Rreth 2500 gjuhë në botë përballen me rrezikun e zhdukjes

Aktualisht ekzistojnë rreth shtatë mijë gjuhë në botë dhe afërsisht 2500 prej tyre po përballen me rrezikun e zhdukjes, paralajmëroi një përfaqësues i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në Turqi.

Kryetari i Komisionit Kombëtar të Turqisë (UTMK) të UNESCO-s, Alcal Oğuz, theksoi ditë më parë se nga 62 ditë ndërkombëtare të shpallura nga UNESCO, pesë kanë të bëjnë me gjuhët.

“Në botë ka rreth shtatë mijë gjuhë. Në mesin e tyre, rreth 2500 po përballen me rrezikun e zhdukjes për shkak se numri i njerëzve që i flasin ato po zvogëlohet. Sipas statistikave dhe të dhënave të përpiluara, fatkeqësisht, në çdo 15 ditë, një nga këto gjuhë zhduket”, nënvizoi ai.

“Rrezikimi dhe zhdukja e gjuhëve është rritur viteve të fundit në veçanti për shkak të ndryshimeve sociale, politike dhe ekonomike në botë”, shtoi Oğuz.

Sipas tij, shumica e gjuhëve të rrezikuara përbëhen nga gjuhë që fliten nga më pak se 10 mijë njerëz.

Ai po ashtu tha se është e vështirë të gjenden folës të rreth 200 gjuhëve.

“Numri i gjuhëve të zhdukura nga viti 1950 është mbi 250”, theksoi Oğuz./ATSH-AA

LEXO EDHE: Cilat janë 10 gjuhët më të vjetra në botë që fliten ende sot