Kirit”, u bë proverbiale në Shkodër dhe simbolizonte vdekjen nga plumbi.

Në Vlorë, “poligonët e vdekjes”, ndodheshin te “Bishti i kalldrëmit”, gjatë rrugës Vlorë-Kaninë, në hambare afër Fabrikës së Tullave dhe afër një ure të vogël, buzë rrugës nacionale, pa shkuar te Qafa e Koçiut.

Ajo urë u quajt nga populli i Vlorës, “Ura e Ballistëve”. Atje u ekzekutuan disa qindra ballistë, të dënuar dhe të padënuar, nga “gjyqet e popullit” të diktaturës komuniste.

Edhe sot e kësaj dite, çdo shqiptar i ndershëm që kalon afër kësaj ure, kujton ata burra që u vranë, për të vetmin faj, se deshën Shqipërinë. Në Gjirokastër, ekzekutimet kryheshin në “Sheshin e Zinxhirëve” dhe ne Buduk, buzë lumit Drino.

Në Berat, poligonët e vdekjes ndodheshin në Uznovë, si dhe afër katundit Moravë, buzë lumit Osum. Në Durrës, ekzekutimet bëheshin në Porto-Romano dhe në Bisht të Pallës.

Ja çfarë më ka treguar bashkëvuajtësi im, Dervish Sulo, ish-prokuror i Durrësit, gjatë viteve pesëdhjetë:

“Të dënuarit me vdekje, i ekzekutonim në Porto- Romano. Dikur aty ndodhej një fabrikë për përpunimin e lëkurës dhe kishte shumë gropa, ku kishin hedhur mbeturina lëkurësh të dekompozuara nga acidet. Kështu që, nuk ishte e nevojshme të hapnim gropa të reja, për kufomat e të ekzekutuarave.

E afronim “Gaz”-in, afër një grope, zbritnim njeriun që do të ekzekutohej, e vendosnim para prozhektorëve të auto-burgut, të lidhur këmbë e duar dhe e ekzekutonim nga mbrapa, me automatik ose revolver.

Kur personi që do të ekzekutohej ishte i rëndësishëm, merrnim me vete edhe mjekun e Degës së Brendshme, për të berë relacionin me shkrim, për personin e asgjësuar.

Në shumicën e rasteve, mjeku firmoste të nesërmen, pa ardhur në poligonin e vdekjes. Kur personi që do të ekzekutohej ishte i fortë fizikisht dhe tepër agresiv, për të mos shkaktuar telashe, atij i bëhej “ekzekutim i thatë” brenda në qeli, duke e qëlluar me levë hekuri pas kokës dhe ashtu, pa berë as gëk dhe as mëk, e çonin në vendin e ekzekutimit. Pas kryerjes së vrasjes, thirresha unë si prokuror dhe mjeku i Degës së Brendshme, për hartimin e raportit të ekzekutimit, që gjoja ishte hartuar në poligonin e vdekjes, të Porto-Romanos.

Natën vonë, kufoma hidhej në gropat e Porto Romanos, dhe thithej menjëherë nga mbeturinat e fabrikës. Brenda një kohe tepër të shkurtër, ajo dekompozohej krejtësisht”.

Sipas gjeneralit të Sigurimit, Halim Xhelo, i cili u burgos në vitin 1966 dhe pas disa vitesh u gjend i varur në spitalin-burg të Tiranës, pas vitit 1948, për zhdukjen e kufomave të njerëzve të ekzekutuar, përdorej gëlqerja e shuar, e cila me kalimin e kohës, dekompozonte jo vetëm kufomën, por edhe kockat e viktimave.

Halim Xhelo, pohonte se shumë kufoma të njerëzve të vrarë, janë përdorur si kadavra në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe janë shitur edhe jashtë Shqipërisë, klinikave të spitaleve universitare.

Në burgun-ferr të Burrelit, “frontoja” e intelektualëve shqiptarë gjatë viteve 1946-1990, kanë gjetur vdekjen mbi 350 të burgosur, shumica e të cilëve, kanë qenë intelektual të shquar, të diplomuar në universitet më të mira të Evropës dhe Amerikës.

Çdo i burgosur, që vdiste nga uria, sëmundjet, trajtimi mizor, mbështillej me një batanije të vjetër dhe hidhej në një gropë, që ndodhej disa dhjetëra metra pas burgut, afër një qershie.

Gropa ishte e mbuluar me trarë e dërrasa dhe mbi to ishte hedhur një shtresë e hollë dheu. Sa herë që vdiste ndonjë i burgosur, kufomën e tij, e nxirrnin nga burgu kur errësohej dhe e hidhnin në gropën e përbashkët. Mbi kufomë, hidhnin një sasi pluhur gëlqere të pashuar.

Qershia, kjo pemë e mrekullueshme, që japonezët e mbajnë si simbol lumturie, për të burgosurit e Burrelit, i kaloi kufijtë me tela me gjemba të Shqipërisë dhe u bë frymëzim për një kineast hungarez, të arratisur në Perëndim, për realizimin e një filmi artistik me titullin; “Qershia”.

Fatkeqësisht, në Shqipëri, “Qershia” e Burgut të Burrelit, nuk njihet. Në vitin 1990, për të zhdukur çdo gjurmë të krimit, buldozeri i fermës, rrafshoi çdo gjë që ndodhej pas burgut, duke mos lënë asnjë gjurmë, nga gropa e përbashkët e kufomave.

Në vitet e pluralizmit, më kot u munduan familjarët e viktimave, për të gjetur, qoftë edhe një kockë nga të afërmit e tyre, të vdekur në atë burg mizor.

Në qarkun e Korçës, në përroin e katundit Shipskë, në vitet e pluralizmit, janë gjetur me dhjetëra kufoma njerëzish të ekzekutuar nga komunistët, gjatë viteve 1943-1944. Në gjymtyrët e skeleteve, duken qartë gozhdë të ndryshkura, gjë që tregon qartë katërcipërisht, se viktimat para se të ekzekutoheshin, ishin torturuar mizorisht dhe janë gozhduar si Krishti, në Golgota.

Në kënetën e Maliqit, në rrethin e Korçës, për tharjen e të cilës gjatë viteve 1946- 1950, kanë punuar disa mijëra të burgosur politikë, ata që vdisnin nga puna e rëndë, nga torturat e sëmundjet, nuk i groposnin, por i hidhnin në llumin e kënetës.

Në vjeshtë, kur të burgosurit i dërgonin në burgjet nga kishin ardhur, shirat e furishëm që sillnin ujra të shumtë, merrnin me vete llumin e kënetës dhe kufomat e dekompozuara, dilnin në sipërfaqe. Ato tërhiqeshin nga qentë e katundeve përreth kënetës, duke u bërë tmerr për fshatarët dhe subjekte për legjenda të llahtarshme.

Në kampin burg të minierës së Bulqizës, gjatë viteve 1947-1957, kanë punuar krahas të burgosurve ordinerë, disa qindra të dënuar politikë. Ata i hoqën nga Bulqiza, kur shpërtheu Revolucioni Hungarez, nga frika e plasjes së një revolte masive, nga të burgosurit. Në kampin burg të Bulqizës, gjatë 43 viteve të shfrytëzimit të minierës me të burgosur, mbi 700 vetë, kanë gjetur vdekjen.

Mjafton të përmendim, se në një ditë të vitit 1969, nga shembja e një galerie, gjetën vdekjen 17 të burgosur. Për ata fatkeq, nuk u tha asnjë fjalë në kohën e diktaturës së kuqe.

Nekropoli i Bulqizës, më i madhi i kampeve dhe i burgjeve, të Shqipërisë – burg, u rrafshua para se kuçedra komuniste të nxirrte grahmën e fundit. Përdhunimi i kufomave nga komunistët, është përdorur për të shfrytëzuar urrejtjen ndaj “klasave të përmbysura” dhe për të nxitur “dëfrimin” kanibalesk, të turmave pa tru.

Në Berat, në shtator të vitit 1943, me kokën e prerë, të ish deputetit të Parlamentit Shqiptar, Hysni Toskës, u luajt futboll, në lagjen “Murat Çelebi”, kurse kokallat e ish kryeministrit shqiptar të vitit 1920, Iljaz Vrionit, që ka vdekur në vitin 1932, u nxorën nga varri dhe u shëtitën rrugëve të qytetit, me ulërima, sit ë ishin ujqërish dhe çakejsh. Në Shkodër, iu prish varri poetit tonë kombëtar, Gergj Fishtës dhe kockat e tij, u hodhën në lumin Buna për të përfunduar në Adriatik.

Përdhunimi i varreve dhe i kufomave ishte “metodë pune” nga sistemi komunist, për të terrorizuar komunitetin dhe për të fshirë kujtesën kombëtare.

Gjykatat speciale, për dënimin e shqiptarëve antikomunistë

Në muajt e parë të vitit 1945, në dhjetë qendrat e prefekturave të Shqipërisë, u krijuan Gjykata Speciale Ushtarake, për dënimin e mijëra shqiptarëve antikomunistë, apo “kriminelëve të luftës”, siç etiketoheshin ata.

Në shumicën e rasteve, kryetarët dhe prokurorët e këtyre gjykatave, ishin: teneqexhinj, nallbanë, infermierë, kriminelë, sadistë të lindur dhe ndonjë intelektual me arsim të lartë, të etur për gjak dhe karrierë.

Gjyqi Special i Tiranës

Gjyqi më i bujshëm, filloi në Tiranë me 2 mars të vitit 1945. Kryetari i Gjyqit, ishte teneqexhiu Koçi Xoxe, (gjeneral-leijtnant), me funksion qeveritar, nën/kryeministër, gjysëm analfabet, me origjinë sllavo-maqedonas.

Prokuror, ishte Bedri Spahiu, ish-nëntoger i ushtrisë monarkiste, me arsim të mesëm ushtarak, përmendur për krimet e kryera gjatë periudhës 1941-1944, në Zonën e I-rë Operative, Vlorë-Gjirokastër. Anëtarët e trupit gjykues, ishin funksionarë të lartë të partisë-shtet si: Halim Budo, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Faik Shehu, Medar Shtylla, Gago Floqi dhe një ish-partizan, nga katundi Boboshticë.

Në bangën e të akuzuarve ishin të ulur 60 të pandehur, një pjesë e të cilëve, ishin pjesëmarrës në qeverinë kuislinge, udhëheqës të partive “Balli Kombëtar” dhe të “Legalitetit”, por nuk munguan as patriotët e ndershëm dhe të devotshëm, që kishin sakrifikuar shumë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Pjesëmarrësit, si dëgjues në sallën e gjyqit, ishin të ftuar me ftesa nga funksionarët e partisë – shtet, sekretarë të organizatave të partisë, përfaqësues të gruas shqiptare, rinisë komuniste, sindikatave e, të tjerë halabakë, për të bërë tifo gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Gjyqi zhvillohej në kinema “Kosova” (ish-Teatri Popullor). Te sheshi i vogël para kinemasë “Kosova”, qëndronte e përhershme, një turmë me sy të skuqur të etur për gjak, që hidhte vazhdimisht sloganet: “Tradhtarët në litar”, “Reaksionarët në hanxhar” dhe këndonin me zë të ngjirur: “Reaksionarët porsi miu, i gjykon Bedri Spahiu”.

Në sallën e gjyqit dhe jashtë saj, ishte krijuar një atmosferë mbytëse, gjithë ankth dhe frikë. Gjyqi transmetohej direkt nga dhjetëra altoparlantë, që ishin vendosur në sheshet dhe rrugët kryesore të Tiranës.

Populli, nuk guxonte as të hapte gojën, për të thënë ndonjë fjalë mëshironjëse, për ndonjë të pandehur.

Për 43 ditë, sa vazhduan seancat gjyqësore, për pjesëtarët e familjeve të të pandehurve dhe për njerëzit e ndershëm, ishin ditë drithëronjëse; kurse për komunistët, simpatizantët e tyre dhe fundërrinat e shoqërisë shqiptare, që lumturoheshin me fatkeqësinë e të tjerëve, ishin ditë hareje…!

Prokurori shpirt-kazëm, Bedri Spahiu, në pretencën e tij të 6 prillit 1945, kërkoi dënimin me vdekje, për 23 të pandehur, kurse me vendimin e gjykatës (i paapelueshëm), që u dha në 14 prill, u dënuan me pushkatim, 17 të pandehur.

Ata ishin:

Javer Hurshiti, (1880-1945), me origjinë nga Kaukazia, ish-deputet, prefekt dhe ministër.

Fejzi Alizoti, (1868-1945), ish-deputet, kryetar bashkie, senator dhe ministër.

Kol Tromara, (1887-1945), nacionalist i kulluar, ish-deputet një nga krerët e ‘Ballit Kombëtar’.

Kostandin Kote, (1896-1945) ish-funksionar dhe ministër.

Hilmi Leka, (1913-1945), ish-funksionar dhe ministër.

Reshit Mërlika, (1912-1945, tregtar dhe sipërmarrës.

Ismail Golemi, (1908-1945), ish-oficer dhe komandant i ‘Ballit Kombëtar’, për Gjirokastrën.

Tahsin Bishqemi, (1897-1945), nënkolonel, ish-komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare.

Terenc Toçi, (1912-1945), arbëresh nga Kalabria, ish- ministër dhe kryetar i Parlamentit Shqiptar.

Zef Kadarja, (1898-1945), ish-prefekt dhe funksionar i lartë.

Shyqyri Borshi, (1883-1945) ish-oficer i lartë i shtetit shqiptar.

Beqir Valteri, (1893-1945) ish-Ministër i Kulturës Popullore në vitin 1943. (Atentatori i Ahmet Zogut në vitin 1923).

Bahri Omari (1888-1945), ish-drejtues i gazetës “Dielli” të Shoqërisë “Vatra” në SHBA-ës, eksponent i ‘Ballit Kombëtar’ dhe ministër i Jashtëm i shtetit shqiptar në vitet 1943-‘44.

Dik Cami, (1905-1945), ish-oficer i Xhandarmërisë Shqiptare.

Aqif Përmeti, (1884-1945), ish-kapiten i ushtrisë amerikane dhe adjutant i gjeneralit Pershing, gatë Luftës së I-rë Botërore, gjeneral i Ushtrisë Shqiptare në vitet 1943-‘44.

Daut Çarçani, (1902-1945), ish-oficer i Xhandarmërisë dhe prefekt i shtetit shqiptar.

Gustav Myrdash, (1882-1945), gjeneral austriak, ish- këshilltar i Ushtrisë Shqiptare dhe adjutant i Mbretit Zog.

U dënuan me burgime të rënda:

Koço Kota, ish-kryeministër.

Ibrahim Biçaku, ish-kryeministër.

Xhevat Korça, ish-ministër.

Qemal Vrioni, ish-ministër.

Et’hem Cara, ish-ministër.

Jakov Milaj, ish-ministër.

Ndoc Naraçi, ish-ministër.

Tefik Mborja, ish-ministër.

Musa Gjylbegu, ish-ministër.

Mihal Zallari, ish-Kryetar Parlamenti.

Koço Tasi, ish-nëpunës i lartë.

Rifat Begolli, ish-nëpunës i lartë.

Shuk Gurakugi, ish-nëpunës i lartë.

Sokra Dodbiba, ish-nëpunës i lartë.

Anton Kozmaçi, ish-nëpunës i lartë.

Mihal Sherko, ish-nëpunës i lartë.

Akile Tasi, ish-nëpunës i lartë.

Fiqiri Llagami, ish-gazetar.

Lazër Radi, ish-publicist.

Xhevit Leskoviku, ish-Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare.

Sami Koka, kolonel, ish-oficer i lartë, zv/Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare.

Sulejman Vuçiterna, kolonel, ish-oficer i lartë

Bajram Pustina, kolonel, ish-oficer i lartë

U dënuan nga 1 deri në 10 vjet burgim: Tefik Mbroja, Gjergji Bubani, Bilal Nivica; Ismet Kryeziu, Vangjel Goxhomani, Ihsan Libohova, Zef Benusi, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Emin Toro, Manush Peshkëpia, Ded Jakova, Zenel Prodani. Pastaj Sami Visoka, Abedin Xhiku, Zef Shiroka, Luigi Filaj, Abdurrahman Telqiu dhe Qemal Vrioni. /Memorie.al

ObserverKult


ramiz alia
Enver Hoxha edhe Ramiz Alia

Lexo edhe:

SI PËRPIQEJ RAMIZ ALIA, NGA QELIA E BURGUT TË MBRONTE KRIMET E SHEFQET PEÇIT

(Fragment nga libri “Masakër në Buzëmadhe”, Bot. 3)

Nga Petrit Palushi

Çuditërisht, ditën kur në Buzëmadhe (22 shtator 1994), pas pesë dekadash nderoheshin publikisht për herë të parë viktimat tragjike të 26 shtatorit të 1944-s. Në shtyp botohej një letër që ish-presidenti i fundit komunist, R. Alia. Ai i dërgonte shkrimtarit dhe parlamentarit, D. Agolli, ku midis të tjerash, shkruante:

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult