Rrënimi i objektit teatror në Tiranë – akt kundër civilizimit

Për arkitektin Arbër Sadiki, për të kuptuar historinë e një qyteti nuk është e domosdoshme që të lexosh një libër. Ai beson se mjafton që njerëzit të shëtitin nëpër të njëjtin, pasi që për të objektet që shfaqen si peizazhe nëpër rrugica a në qendër tregojnë shpirtin, ngjarjet apo edhe historinë e qytetit.

“Refuzoj që ta pranoj arkitekturën vetëm si një ndërtesë. Arkitektura është konstruksioni i një ndërtese së bashku me ngjarjet që ndodhin në të. Në momentin që e largon njërën, tjetra varfërohet skajshmërish dhe nuk e ka më funksionin që e ka pasur”, ka thënë ai në një diskutim virtual të organizuar të dielën nga kinemaja “Jusuf Gërvalla”. Kështu është munduar që të tregojë së shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë nuk është dashur që të ndodhë.

“Një skenë fantazmë”, kështu i është referuar ai momentit të rrënimit të objektit të Teatrit të dielën e 17 majit, kur buldozerët rrafshuan objektin 80-vjeçar, e bashkë me të edhe një pjesë të historisë së Luftës së Dytë Botërore, të urbanizmit të kryeqytetit, disa gjyqeve të regjimit të pasluftës e së paku 75 vjetëve të institucionit më të lartë teatror në Shqipëri. Sipas Sadikit, kushdo që di të lexojë qytetin përmes simboleve, e kupton që shembja e objekteve të tilla është zhdukje të kaluarës së popullit.

Sadiki, së bashku me drejtorin ekzekutiv të organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja – “Anibar” ka nën administrim kinemanë “Jusuf Gërvalla” – ishin të ftuar në kuadër të programit “Diskutime në kinema” që organizohen në kuadër të programit mujor të kinemasë që gjendet në qytetin perëndimor të Kosovës. Arkitekti Arbër Sadiki, ka thënë se ka pasur mundësi që të shfrytëzohen metoda dhe mënyra të ndryshme për të ruajtur ndërtesën, duke e kthyer të njëjtën në një ndërtesë bashkëkohore.

“Është ndërtuar në një kohë kur Shqipëria ka qenë deri në fyt me orientalizma e prapa-mbeturi dhe Teatri ka qenë një dritë e cila ka nënkuptuar një orientim krejtësisht bashkëkohor. Në momentin që e rrëzojmë këtë objekt, e rrëzojmë edhe këtë momentum brenda teatrit”, ka thënë ai. Ka treguar se ka qenë i zhgënjyer me faktin se një pjesë e artistëve e kanë përkrahur rrëzimin e Teatrit Kombëtar. Ka thënë se zhgënjyes për të ka qenë edhe procesi se si është bërë diçka e tillë.

“Mendoj që, jo pa qëllim, Qeveria përzgjedh procese të tilla të errëta, pasi që vendimin e ka paraprakisht dhe nuk i duhen as ekspertiza e arkitektëve dhe as të profesionistëve”, ka thënë ai. Sipas tij, që nga fillim i diskutimit nga Qeveria e Shqipërisë, ishte e qartë se objekti në fjalë do të rrëzohej. Sipas tij, nisma e këtij vendimi ka si bazë një mendësi primitive dhe përftimin ekonomik, transmeton ‘koha.net’.

“E shohim njëfarë lloj filozofie të provincës ku çdo gjë që ka ekzistuar para teje duhet zhdukur pasi që ti, je ai me të cilin fillon gjithçka. Kjo është e kundërta e civilizimit, e kundërta e asaj se si duhet të zhvillohet një qytet. Pasi që qyteti ka një domosdoshmëri për të ruajtur shtresat e veta historike”, ka thënë Sadiki. Sipas tij, vetë fakti që rrëzimi i Teatrit Kombëtar është bërë në orën 04:00 e mëngjesit tregon se ai nuk ka qenë i drejtë.