Në edicionin e sivjetmë të DAM Festit do të mbahet edhe gara për kompozitorët e rinj “Rrëqebulli i argjendtë”.
“Finalistët i publikojmë më datën 1 gusht dhe pastaj prej 6 deri më 10 shtator e ftojmë edhe publikun me ardhë edhe me i dëgju veprat të cilat kanë me qenë premierë”, ka thënë drejtori artistik i këtij festivali, Dardan Noka.
“Absolutisht [që do t’iu jepet hapësirë kompozitorëve të rinj], ne kemi dëshirë me i stimulu kompozitorët e rinj me apliku, por nuk e kemi mbyllë as për kompozitorët e vjetër që dojnë me qenë pjesë”.
“Edhe nëse është një kompozitor me eksperiencë do me qenë pjesë e garës, gara është e hapur, por nuk mund të aplikojnë personat që janë nën 18 vjet”, ka theksuar Noka për KlanKosova.
Fituesi po ashtu do të shpërblehet me shumën prej 500 eurosh dhe një vepër të komisionuar, e cila do të interpretohet si premierë në ‘DAM Festival 2023’
Gara e Kompozitorëve të Ballkanit është themeluar në vitin 2019 nga Dardan Selimaj, themelues dhe drejtor i festivalit DAM dhe Rreze Kryeziu-Breznica, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit DAM, me qëllim që t’u japë mundësi kompozitorëve nga Ballkani që të punojnë me interpretues dhe ansamble muzikore evropiane e të nivelit botëror. Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit amerikan Gregory Charette, ky program u ofron disa kompozitorëve mundësi të punojnë direkt me anëtarë të ansamblit “Oerknal” përgjatë një jave me punëtori e prova në Prishtinë. Qëllimi qenësor i gjithë projektit është krijimi i marrëdhënieve përmbajtjesore mes kompozitorëve dhe institucioneve të muzikës në Ballkan dhe BE.