Nga Frano Kulli
Historia jonë, përgjithësisht ka qenë histori e një populli të mundúar fort prej udhëheqësíve. Udhëheqësíve të huaja e të vendit. Njësoj.
Në dyert e SPAK-ut, hyjnë e dalin përditë, si specat, shtetarë të të gjitha rrangjeve. Me akuza të mëdha, shumica edhe ministra e ndihmës kryeministra, disa sosh.
Por të gjithë dalin duke u zgërdhi që andej. S’di a e keni vu re; “asnjerit nuk i bie syri në qerpik”. Po dua me thanë se asnjëri nuk ndjehet i turpëruar. E vetmja ndjesi njerëzore, që së paku, si reminishencë virtyti duhej të shfaqej sado pak në fytyrat e tyre, duket se as nuk ekziston në qenien e tyre.
Madje, ndonjëri prej tyre, pafytyrësisht kërkon edhe dëmshpërblim…për një hard disc kompjuteri a s’di se çka. Secili rend mbas asaj pjesës “under grund“, të procesit se si t’ia gjejë anën fashitjes së ndëshkimit…
Se sa për ata që i kanë rréjtë a vjedhë, siç janë akuzat e SPAK-ut thonë, as nuk skuqen as nuk zverdhen.
Në kopertinën e botimit të dytë, të “Gomari i Babatasit”, (Shkodër shtypshkroja At Gjergj Fishta, 1941) poshtë titullit shkruhet edhe ky pohim i mençur: “Populli i falë ata qi e mundojnë, por nuk ka për ti falë kurr ata qi e rrêjnë. Montalembert”.(Charlest, count de Montalembert, (15 prill 1810, Londër – më 13 mars 1870, Paris), orator, politikan dhe historian, lider në luftën kundër absolutizmit në kishë dhe në shtet në Francën e shekullit të 19-të.)
E zgjedhur dhe e vendosur gati si nëntitull i librit, domosdo s’mund të jetë tjetër veçse, një thirrje në ndihmë të lexuesit a si një çelës për të hapë portën kryesore të leximit të veprës.
E, siç dihet gjërësisht tashma, kjo vepër-kulm e satirës politike në Shqipëri atëherë kur u shkrua porse edhe sot, ka qenë dhe mbetet e tillë, një kualitet letrar i shkallës së epërme edhe për arsyen e fortë se për lëndë të veprës së vet, autori ka marrë e ka “vu në bisht t’lahutës” siç do të thoshte ai, veset më të shëmtuara të udhëheqësíve politike e shtetnore, të cilët, duke livadhisë ndër to (nëpër veset pra), i shkaktojnë një dëm të madh fort e shumë afatgjatë shoqërisë që udhëheqin. Ndoshta, kjo sentenca e mendimtarit të shquar francez, i përshtatet fort edhe shoqërisë shqiptare sot ndaj dhe ka ndodhë kjo përzgjedhje qysh atëherë, kur ende nuk qe mbyllë gjysma e parë e shekullit të shkuar.
Historia jonë, përgjithësisht ka qenë histori e një populli të mundúar fort prej udhëheqësíve. Udhëheqësíve të huaja e të vendit. Njësoj. Dhe, sigurisht, mundimet ia kanë lënë të dukshme gjurmët e vuajtjes njeriut shqiptar. Shpesh ia kanë shformuar edhe cilësisht mjaft virtyte.
Po, ja që disa prej tyre, më të shumtat e tyre kanë mbetë e janë ruajt në nëvetëdijen e në shpirtin e tij. Virtyt është edhe neveria e pakapërdishme ndaj rrenave e rrencakut (gënjeshtrave e gënjeshtarit).
Për gënjeshtarin publik, gënjeshtarin udhëheqës, sidomos. Se gënjeshtra e tij bën dëm të madh. Ne të gjithë e dimë, tashma se kuti që i mat e peshorja që i peshon shtetarët në demokraci është marrëdhënia e tyre me të vërtetën e me gënjeshtrën. Për fjalët që thonë e për punët që bëjnë. Është marrdhënia ndërmjet besimit që iu është dhënë dhe mirëpërdorimit a keqpërdorimit të tij.
Tek ne ka ndodhë gjithherë kjo e dyta. Sistematikisht udhëheqësit tanë, kush më pak e kush më shumë, kanë gënjyer. Aq shumë kanë gënjyer, sa kur ndonjëherë ka ndodhë që, ajo çfarë ata kanë thënë edhe është mbajtë si fjalë e thënë, kjo e ndodhur është çmuar e vlerësuar si mrekulli.
Rëndom vlerësimi për to, pra se udhëheqësi është i zoti a i pazoti , i aftë a i paaftë, është përcaktuar se sa e ka spërdredhë fjalën ky ose ai. Pra, sa ka mundur të na mashtrojë. Kjo i ka vënë kapak, si të thuash zotësisë së udhëheqësit…
E meqë i filluam radhët e këtij shkrimi me një kryevepër të satirës politike shqiptare, mbase duhet shpjeguar edhe lidhja e saj me të sotmen, tash një shekull mbas. Thelbi i kësaj lidhje është sjellja e njëjtë e qeverisësve tanë me ne të qeverisurit prej tyre. Për t’u qortuar fort e satirizuar, atëhere dhe sot….
Kryeprijësit, zotit kryeministër, as atij nuk “i bie syri në qerpik” për mëkëmbësit e tij. Është bërë anektodike thënia e zotërisë për “kumbulla që qenkërkan ngrënë pas shpinës së tij”. Përtej dyerve të SPAK-ut, gjithsa ka ndodhë e po ndodhë duhet ta bëjë, më së paku të skuqet prej turpit edhe vetë atë zgjedhësin e “kumbullngrënësve” pas shpinës së tij.
E t’u kërkojë ndjesë turmave zgjedhëse për zgjedhjet e gabuara që paska bërë, që, siç duket deri tani po e kalojnë numrin e zgjedhjeve të pagabuara. Se ata, zgjedhësit, turma, populli pra, këtij ia ka besuar zgjedhjen për ta prirë vendin e jetën e tyre për nga e mira e prosperiteti.
Pos të tjerash edhe turpe janë të gjitha këto, zoti kryeministër. Turp është “avullimi” aq shumë i përfolur i pasurive kombëtare, nga Porti i Durrësit e deri në Sazan… Turp janë krizat e përvitshme energjetike në Shqipërinë me rezerva ujore më të shumtat në Europë. Është fyerje e madhe e inteligjencës së shqiptarëve të krenohesh para tyre se nuk po ngre çmimin e energjisë.
Turp është ta çosh për skrap Rafinerinë e naftës në Ballsh e për qytetarët shqiptarë ta shesësh naftën me çmimin më të shtrenjtë në Europë, z.kryeministër.
Turp është mjerimi në Bulqizë e në minierat e tjera si ajo. Turp janë rrenat tuaja të pambarimta ndër dekada, zotërinj shtetarë !
Turp për ju që na e latë vendin “trokë”, këtë vend që vetë Zoti e ka begatuar dhe rinisë i dhatë rrugët e botës.
Po turp është edhe urdia e “këshillonjësve” e mbrojtësve tuaj medialë të tipit Ba(l)t-on, që rrumbullojnë 15 mijë euro në muaj, përlyer nëpër llogaritë aq fort të diskutueshme të djegësve të plehrave qytetës për pushtimin mashtrues që u kanë bërë ekraneve të kazanëve tuaj propagandistik e deformimit të lirisë së shprehjes. Që të mbledhura së bashku, besoj e kalojnë indeksin e rritjes së pensioneve qesharake, zoti kryeministër.
ObserverKult
Lexo edhe:
SHAZIM MEHMETI: ASHT NATË, E DRITA JOTE M’NDRIT, M’PËRFLAK…
Nga Shazim Mehmeti
Ashtë natë,
e drita jote m’ndrit,
m’përflak.
Aq m’përflak drita jote,
sa m’vjen me e shkulë zemrën
prej krahënueri,
e me ta dhanë.
Por, sa gja mund me qenë,
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ILIRIAN ZHUPA: JEMI LARGUAR TEPËR E JEMI TË BËRË TË VJETËR!
Në këtë dimër të lagësht, pa një rreze dielli,
deti përbri, qiejt përmbi,
jemi larguar si guacka nga thelbi,
s’kam punë me qiejt, s’kam punë as me ty.
Qiejt më trembin, fjalët më dhembin,
duart më zhveshin, hapat më heshtin,
ikjet më shembin, ardhjet më çmendin,
sytë më presin, dhelet më vdesin.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult