Rrënohet shtëpia e mbrojtur nga shteti, reagojnë OJQ-të në Mitrovicë

Rrjeti i Organizatave të Mitrovicës ka reaguar pas rrënimit të shtëpisë së familjes Koroglu, e mbrojtur me ligj si vlerë e trashëgimisë kulturore.

Ata kanë thënë se rrënimi i këtij objekti është humbje e thellë që prek të tashmen dhe të ardhmen.

“Me anë të këtij reagimi, ne kërkojmë që të ndërmerren hapa të menjëhershëm dhe konkretë drejt riparimit të dëmit të shkaktuar. Po ashtu të ndërmerren masa të menjëhershme pasuese për të garantuar konservimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të këtij objekti”, thuhet në reagimin e “RROK Mitrovica”.

Më tej ata kanë kërkuar nisjen e hartimit të një plani të qartë dhe të detajuar për menaxhimin e trashëgimisë kulturore në nivel lokal. Kjo gjë është kërkuar në vazhdimësi nga sektori i pavarur kulturor në Mitrovicë.

“Ky plan duhet të përfshijë hapa për ruajtjen dhe promovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Si dhe për të siguruar një mirëkuptim të gjerë dhe angazhim të komunitetit për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë sonë të përbashkët kulturore”, shkroi RROK-u.

Shtëpia e familjes Koroglu është ndërtuar në kohën e pushtimit osman, teksa që nga viti 1978 ka hyrë në mbrojtje, dhe vazhdon të jetë në listën e objekteve nën mbrojtje nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.

Organizatat të cilat reaguan për rrënimin e pjesshëm të saj janë: “7 Arte”, “Dhemetra”, “KnKub Heritage”, “KosovaArs”, “Mitrix”, “Mitrovica Guide”, “Me dorë në zemër”, “Mundësia”, “REC Kosova”, “Trungu” dhe “Valët e Paqes”./rtk

ObserverKult


Lexo edhe:

RRËNOHET MONUMENTI MBI 100 VJET I VJETËR NË MITROVICË

Mitrovica ka humbur edhe një monument mbi 100 vjet të vjetër. Ajo që njihej si shtëpia e Asim Leniqit. Kjo shtëpi është rrafshuar.

Puna ka vazhduar edhe dje. Një ditë pasi nisi rrafshimi në vendin ku ishte, në qendër të qytetit, do të ndërtohet një objekt afarist e banesor.

Ajo që mbrohej si monument me përshkrimin se “ndërtesa është objekt rezidencial urban”, prej vitit 2014 ishte larguar nga Lista e trashëgimisë kulturore. Ishte nën mbrojtje të përkohshme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult